Në ditën e dytë të, “Panairi i librit-2024”, tek salla ovale e ‘Pallatit të Kongreseve, Tiranë’, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, bëri promovimin e dy librave të Tij, “Hazreti Ali” dhe Imam Hyseni. Ky aktivitet, u planifikua dhe u organizua nga Drejtoria e “Panairi i Librit”, nën përkujdesjen e titullarit, z. Petrit Ymeri, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Morën pjesë në këtë aktivitet klerikë bektashianë; drejtues e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri; teologë; historianë; akademikë; studjues të fushave të ndryshme, miq e dashamirës të autorit; përfaqësues të mediave; botues etj…
Moderimi i aktivitetit u bë nga Drejtori i “Panairi i Librit-2024”, z. Ymeri, i cili bëri dhe një ekspoze të shkurtër të dy librave të fundit të autorit. Pas falënderimit për të pranishmit, të Dede Edmond Brahimajt, ishte teologu i njohur, Prof. Xhemal Balla, që bëri një pasqyrë të detajuar të dy librave të Dede Edmond Brahimajt, duke u ndalur gjithashtu, në vlerat që përcjellin ato tek besimtarët dhe gjeneratat që vijnë.
Në vijimësi, Prof. Nezir Bata, u ndal tek vlerat fetare të Qelbelasë e Imam Hysenit, këtij heroi të kësaj beteje, për mbrojtjen e Islamit. Ndërsa Prof. Kaliopi Naska, e Univeristetit ‘Albanian-University’, u ndal më konkretisht tek profesionalizmi i autorit në përgatitjen e këtyre librave, në dobinë e këtij aktiviteti, si dhe punën me vlerë, në vijimësi, që bën Selia e Shenjtë Bektashiane dhe Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, për botimet cilësore me tematikë fetare e atdhetare.
Për librat folën dhe studjuesi Enver Kushi e disa të tjerë.
Dy librat e mësipërm, që janë të botuara në dy gjuhë, shqip e anglisht, janë të afishuar në stendat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në “Panairi i librit-2024”, krahas shumë botimeve të tjera të këtij institucioni.
Përgatiti: Shelda AGARAI-JANO
Fotot: Nuri ÇUMANI