AMBASADORI I MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE VIZITË NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, priti sot, në një takim në Selinë e Shenjtë, Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Faisal Ghazi Hifzi.
Dede Edmond Brahimaj e falenderoj Ambasadorin Hifzi për këtë vizitë të rëndësishme dhe në vijimësi, zhvilluan një bisedë të gjatë pune.
Takimi ndërmjet palëve vijoi në formën e një bashkëbisedimi të lirë mbi bashkëpunimin e ndërsjellë institucional në shërbim të së mirës së përbashkët që ka karakterizuar deri më tani marrëdhënien ndërmjet Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, bashkëpunim i cili do të pasohet në të njëjtën udhë dhe në të ardhmen.
Kryegjyshi e njohu mikun e nderuar me punën dhe problemet e Selisë së Shenjtë në Tiranë e, kudo në Shqipëri e jashtë saj, përmbushjen e misionit fetar e atdhetar të besimit të paqtë bektashian, për forcimin e bashkëjetesës fetare, forcimin e unitetit, harmonisë e dashurisë njerëzore pa dallim feje, etnije, race e bindjesh.
Njëkohësisht Ambasadori Hifzi evidentoi rolin e njohur të bektashinjve në përmbushjen e misionit të tyre fetar e shoqëror dhe, në veçanti angazhimin në këtë mision të Kryegjyshit Botëror, si Kreu i Bektashizmit.
Më pas Ambasadori Hifzi, vijoi vizitën e tij edhe në qendrën fetare-kulturore (Odeon) , në muzeun, bibliotekën, galerinë dhe objekte të tjera, duke shprehur admirimin dhe mbështetjen për
punën e bërë dhe objektivat që kanë bektashinjtë për të ardhmen.

Përgatiti: Xh. CULLHAJ