MESAZH URIMI I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, PËR 28-29 NËNTORIN 2024

Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, me rastin e festave të 28-29 Nëntorit 2024, uron dhe bekon të gjithë shqiptarët kudo ku janë, duke bërë apel për më shumë punë e përkushtim, më tepër paqe e dashuri vëllazërore, më tepër harmoni e besim të palëkundur në Zot, për të përballuar situatat që po kalojmë, drejt një jete më të mirë dhe të begatë për të gjithë.
Për Kryegjyshin Botëror, përkujtimi i këtyre datave të shënuara për këtë vit, ashti si në traditën shumë dekadash, shoqëruar me aktivitete të shumta e të larmishme, nga institucionet shtetërore, lokale e shoqërore, në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare, nga komunitete shqiptarësh nëpër botë, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot, mëshiruar në devizën e njohur bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’.
“Në këto dy ngjarje të shënuara, 28 dhe 29 nëntorin, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë! Paçin më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Lartë, për një jetë më të mirë e më të begatë. Lartësimi i vlerave atdhetare kombëtare, vlerësimi i kontributeve të dhënë në
udhën e historisë, janë e do të mbeten kurdoherë vlera të shenjta për të gjithë brezat. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë problemet e mprehta që përballet shoqëria e njerëzimi sot.
Përkujtimi i këtyre dy ngjarjeve të shënuara, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot. Është e domosdoshme, që veçanërisht në këto dit, të ndërgjegjësojmë veten e të bëjmë apel për të gjithë, që secili, të angazhohet për rritjen e klimës së mirëbesimit e dashurisë së ndërsjelltë njerëzore, forcimin e unitetit, për bamirësi e ndihmë për ata që kanë nevojë, të pastrojmë shpirtrat tanë e familjarëve, të ndalojmë ndasitë, sherret e mëritë, luftërat, të lutemi tek i Madhi Zot që të na ndihmoj në këtë mision të përbashkët…Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!”– thuhet ndër të tjera, në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Baba Edmond Brahimaj.