KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ TAKIM ME KRYEPISKOPIN ANASTAS JANULLATOS

Ditën e premte, 29 nëntor 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj zhvilloi një takim vëllazëror me Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos.
Takimi u zhvillua në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe ngjarjeve të ndryshme religjioze.
Temë e bashkëbisedimit ndërmjet tyre ishte angazhimi i vazhdueshëm ndërmjet komuniteteve fetare të Shqipërisë, që gjuhës konfliktuale dhe situatave armiqësore në të cilat bota jeton sot, ti përgjigjen me një model të vërtetë bashkëjetese, model të cilin e kemi trashëguar brez pas brezi që nga prijësit e parë fetarë.
Më tej, Kryepiskopi Janullatos e përgëzoi Kryegjyshin Botëror për punën e bërë deri tani në krye të bektashizmit në lidhje me tolerancën fetare në vendin tonë e me gjerë dhe i uroi atij punë të mbarë në përmbushjen e përgjegjësive në shërbim të besimtarëve.
Ndërsa Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, pasi e falënderoi për urimet, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm të institucioneve fetare në vend në promovimin e vlerave kulturore, sociale dhe atdhedashëse në shoqërinë tonë dhe shprehu gatishmërinë e Tij për ta vazhduar më tej këtë traditë.

Përgati: Xh. CULLHAJ