Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata e Tetovës, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, me rastin e darkës përkujtimore të Salih Nijazi Dedeit dhe Halife baba Tajar Gashit zhvilluan një ceremoni të veçantë në Teqenë Harabati-Baba në Tetovë, inagurimin e vendosjes së bustit të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ahmet Myftar, një nga figurat më të shquara të besimit Bektashian.
Ndër të tjera, në fjalën e Tij me këtë rast, Kryegjyshi Botëror theksoi rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore që Dede Ahmed Myftari la pas, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm. Ai vlerësoi rolin e Dede Ahmed Myftarit në ruajtjen dhe përhapjen e mësimeve dhe vlerave të Bektashizmit në kohë të vështira.
Ceremonia u shoqërua nga pjesëmarrja e familjarëve të Baba Tajarit, Baba Tahirit dhe besimtarëve të tjerë, të cilët shprehën mirënjohjen dhe respektin për kontributin e Dede Ahmed Myftarit në promovimin e paqes dhe harmonisë ndërfetare.
Busti i Dede Ahmed Myftarit, i vendosur në oborrin e Teqesë Harabati-Baba, është një simbol i përkushtimit dhe sakrificës së tij për përhapjen e mesazhit universal të dashurisë dhe mirëkuptimit.
Ky moment historik për Bektashinjtë përforcon më tej rëndësinë e Teqesë Harabati-Baba si një vend shenjtërie dhe frymëzimi për të gjithë ata që ndjekin mësimet e këtij urdhri të paqtë shpirtëror.