KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, EDMOND BRAHIMAJ, DEKOROHET ME TITULLIN ‘NDERI I SHOQATËS TOMORRI’

Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” i ka dorëzuar të dielën, titullin “Nderi i Shoqatës Tomorri”, Kryegjyshit Botëror Bektashian Shenjtërisë së tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Shkencave, ku merrnin pjesë shumë figura të njohura publike dhe artistë të mirënjohur. Kryegjyshi Botëror Bektashian, u nderua me titullin e lartë nga kjo shoqatë për kontributin e tij të paçmuar për vendin dhe harmoninë fetare. Në aktivitet u shfaq dhe një dokumentar për veprimtarinë, rrugëtimin dhe figurën e kreut të bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Nuk munguan dhe tingujt e muzikës nga figura të mirënjohura artistike si, Ylli Baka, Dule Malindi, Dashuri Hysaj, Ardita Bufaj dhe Eriona Gjyzeli të cilët ndezën atmosferën e evenimentit.
ENGJËLL MUSAI, KRYETAR I SH.A.K ‘TOMORRI
(Kryegjyshata Bektashiane një rreze dielli që ndriçon shpirtin e shqiptarëve)
…Abas Aliu zu’ Tomorrë,/
Erdhi afër nesh!/
Shqipëria s’mbet’ e gjorë,’/
Se Zoti e desh!
Janë këto vargjet e poezisë ”Abaz Aliu”, të Naim Frashëri, njërit prej ikonave të Rilindjes Kombëtare. Dhe ja si me fat, ne kemi në mesin tonë Kryegjyshin Botëror të Bektashinjëve, Shenjtërinë e Tij Haxhi Dede Baba,Edmond Brahimaj, udhëheqësin shpirtëror dhe fetar të komunitetit bektashi. Kryegjyshi aktual bektashian Baba Edmond Brahimaj është dhe Kryegjyshi i tetë në radhë. Ashtu si Abaz Aliu erdhi midis nesh, duke zënë Tomorrë, edhe Shoqata “Tomorri” ndihet e privilegjuar që ndodhet midis Jush, pasardhësin e parë shpirtëror të bektashizmit të sotëm. Shoqata Kulturore “Tomorri” është një ndër shoqatat më aktive në Tiranë, Korçë, Lushnje, Berat, Kuçovë, Poliçan, Skrapar, Sarandë, Fier, Durrës , Gramsh, ku në dy nga degët që kanë mbetur pa u konstituar së shpejti do të publikohen edhe forumet drejtuese. Ajo është një ndër shoqatat më të vjetra në vend, e cila shquhet për aktivitete me karakter kombëtar. Shoqata Kulturore “Tomorri” e ka jetën shumë të gjatë. Themelimi i saj daton 118 vjet më parë në Rumani, në nëntor të vitit 1906. Ajo u mbyllë gjatë kohës së sistemit një partiak dhe u riorganizua më 1999. Para pak ditësh në Resortin Fafa, ku gjej rastin të falënderoj Presidentin e ‘Fafa Group’, Administratorin e Përgjithshëm të “FAFA GROUP” dhe nën/kryetarin e Shoqatës z. Fatos Çerenishti, ne festuam edhe 25 vjetorin e saj, ku një grup organizatorësh vendosëm ta ringrinim këtë shoqatë. Kryetar i parë i saj, u zgjodh z. Nuri Çuni, tashmë Kryetar i Kuvendit Kombëtar të shoqatës. Dhe ja tek vijme sot me 8 Dhjetor 2024 në një aktivitet që shënon mbylljen e veprimtarisë për vitin 2024 të SH. A. K. Tomorri. Por kjo ditë le të shërbejë edhe si kujtesë dhe nderim për të gjithë personalitetet dhe anëtarët e shoqatës që kanë kontribuar nga dita e themelimit deri më sot, por në veçanti ata që nuk ndodhen në mesin tonë. Ndaj në emër të SH.A.K. Tomorri, u premtojmë se do t’u kujtojmë përjetësisht dhe Ju për ne do të mbeteni përherë në zemrat tona. Dritë ju pastë shpirti . Zoti i bekoftë familjet tuaja! Por kjo ditë ka ka edhe një ngjarje të rëndësishme, e cila do të shënohet në historikun e saj dhe të Kryegjyshatës Bektashiane dhe institucionit të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtërisë së Tij Haxhi Dede Baba , Edmond Brahimaj, përfaqësuesit dhe ‘PRIJËSIT’, të të gjithë Betkashinjve në Shqipëri dhe kudo në botë. Dhe sot Shoqata A.K. Tomorri ka kënaqësinë e veçantë që Shenjtërinë e Tij Haxhi Dede Baba , Edmond Brahimaj ta ketë në mesin e saj, jo vetëm shpirtërisht, por edhe zyrtarisht nëpërmjet dhënies së titullit : “Nderi i Shoqatës Tomorri”. Falemnderit që ju kemi sot midis nesh Baba Edmond Brahimaj, dhe ne i gezohemi faktit që të kemi në jetët tona
KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, EDMOND BRAHIMAJ
(Kryegjyshata Botërore Bektashiane në krah të promovimit të vlerave)
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Edmond Brahimaj në fjalën e tij, ai u shpreh i vlerësuar për këto nderime që iu bënë, ndërsa theksoi se Kryegjyshata Botërore Bektashiane qëndron në krah të vlerave.
Në emër të Zotit Mëshiruesit Mëshirëbërësit, i nderuar Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Z. Engjëll Musai:Të nderuar anëtarë të Këshillit drejtues organizativ të kësaj ceremonie nderi. Jam i privilegjuar dhe i nderuar që gjendem mes jush, për këtë titull nderi kaq domethënës dhe vlerësues për institucionin që unë drejtoj tashmë për më shumë se 13 vite, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, por edhe për mua personalisht.
Kam kënaqësinë të nënvizoj se Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” në të gjithë veprimtaritë kulturore, promovon vlerat intelektuale, krahinore dhe të figurave patriotike, që janë në jetën tonë të përditshme, por edhe atyre që janë ndarë nga jeta, por që kanë dhënë kontribut në këtë shoqatë, apo janë krenaria e krahinës. Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka qenë përherë një dashamirëse e veprimtarive dhe punëve me vlerë të Shoqatës dhe angazhohet për t’ju qenë në krah përherë në promovimin e këtyre vlerave tepër me rëndësi në kohët e vështira në të cilat po jetojmë. Figura të shquara të shoqatës Tomorri si Xhevahir Spahiu, Nuri Cuni, Veli Hoxha, Idriz Metani dhe intelektualë që me shumë dashuri që prej themelimit të kësaj shoqate i kanë dhënë kombit shqiptar, kanë vënë një gur të rëndë themeli në këtë shoqatë patriotike të krahinës së Tomorrit të cilën me shumë dashamirësi frymëzimin tuaj do ta ndërlidhja me shenjtërinë dhe hijeshinë e Malit mistik të Tomorrit aq shumë të dashur për trevat shqipfolëse dhe jo vetëm. Abaz Ali dhe Ai Mal ju qoftë ndihmë në punët e mira që po bëni. Falënderime për titullin e nderit që më akorduat dhe bekime paçi familjarisht! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin”!
SPARTAK BRAHO
(Sa më shumë aktivitete për idealet kulturore dhe atdhetare të Shoqatës “Tomorri”)
Spartak Braho përgjatë fjalës së tij tha se aktivitetet e mbajnë në formë idealin e shoqatës. Ndaj sa më shumë aktivitete, aq më shumë promovohen vlerat atdhetare dhe kulturore të trevave. Të gjithë duhet të bashkohen në një shoqatë të vetme si Shoqata e madhe Atdhetare Kulturore “Tomorri” në mbështetje të vlerave patriotike dhe jo të ndahen në grupime të vogla që nuk i shërbejnë rolit të domosdoshëm të karakterit kombëtar.
IFRAN HYSENBELLIU
(Dekoratë e merituar! I bashkohem kontribuesve)
Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu mori pjesë në nderimin e kryegjyshit Botëror Bektashian Shenjtërisë së tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”.Në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Shkencave, z.Hysenbelliu uroi Baba Mondin dhe e cilësoi të merituar dekoratën për të.Po ashtu, Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu vlerësoi edhe kreun e Shoqatës Tomorri Engjëll Musai për angazhimin dhe përgjegjësinë që ka marrë. “Për herë të parë marr një angazhim që e mbështes me shpirt dhe financiarisht shoqatën , si dhe e uroj Baba Mondin, se ai e meritonte atë dekoratën që mori. Uroj edhe gjithë pjesëtarët, të cilët kanë kontribuar këtu që i bashkohem edhe unë këtij kontributi, në veçanti Engjëllin, i cili është shumë dashamirës dhe shumë këmbëngulës. Nuk është e lehtë të marrësh përgjegjësi. E them me shumë zemër që këtë përgjegjësi që ka marrë është një detyrë shumë e fortë, i uroj suksese dhe të jemi sa më të bashkuar dhe të jemi një shoqatë e vetme, dhe të ofrohemi rreth saj dhe jo të jemi të ndarë!.
AGIM ÇIRAKU, KRYETAR I SH.A.K. “LABËRIA”
Është kënaqësi të jesh midis miqve të Shoqatës “Tomorri” , me të cilën kemi një histori të përbashkët për sa i përket çështjes së mbrojtjes së interesave kombëtare dhe atdhedashurisë. Ne sot jemi dy zona , por që në një periudhë jo shumë të largët ne kemi qënë pjesë e të njëjtit vilajet, pasi Skrapari, Berati dhe zonat për rreth ishin pjesë e Vilajetit të Vlorës. Ashtu si Sh. A. K. Tomorri, edhe SH. A. K .Labëria , është mbrojtëse e idealeve të luftëtarëve që derdhën gjakun për mëvetësi, pavarësi dhe liri. Dekorimi i Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj është plotësisht i merituar e na bënë dy herë krenar: Baba Mondi rrjedh nga një familje me tradita bektashiane nga Labëria, ndërsa për kryetarin e Shoqatës “Tomorri” ,po i kursej komplimentet pasi kemi lidhje familjare dhe jemi “Baxhanak”.

Fotot:
Nuri ÇUMANI