Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryetarja e Parlamentit, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit një takim me krerët e komuniteteve fetare. Në takim ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu; Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti; Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj ; Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti.
Znj. Spiropali nënvizoi se me rastin e Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është e rëndësishme të diskutojmë jo vetëm për lirinë e besimit, si një e drejtë e garantuar në Shqipëri, por edhe për rolin e komuniteteve fetare në garantimin e të drejtave të tjera themelore të qytetarëve, duke kontribuar për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më njerëzore, më të drejtë.
Mozaiku fetar është një ndër pasuritë më të çmuara të Shqipërisë. Mirëkuptimi dhe harmonia fetare janë një referencë e rendësishme për Shqipërinë, e cila tashmë njihet botërisht si shtëpia e përbashkët e besimeve dhe komuniteteve fetare, dhe ofrohet si shembull e model edhe për vendet e tjera. Mirëkuptimi dhe toleranca fetare shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit social të shoqërisë. Por duhet të shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit politik dhe si një model prej të cilit politikanët e parlamentarët shqiptarë duhet të mësojnë.Gjuha e dhunës dhe urrejtjes është e papranueshme në shoqërinë tonë.
Bashkëpunimi i Kuvendit me institucionet dhe komunitetet fetare duhet të ketë në fokus forcimin e infrastrukturës sociale, fuqizimin e familjes dhe shëndoshjen e marrrëdhënieve familjare, ofrimin e shërbimeve sociale, njerëzore, arsimore, kulturore dhe eduktive, në luftën kundër dhunës në shoqëri e në familje, mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë etj. Ky bashkëpunim duhet të ketë në qendër familjen, njeriun dhe qytetarin.