Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, zhvilloi një takim edhe me Drejtorin dhe Koordinuesin e Komisionit Europian për Fenë dhe të Drejtat e Njeriut z. Vincent Depaigne .
Pas përshëndetjeve të rastit, gjatë këtij takimi, Kryegjyshi Botëror e vuri theksin në informimin e z.Depaigne mbi iniciativën e Kryegjyshatës Botërore dhe mbështetjen që ajo ka marrë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili shpalosi në OKB, idenë për krijimin e Shtetit Sovran të ‘Urdhërit Bektashi’.
Po ashtu, Kryegjyshi Botëror vuri në dukje edhe rëndësinë e bashkëpunimeve të mëtejshme me bashkësinë europiane, mbartëse dhe promovuese e vlerave dhe vizionit të së cilës është edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Ndër të tjera Kryegjyshi ndau me z.Depaigne disa projekte që po ndiqen nga Kryegjyshata, të cilat në thelb synojnë të bashkojnë njerëzit, pavarësisht përkatësive e ndasive, në funksion të zhvillimit, paqes, stabilitetit e së mirës së përbashkët.
Përgatiti: XH. CULLHAJ