ZHVILLOHET KONFERENCA SHKENCORE: ‘110-VJETORI I MASAKRËS NDAJ KLERIKËVE BEKTASHIANË, NË VITET, 1913-1914’

Ditën e shtunë, 14 dhjetor 2024, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, nën kujdesin e Kryegjyshit Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj zhvilloi konferencën shkencore me temë: “Masakra ndaj teqeve, klerikëve dhe besimtarëve bektashianë, në vitet 1913-1914 “. Lëvizja rebele e vitit 1914, që në ditët e para të saj në muajin mars, deri në dhjetor të këtij viti dogji rreth 70 teqe, duke kapur burgosur dhe vrarë dhjetëra klerikë të këtij tarikati.
Në fjalën e hapjes, Kryegjyshi Botëror Bektashian ndër të tjera theksoi: “… Gjatë viteve 1910-1914 bektashizmi shqiptar ka bërë çmos të forcoj fizionominë e vet, duke i dhënë tarikatit një peshë të rëndësishme me kuptimin botëror të tij”.

Më tej sollën dokumente dhe fakte të panumërt nga trevat e tyre, studiuesit: Shyqyri Hysi, Kastriot Bezati, Teki Kurti, Naime Dervishaj, Jori Picari etj., të cilët përcollën krejt atë situata aq të vështira për kombin tonë dhe për besimin e mrekullueshëm bektashian.

* * *

Fjala përshëndetëse e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj në Konferencën Përkujtimore “110- vjet nga masakra kundër teqeve dhe klerikëve bektashianë të Shqipërisë”.

Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar vëllezër, klerikë dhe besimtarë të Haxhi Bektash Veliut! Të nderuar vëllezër, klerikë dhe besimtarë të Haxhi Bektash Veliut! Të nderuar studiues të bektashizmit nga të gjitha trevat tona! Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë përkujtimore dhe uroj që Zoti i Lartësuar, Dymbëdhjetë Imamët, Pir Haxhi Bektash Veliu dhe vargu pambarim i klerikëve bektashinj të Shqipërisë, na qofshin kurdoherë pranë dhe na bëfshin dritë në udhëtimin tonë shpirtëror dhe fizik!
Plot 110 vjet më parë, duke filluar nga klerikët, myhibët, teqetë dhe mekamet e shenjtë në krejt vendin, tarikati ynë, kjo pasuri e çmuar e islamit, u përball befasisht me njërën prej masakrave më të përgjakshme në historinë e vet tetë shekullore, me rrënimin e objekteve të adhurimit, me djegien e tyrbeve dhe mezareve, me kapjen, burgosjen dhe jo rrallë vrasjet makabre të klerikëve dhe ndjekësve të denjë të Haxhi Bektash Veliut. Se për çfarë arësye kjo masakër, ende nuk ka zënë vendin e duhur në memorien e historiografisë shqiptare. Këtë është e udhës t’a shpjegojnë studiuesit e kësaj periudhe, por gjykoj se drama në fjalë, i ka kaluar kufijtë shpirtëror të një tarikati, është shtrirë në një hapësirë të gjerë të familjes sonë myslimane, madje në disa raste është bërë objekt studimi i ndërkombëtarëve të vëmendshëm.
Në mënyrë të veçantë, për rrafshet studimorë dhe opinionin fetar ballkanik, kjo masakër ndaj bektashinjve shqiptarë, do të nxiste kureshtjen e natyrshme: Përse një barbari e tillë ndaj ndjekësve të një filozofie kaq paqësore dhe përbashkuese në shekuj? Përse një verbëri e tillë fetare, ndaj një tarikati të shtrirë në disa kontinente, nën thirrjen devizë për vëllazërim? Çfarë haraçi duhej të paguanin ata klerikë e myhib të devotshëm, të cilët përgjatë shekujve kishin qenë substanca frymëzuese e identitetit tonë kombëtar, duke ngritur ura paqeje dhe mirëkuptimi fetar dhe njerëzorë midis të krishterëve dhe syninjve në këtë Ballkan të trazuar dhe të përgjakur?
Por le të shohim kalimthi sfondin historiko- fetar të vitit të mbrapshtë 1914. Me largimin e Ismail Qemalit dhe dorëheqjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, fatet e kombit tonë ranë në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili ja besoi stafetën Princ Vidit. Shqipëria e njohur vetëm si “Principatë Kushtetuese Sovrane” dhe e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha të Evropës, por krenohej haptas prej fqinjëve të mbështetur nga aleatët e tyre strategjikë. Kështu, ndërsa vullnetarë të armatosur malazez po luftonin me patriotët shqiptar në malësitë e Hasit, forca të shumta serbe po afroheshin në vijën kufitare Dibër-Pogradec. Në marrëveshje të plotë me Beogradin, Jugu i Shqipërisë po sulmohej me forca të shumta helene dhe në mënyrë të veçantë, Elbasani, Korça, Kolonja dhe Gjirokastra, po shiheshin si pre e shovinizmit të egër grek.
Është shumë interesant roli i Turqisë në këto momente kaq të vështirë për vetë ekzistencën e kombit tonë. Pa dashur të sjell këtu hamendësime të ndryshme, më lejoni t’ju sjell vetëm një frazë nga moria e dokumenteve perandorake të Austro-Hungarisë. Kështu në Arkivin Shtetëror të Vjenës, në fondin (Vj. 24. 22. 2226) në informacionin e tij rreth situatës në Shqipëri, Ambasadori Merej, i shkruan Ministrit të Punëve të Jashtme, kontit Berthold tekstualisht: “Në bazë të informatave ekzistuese, besoj se nuk gaboj të them se në prapaskenë, në radhë të parë, duhet të kërkohen intrigat turke. Vlerësoj se kjo nuk ka të bëje me ndonjë dëshirë të Turqisë për të fituar përsëri Shqipërinë… Ajo dominohet prej çështjes së ishujve dhe kështu prej kësaj, prej kontradiktave me Greqinë…”. Pra sikundër thuhet nga ky perceptim, intrigat turke ende vijonin mbi mëvetësinë e kombit tonë, a thua se nuk mjaftuan shekujt e mëparshëm.
Por le t’i kthehemi sërish pyetjes: Përse duhet rrënuar tarikati bektashian? Pa më të voglin përjashtim, ajo fije që mbante lidhur qëllimet e gjithë pushtuesve tanë historikë, kishte për devize, të lashtën: Përça dhe sundo! Është interesante por këtë devizë kundër çdo pushtuesi, bektashinjtë e trojeve shqiptare e kishin kundërshtuar dhe luftuar përmes doktrinës së besimit dhe frymës së bashkimit. Së pari, kjo frymë ishte shpërfaqur në horizontet fetarë të shekujve 17 dhe 18, për t’u ravijëzuar më kthjellët në vitet e lavdishëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nuk mund të ishte aspak e rastësishme që Komiteti i Jugut i kësaj Lidhjeje Mbarëkombëtare, i zhvilloi takimet e tij në teqenë historike të Frashërit nën drejtimin e klerikut dijeplotë baba Alushit si edhe të dhjetëra klerikëve të tjerë të vilajeteve të Janinës, Kosovës dhe Manastirit. Sqarojmë se në këto takime, ishin përfaqësues të të dyja feve, myslimane dhe të krishterë, të cilët kontribuuan me shpirt të lartë sakrifice e ndjenjë kombëtare në realizimin e vendimeve të kësaj Lidhjeje.
Në vitet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndonëse masat represive të Perandorisë Osmane erdhën duke u radikalizuar, klerikët bektashianë të Shqipërisë nuk u trembën në asnjë situatë. Përkundrazi, përpjekjet e tyre konverguan tanimë në rrafsh të zgjimit të vetëdijes kombëtare sidomos përmes përhapjes së gjuhës shqipe dhe çeljes së shkollave të fshehta në mjediset e teqeve bektashiane. Në Kumanovë dhe Prizren, në Dibër dhe Bulqizë, në Krujë e Martanesh, në Elbasan e Vlorë, në Mokër e Devoll, në Korçë e Kolonjë, në Përmet e Gjirokastër, në Mallakastër e Tepelenë, shumë teqe në fillim shekullin e njëzetë kishin klasat e tyre ku bektashinj, të krishterë apo syni, çdo nënës, mësonte gjuhën dhe historinë e të parëve të vet. Ndërkaq nuk duhet të harrojmë se bashkë me këto mësime të vyer, djemtë e Shqipërisë merrnin atë shpirt kombëtar të shfaqur në poezinë e Naim Frashërit por edhe harmoninë dhe vëllazërinë fetare të ngritura mbi besimin në Zot dhe dashurinë për atdheun.
Është me vend të sjellim në vëmendjen tonë sot, mitingun paqësor të 14 shkurtit 1910 në qytetin e Korçës, ku klerikët, myhibët dhe besimtarët bektashinj, në vëllazërinë e mrekullueshme të myftiut Hafëz Aliut, të Themistokli Gërmenjit, Thanas Floqit, Mihal Gramenos, Idhomen Kosturit e qindra atdhetarëve të tjerë, manifestuan ndjenjat e kulluara atdhetare, duke dëshmuar jo thjesht dashurinë për gjuhën dhe historinë kombëtare, por edhe aspiratën shekullore të shqiptarëve, për të qenë në gjirin e familjes evropiane. Me të drejtë gazeta “Lidhja Ortodokse” që dilte në ato ditë në Korçë do të shkruante: “Dita e 14 shkurtit do të mbetet e paharruar për kombin shqiptar…” Më tej në këtë gazetë që dilte nën përkujdesjen e Themistokli Gërmenjit viheshin në dukje tiparet më të vyera të klerikëve bektashianë, tek të cilët ishin harmonizuar në mënyrën më të mrekullueshme të tyre, dashuria për Zotin, për kombin, për vëllazërinë e tarikatit, me veprimin energjik dhe të guximshëm për t’u përballur me çdo sfidë.
Edhe në ngjarjet kombëtare të vitit 1912, klerikët bektashianë ishin në radhët e para të luftëtarëve të lirisë, duke dëshmuar me sakrificat e pashembullta të tyre jetësimin e porosisë emblematike të Pirit, Haxhi Bektash Veliut, i cili, luftën për mbrojtjen e atdheut e rendit në shenjtërinë e detyrimeve që kemi ndaj Zotit të Lartësuar. Nuk mund të ishte e rastësishme që çetat e komitëve dhe vullnetarëve shqiptarë në përpjekjet e përgjakshme për pavarësinë e trojeve të udhëhiqeshin nga klerikë apo prijës bektashianë, siç mund të ishte rastësi që ishin dervishët dhe baballarët tanë, ata që përkrah Ismail Qemalit ngritën flamurin në Vlorë dhe e shenjtëruan valëvitjen e tij në liri. Ndërkohë janë disa telegrame të Plakut të Urtë të Vlorës, në pranverën e vitit 1913 që i drejtohen baba Sali Elbasnit, baba Hysen Melçanit, baba Ahmetit të Kuçit, baba Sulejmanit të Kolonjës dhe të tjerëve, përmes të cilëve u kërkon ruajtjen e qetësisë në vend, si edhe vigjilencë për kufijtë e Shqipërisë.
Sigurisht nuk ishin vetëm tiparet kombëtarë të spikatur, ato çfarë zgjonin egërsi ndaj klerikëve dhe besimtarëve bektashinj. Gjatë viteve 1910 – 1914, bektashizmi shqiptar ka bërë çmos të forcojë fizionominë e vet, duke i dhënë tarikatit një peshë të rëndësishme në kuptimin botëror të tij. Burime të shumtë të historiografisë turke, bëjnë me dije se komunitetet bektashiane në Ballkan ishin plotësisht nën ndikimin dhe frymën e klerikëve me origjinë shqiptare dhe po kështu, në teqenë mëmë, atë të Haxhi Bektashit në Nevshehir të Turqisë flitet, kuvendohej dhe këndohej në shqip. Kryegjyshi i asaj kohe, Fejzi Dedei, me origjinë tepelanase, po e strukturonte tarikatin drejt modeleve ballkanike dhe evropianë, të përshtatshëm me frymën e shekullit të njëzetë. Ai pati kurdoherë në krahë të tij, baballarët me origjinë shqiptare sidomos ata që kryenin misionin e tyre fisnik në vise të Turqisë.
Të nderuar të pranishëm, në këtë konferencë përkujtimore!
Sikundër është evidentuar edhe nga historiografia e sotme shqiptare, në javët e para të vitit 1914, ardhmëria e territoreve dhe vet ekzistencës së kombit ishin në rrezikun më të skajshëm të tyre, ndërsa prestigji evropian po nëpërkëmbej nga vetë interesat evropiane në Ballkan. Kanë qenë në planet e tyre djallëzore edhe përqendrimi politiko – ushtarak tek figura të tilla të deformuara si Esat Pashë Toptani dhe Haxhi Qamili, duke i shtyrë këta në mëkatet më të mëdha si ndaj lirisë sonë kombëtare, ashtu edhe ndaj luftës vëllavrasëse, plaçkitjes dhe kaosit, për të arritur tek djegia barbare e teqeve dhe tyrbeve tona, si edhe masakrimi i dhjetëra e qindrave klerikëve, ndjekës të parimeve të urtësisë së Haxhi Bektash Veliut. Të gjitha këto barbari, në një farë mënyre u japin përgjigje, pyetjeve të ngritura në fillim të kësaj ligjërate, çfarë dëshmon në fund të fundit se goditja e rëndë ndaj nesh nuk mund të kundrohet si një vetëtimë në qiell të kaltër. Përkundrazi ajo goditje ka qenë e paramenduar dhe kalkuluar me ftohtësi nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Shqipërisë.
Personalisht shpreh bindjen e thellë se përmes kumtesave tuaja, ne do të njihemi me ngjarje, fakte, dokumente, të cilat do të na afrojnë sa më shumë të jetë e mundur me verbërinë e vitit 1914, me atë çfarë ndodhi në gjirin tonë dhe që me plot gojën mund ta quajmë si tragjedinë e paralajmëruar të bektashizmit. Në këtë kuptim, jam i prirë të vlerësoj çdo mendim e konstatim në punimet tuaja studimore, jo thjesht në kontekstin historik, por edhe atë fetar, pasi në tarikatin tonë dashuria për atdheun ka bashkudhëtuar kurdoherë me atë të Krijuesit, për një jetë në liri të plotë. Zoti ju bekoftë! Amin!