BEKTASHIZMI SI THESAR I PAQES DHE UNITETIT: DELEGACIONI HOLANDEZ VIZITË NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj priti sot, më 14 janar 2025, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Boterore Bektashiane, delegacionin e Shtetit të Holandës, të kryesuar nga znj. Bea-Sen Tussher, e dërguar speciale e Ministrisë së Jashtme të vendeve të ulta për fetë dhe liritë fetare.
Pas përshëndetjeve të rastit, Kryegjyshi Botëror e njohu delegacionin me rolin historik që ka luajtur Bektashizmi në çështjen kombëtare. Ai theksoi se vizioni që përçon Bektashizmi sot është një mesazh i madh për harmoni, tolerancë dhe bashkëjetesë fetare, si thesari i unitetit, sigurisë dhe paqes.
Gjithashtu Kryegjyshi Botëror shtoi se nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, z.Edi Rama, për krijimin e shtetit sovran bektashi, është një vlerësim për rolin që ka luajtur Kryegjyshata Botërore si qendër e bektashinjve në mbi 33 vende të botës dhe për vizionin e bektashizmit për paqe dhe vëllazëri botërore, me të gjitha fetë dhe të gjithë popujt, për të ecur së bashku dhe për të jetuar si vëllezër.
Znj. Bea-Sen Tussher, pasi falënderoi Kryegjyshin për mikpritjen, theksoi se roli i bektashizmit është shumë i rëndësishëm për promovimin e vlerave të islamit të sotëm, të inkorporuar në shoqërinë e sotme europiane. Ajo vlerësoi gjithashtu se shteti Sovran Bektashi do të përçojë vlera të reja, të domosdoshme për shoqërinë e sotme njerëzore.

Përgatiti: Xh . CULLHAJ