ZHVILLOHET AKTIVITETI I 95-VJETORIT TË VENDOSJES SË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE NË SHQIPËRI

Në një aktivitet të veçantë u përkujtua sot, 25 janar 2025, 95-vjetori i vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Ceremonia nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili humbi jetën sot në Athinë. Në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, morën  pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama; Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj; klerikë bektashianë e besimeve të tjerë fetarë, krerë të lartë shtetëror të vendit, besimtarë e dashamirës të shumtë.
Ky përvjetor i shënuar, përkon me një ndërmarrje tejet të rëndësishëm për një status më të plotë zyrtar të këtij besimi të plotë, me shtrirje numerike e gjeografik, pothuaj në gjithë botën.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj.

Të nderuar miq,
të dashur vëllezër,
Ju falënderoj që na keni nderuar në këtë ceremoni përkujtimore të 95-vjetorit të njohjes juridike të vendosjes së Urdhrit Bektashian në Shqipëri nga ana e shtetit shqiptar.
Ngjarja historike për komunitetin tonë e 95 viteve më parë ka shënuar njërën nga arritjet më të rëndësishme të reformës së kulteve, të iniciuar në Shqipëri nga Qeveria mbretërore në vitin 1929, vit kur në Shqipëri u kryen tri kongrese të komuniteteve fetare:
Kongresi II Pan-ortodoks Shqiptar, i mbajtur në muajin qershor në Korçë;
Kongresi i Komunitetit Mysliman “sunit”, i mbajtur në muajin korrik në Tiranë;
Dhe:
Kongresi III i Bektashinjve, i mbajtur në muajin shtator në teqenë e Turanit në Korçë, i cili vinte pas Kongresit të parë, të mbajtur më 1921 në teqenë e Prishtës (Skrapar), dhe Kongresit të dytë, të mbajtur më 1924 në teqenë Hajdarie (Gjirokastër). Në Kongresin e tretë u krye reformimi i Urdhrit Bektashian, duke u shpallur mëvetësia e tij si besim më vete, u miratua Statuti i komunitetit, si dhe u mor vendimi për vendosjen e Qendrës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri.
Në mesin e shkurtit të vitit 1930, Kryegjyshi Botëror i kohës, Sali Njazi Dede, erdhi në Shqipëri dhe u prit me një ceremoni madhështore në Korçë. Me ardhjen e tij, po atë vit, vendimet e Kongresit tonë të tretë dhe Statuti i miratuar aty u njohën nga Qeveria mbretërore e Shqipërisë. Duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashinj,në mars të atij viti (1930) Qeveria mbretërore me dekret të veçantë e emëroi Sali Njazi Dedenë“ Kryegjysh Botëror të Bektashinjve”, në gusht të po atij viti caktoi qendrën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në teqenë e Turanit(Korçë), ndërsa një vit më pas, me Vendimin nr. 659 të datës 02.08.1930, vendosjen në Tiranë të Selisë së Shenjtë Botërore të Urdhrit Bektashian.
Bën përshtypje përcjellja pozitive që u është bërë këtyre ngjarjeve historike në shtypin e asaj kohe, duke filluar nga artikulli redaksional i Gazetës së Korçës “Bektashinjtë një element i dobishëm për Shqipërinë”, dhe me radhë. Me vlerësime shkruan në atë kohë për reformën e bektashizmës në Shqipëri emra autoritarë të elitës intelektuale të kohës, si Mid’hat Frashëri, Dhimitër Falo, Ibrahim Themo e të tjerë. Ngjarjet në fjalë i tërhoqën vëmendjen edhe albanologut gjerman, studiuesit të historisë Franz Babinger. Pikërisht në atë kohë z. Babinger vizitoi bektashinjtë e Krujës, “një qytet mysliman pa xhamira”, siç e ka njoftuar, qëndroi në teqenë e Krujës, bëri të njohur me dervishët, përshkroi “sektin e bektashive” dhe zakonet e tyre duke u kujdesur t’i vishte ato, si shumë nga studiuesit e huaj, edhe me njëfarë “misteri”.
Një përcjellje e tillë pozitive e reformës së bektashizmës, 95 vite më parë, është dëshmi se vendosja e Qendrës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, nuk ishte një akt juridik aksidental, as artificial. Shoqëria shqiptare e njihte mirë bektashizmën, ia kishte sprovuar asaj vlerat. Veç rrethanave historike, shqiptarët i kishte gatitur për në rrugën e bektashizmës Naimi me Mësimet e tij, që vlejnë për të gjitha moshat: nga fëmijët deri tek elitat. Me veprën “Mësimet e Bektashinjet” ai ua kishte përshkruar shqiptarëve besimin e bektashinjve si një udhë të gjerë, në të cilën bën dritë urtësia, vëllazëria, miqësia, dashuria, njerëzia dhe gjithë mirësitë. Më njërën anë, sipas Naimit, kjo rrugë ka lulet e diturisë, më anën tjetër ka lulet e së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë, dhe sidomos pa vëllazëri, mësonte ai, nuk mund të bëhet njeriu bektashi i vërtetë. Ne as sot nuk do të mundnim t’i formulonim më mirë e më bukur se Naimi ynë – Naimi i të gjithëve neve– këto parime të besimit tonë.
Për këtë arsye, do të më lejoni që në këtë përshëndetje të kësaj ceremonie përkujtimore, të mos zgjatem me parashtrime më të stërholluara mbi besimin tonë, për të cilin kanë shkruar dhe folur njohës të tij të denjë për besim. Eqrem bej Vlora dhe Mehdi Frashëri, të përmendur për studimet e tyre mbi traditën bektashiane, qenë burra që u takuan nga afër me bektashizmën, të cilën e kuptuan dhe e trajtuan drejt, pa e veshur me “mistere”(në thonjëza). E përsërisim ndër thonjëza fjalën “mistere” sepse, sidomos në studime të të huajve mbi Urdhrin tonë, ndodh të flitet edhe për “mistere” të tilla. Në kuvendimet me të huaj, ne përsërisim shpesh që besimi bektashian, si të gjitha besimet monoteiste, si dhe vetë islami në përgjithësi, sigurisht, që ka edhe mistikën e vet. U rekomandojmë, për shembull, të lexojnë një vepër madhore, trashëgim nga njëri prej mësuesve tanë me emër të nderuar, Baba Rexhebit, me titull “Mistiçizma islame dhe bektashizma”, tanimë edhe në botimin anglisht. Po kështu, edhe prej veprës “Bektashinjtë shqiptarë” të albanologut Robert Elsie, mik i ndjerë i komunitetit tonë,– vepër që edhe z. Kryeministër e ka rekomanduar, – lexuesit mund të pasurohen me informacione të vyera.

Për ç’i takon historisë së bektashizmës, dhe veçanërisht të Urdhrit Bektashian në Shqipëri, kam bindjen që ne në kohën tonë kemi ndjekur rrugën e duhur: duke ftuar për të folur në veprimtaritë tona shkencore, por edhe në ato përkujtimore si kjo, historianët. Kështu po veprojmë edhe sot, dhe ne u falemi nderit historianëve që na kanë nderuar për të folur këtu. Historia është shkencë dhe fjala e historianëve është fjalë e shkencës. Kur besimi ynë pajton me fjalën e shkencës, është rast fatlum i dhënë prej Zotit. Por, edhe kur fjala e shkencës mund të mos pajtojë me besimin tonë, ne duhet të mësohemi ta respektojmë autonominë e shkencave.

E vetmja “ndërhyrje historike”, po e quajmë kështu, që duam të bëjmë në këtë përshëndetje është një përkujtim, të cilin e ndjejmë detyrë në ceremoni si kjo, i kontributit atdhetar të bektashinjve shqiptarë. Në të gjitha rrethanat e vështira – për të mos thënë të mbrapshta – të Shqipërisë sonë, bektashinjtë shqiptarë iu vunë Shqipërisë në shërbim, deri duke luftuar e duke u flijuar për të: që nga Lëvizja e Rilindjes kombëtare me Abdyl Frashërin dhe vëllezërit e tij me emra të mëdhenj, deri te Pavarësia e Shqipërisë me Ismail Qemalin dhe të tjera figura historike që nënshkruan me emrat e tyre aktin e shpalljes së Pavarësisë.
Ata vazhduan kontributin e tyre dhe pas shpalljes së Pavarësisë, e cila vazhdoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në çlirimin e vendit, duke mos u ndalur deri në momentin e ndalimit të fesë në vend.
Me shumë rëndësi është të përkujtojmë sot Dedelerët që kanë udhëhequr Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Shqipëri, që me ardhjen për herë të parë të Sali Njazi Dede Kryegjysh me shtetësi Shqiptare i cili hapi Qëndrën Botërore dhe bëri organizmin e bektashinjve, duke ruajtur marrëdhëniet me të gjithë botën, ra dëshmor i atdheut me 28.11.1941 , duke mos pranuar pushtimin e Shqiperise nga Italia. Pas vrasjes se tij , ne krye të bektashizmit u zgjodh Ali Riza Dede , fill pas tij, Xhaferr Sadik Dede, Dede Kamber Prishta , i cili u persekutua dhe internua deri ne kalimin nga jeta në burg në komunizem, mandej Abaz Ilmi Dede, i cili kaloi nga jeta për të ruajtur dritën e bektashizmit të papërlyer. Dede Ahmet Myftari , në një kohë shumë të vështire të diktaturës arriti të mbaj ndezur dritën e besimit bektashian. Edhe pse të persekutuar dhe internuar ne fshatrat e Mallakastres , deri ne 1980 me kalimin e tij nga jeta i la dekretin e Shenjte Dede Reshat Bardhit , i cili me shume mundime i rezistoi sistemit komunist dhe arriti te ringrejë nga hiçi Kryegjyshaten dhe te gjitha teqet e tyrbet anë e mbanë Shqipërisë.
Pikërisht për figura me kontribute të tilla, që këtu i përmenda vetëm kalimthi, na ka qëlluar që vizitorë të brezit të ri në Selinë tonë të Shenjtë të bëjnë pyetjen: “Ishin atdhetarë sepse ishin bektashinj? Apo ishin bektashinj sepse ishin atdhetarë? ”
Është një pyetje që, me shumë gjasë, bëhet edhe për figura atdhetarësh me kontribute të dalluara atdhetarie të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri. Vizitorëve tanë, që mund t’u përkasin besimeve të ndryshme, ne ua shpjegojmë këtë mrekulli të Zotit me njërin nga mësimet e Naimit:
“[Bektashitë] duanë si shpirtin e tyre dhe të tjerëtë myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mir’ e bukurë me gjithë njerëzinë. Po më shumë duan mëmëdhenë edhe mëmëdhetarëtë, dhe kjo është më e mirë nga gjithë të miratë”.
Të nderuar miq,
të dashur vëllezër,
Ne e përkujtojmë këtë përvjetor të shenjtë nën dy shenja të mbara të fillimit të këtij viti. Nga njëra anë, takimi ynë historik me Shenjtërinë e Tij, papën Françesk, në një kuvendim vëllazëror që pati për kryefjalë paqen dhe harmoninë mes besimeve. Nga ana tjetër, përurimi i fillimit të detyrës nga presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump, në fjalimin përurues të të cilit paqja dhe harmonia midis popujve të botës qenë gjithashtu fjalë kryesore. Për komunitetin tonë bektashian, kryefjalë të tilla, ne i konsiderojmë mesazhe të shenjta, të dërguara nga Zoti.
Ne shpresojmë që një vit i filluar nën këto shenja të jetë edhe vit i përmbushjes, i plotësimit të një domosdoje të hershme të Komunitetit tonë: stabilizimit të statusit juridik ndërkombëtar të Urdhrit Bektashian dhe Kryegjyshatës Botërore të tij. Ne i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë shqiptare dhe personalisht kreut të saj,z. Edi Rama, që është treguar i vëmendshëm e i ndjeshëm ndaj kësaj domosdoje, duke ofruar mundësi për një zgjidhje sa më të përshtatshme për statusin në fjalë. Stabilizimi i mundshëm i një statusi juridik ndërkombëtar të Urdhrit Bektashian dhe të Kryegjyshatës Botërore të tij , do të kuptohej prej nesh jo vetëm si një dëshmi më shumë mirëkuptimi nga ana e shtetit shqiptar ndaj komunitetit tonë, por edhe si një faktor i ri për forcimin e mirëkuptimit e të harmonisë mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri e në botë. Madje, për forcimin e mirëkuptimit e të harmonisë, edhe me një tjetër komunitet, të cilin ndodh ta harrojmë, atë të jobesimtarëve, komunitet të cilin ne gjithashtu e respektojmë, sikundër presim edhe prej tij respekt të ndërsjellë.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!

Fotot: Nuri ÇUMANI