Nëpërmjet një mesazhi, për 7 Marsin, ‘Ditën e Mësuesit’, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, u uron shëndet, jetëgjatësi dhe bekon të gjithë pjesëmarrësit e armatës së dijes e kulturës, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm, për edukimin e brezave me dashurinë jetësore për gjuhën e bukur shqipe e identitetin kombëtar. Njëkohësisht, Kryegjyshi Botëror, me këtë rast, evidenton vështirësitë dhe bukuritë e misionit të tyre fisnik, duke bërë njëkohësisht apel që strukturat shtetërore e mbarë shoqëria, të bëjnë gjithçka për mbështetjen e tyre në këtë mision fisnik.
Në mesazhin e tij, Dede Edmond Brahimaj, thekson: “… Me 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, uroj e bekoj gjithë armatën e arsimtarëve, për më shumë dashuri e harmoni, për më shumë dashuri e përkushtim, në misionin e tyre. 7 Marsi na ngjall të gjithëve ndjesinë e mrekullueshme të respektit më të thellë për veprën e mësuesve tanë. Sakrifica e tyre në vite, për përcjelljen e dijeve, në edukimin e brezave, është shndërruar në frymëmarrje të lirive dhe aspiratave të ëndërruara. Personalisht, simbolika e kësaj dite, më lidh akoma më shumë me historinë 800-vjeçare të bektashizmit. Pa më të voglën mëdyshje, në vargun e gjatë dhe të lavdishëm të mësuesve, unë do të renditja edhe qindra klerikë bektashianë, të cilët i shndërruan teqetë e tyre në vatra të dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe.
Së bashku me shpresën tek Zoti i Madh, ata ushqyen breza të tërë, me dashurinë për Atdheun dhe shenjtërinë e lirisë. Roli i mësuesve, veçanërisht në këto kohë të vështira që po kalon vendi ynë dhe bota e trazuar, bëhet më i rëndësishëm, për paqëtimin e shpirtrave, për harmoni e dashuri, për apel për paqe e larg ndjenjës së luftës. Njëkohësisht, bëj apel gjithë strukturave shtetërore e shoqërore, që të vlerësojnë e nderojnë mësuesit, të krijojnë kushte sa më të mira për përmbushjen e misionit të mësuesve. Nder dhe respekt të veçantë, mësuesve të djeshëm dhe të sotmëve. Zoti i bekoftë të gjithë ata që shpërndajnë së bashku me dritën e diturisë edhe paqen e shpirtrave! Pashi shëndet, dashuri e lumturi në familjet tuaja!”