SOT, 138-VJETORI I LINDJES SË ABAZ ILMI DEDE, ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN

Të enjtjen e 13 mars 2025, është ditëlindja e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Ilmi Dede.
Kjo ditë përkujtohet tradicionalisht nga bektashinjtë kudo që janë, në Shqipëri e nëpër botë, nëpërmjet riteve tradicionale e aktiviteteve të ndryshme. “…Kjo është një ditë e shënuar për ne, ditë në të cilën përkujtojmë e nderojmë ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Abaz Ilmi Dede, kontributin e tij fetar e atdhetar në disa treva të vendit e jashtë tij, sidomos në periudhën gusht 1945-mars 1947, periudhën në të cilin ai ishte Kryegjysh Botëror. Krahas të tjerave, ne rikujtojmë kontributin e këtij kleriku në mbrojtjen e vendit nga andartët grek në vitin 1914, pjesëmarrjen në Luftën e Vlorës më 1920 dhe ngritjen e së parës shkollë shqipe në vitin 1920, në Dëshnicë..”- pohon ndër të tjera Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Abazi Ilmi Dede, ish-Kryegjyshi Botëror Baktashian, lindi më 13 mars 1887 në fshatin Mërtinj të rrethit Përmet nga një familje bektashiane, me mbiemrin Elezaj. Fëmijërinë, deri në moshën 17 vjeç e kaloi në fshatin e lindjes. Që në moshë të re kish një dashuri të veçantë për Zotin. Shumë shpejt, nga familja dhe të afërmit, u njoh nëpër vizitat e ndryshme në teqenë e Këlcyrës, Hasan Dede, Sukës, Përmetit, Frashërit, Prishtës , Kiçokut, Gllavës etj. Iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. Rreth viteve 1907, u vesh dervish së bashku me dervish Ali Turabiu në teqenë e Prishtës, ku morën dorë te baba Shabani. Ka bërë studime fetare për pesë vjet në Egjipt së bashku me dervish Aliun dhe u kthye në Shqipëri në vitet 1918. Ai shërbeu si dervish në teqenë e Prishtës, Sukës, Frashërit. Në luftën e vitit 1914 së bashku me Kamber Bënjën ka luftuar kundër andartëve grekë. Ngriti shkollën e parë shqipe më 1920 në fshatin e tij, në zonën e Dëshnicës. Ka marrë pjesë në luftën e Vlorës në vitin 1920. Jeta e tij dhe vështirësitë, kudo që shërbeu e formuan si klerik i aftë dhe organizator, ku u dallua për çështjen e atdheut në ndihmë të luftës antifashiste. Në gusht të vitit 1945, për meritat dhe punën e vyer që kish bërë, Këshilli i Lartë Gjyshnor, e zgjodhi në postin e lartë të Hynqarit, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, të cilën e drejtoi më së miri deri në mars të vitit 1947. Për çështje të mbrojtjes së doktrinës bektashiane, parime dhe normat e saj, mbas shumë debatesh dhe i ndodhur në rrethana të vështira të këtyre viteve u vetësakrifikua, më 18 mars, 1947.

Përgatiti:
XH. ÇULLHAJ