Mbrëmjen e së shtunës, 15 mars 2025, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në kuadër të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, shtroi një darkë-iftar, në mjediset e Odeonit, në Selinë e Shenjtë në Tiranë. Krahas besimtarëve bektashinj, dervishë e baballarë, drejtuesve të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, merrnin pjesë dhe Kryetarja e Kuvendit Popullor, z. Elisa Spiropali, ministra, deputetë, drejtues e përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërorë e vendorë etj…
Kryegjyshi Botëror Bektashian, që drejtoi ritet e këtij iftari, i përshëndeti, uroi e bekoi të pranishmit e familjarët e tyre, duke u uruar një agjërim të lehtë, shëndet, mirësi e paqe.
Një surprizë e veçantë e Kryegjyshit, ishte përgatitja e një torte dhe urimi i veçantë për Kryeparlamentaren Elisa Spiropali, që në këtë ditë, 15 mars, kishte ditëlindjen e saj. Në urim, mes të tjerave Dede Mondi tha: “Të bëhesh 100 vjeç, të jesh e ëmbël dhe të na nxjerrësh ligje të ëmbla.”
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Në emër të Zotit , Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
E nderuar Kryetare e Kuvendit Znj. Spiropali,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar Krerë dhe përfaqësues të Komuniteteve fetare në Shqipëri,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë,
Të nderuar Klerikë bektashinj, besimtarë dhe agjërues të këtij muaj të shenjtë të Ramazanit.
Jam i nderuar që sot ndajmë bashkë këtë darkë iftari, në vijimësinë e Iftareve që shtroni me familjarët , miqtë , të afërmit dhe dashamirësit , secili prej jush.
Iftari është një moment bashkimi , dhe shkëmbimi mendimesh midis nesh, dashamirësie dhe meditimi për pastrimin shpirtëror. Ramazani konsiderohet si një nga muajt më të shenjtë të vitit për myslimanët. Në Ramazan, myslimanët përkujtojnë shpalljen e Kuranit dhe agjërojnë, si një mënyrë për t’u afruar më shumë me Zotin dhe për të kultivuar vetëkontroll, mirënjohje dhe dhembshuri për ata që kanë më pak fat e që janë nevojtarë. Ramazani është një muaj i përtëritjes intensive shpirtërore me një fokus të shtuar në përkushtim ndaj vetes , familjes dhe misionit që kanë në jetë.
Për ne muslimanët, Ramazani është një kohë për të stërvitur veten si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht duke shmangur çdo veprim negativ si thashethemet, përgojimet, gënjeshtrat ose grindjet. E mirëpresim Ramazanin si një mundësi për vetë-reflektim dhe përmirësim shpirtëror, dhe si një mjet për t’u rritur në përsosmëri morale.
“Agjërimi nuk është vetëm të përmbahemi nga ngrënia dhe pirja. Kur agjëroni, gjuha juaj duhet të përmbahet nga të folurit gënjeshtra, duart dhe gjymtyrët tuaja duhet të përmbahen nga veprat e këqija, veshët tuaj duhet të përmbahen nga dëgjimi i shpifjeve dhe thashethemeve dhe sytë tuaj duhet të shmangin shikimin e turpësisë.” – Imam Aliu.
Qëllimi i agjërimit është fitimi i vetëdijes më të madhe për Zotin. Nga kjo vetëdije, një person duhet të fitojë disiplinë, vetëpërmbajtje dhe një nxitje më të madhe për të bërë mirë dhe për të shmangur gabimet.
Uroj që muaj i Shenjtë i Ramazanit të sjellë paqe, dashuri dhe harmoni për të gjithë! Bekimet hyjnore të këtij muaji të Shenjtë t’ju sjellin juve dhe familjes suaj shëndet, begati dhe qetësi, dashuri, dritë dhe harmoni . Duke ju uruar forcë dhe durim gjatë respektimit të këtij muaji të shenjtë. Besimi juaj u forcoftë çdo ditë që kalon! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!
Fotot: Nuri ÇUMANI