BEKTASHIZMI NË FOKUSIN E AKADEMIKËVE NDËRKOMBËTARË: MESAZH PAQEJE NGA SELIA E SHENJTË

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj priti në një takim të veçantë në Selinë e Shenjtë një delegacion ndërkombëtar akademikësh, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një programi të bashkëpunimit Erasmus+.
Delegacioni, i përbërë nga studiues, pedagogë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare nga Gjermania, Austria, Spanja dhe Malajzia, shfaqi interes të veçantë për njohjen më të thelluar të bektashizmit, historisë së tij dhe rolit të rëndësishëm që Selia e Shenjtë ka luajtur në promovimin e harmonisë dhe marrëdhënieve ndërfetare.
Vizita zhvillohet në kuadër të projektit ndërkombëtar “Përballja me Sfidat Globale: Edukimi për Mjedisin dhe Paqen nëpërmjet Bashkëpunimit Ndërfetar në Trajnimin e Mësuesve të Fesë”, një nismë që synon të forcojë bashkëpunimin akademik dhe të rrisë ndërgjegjësimin për çështje jetike si mjedisi dhe paqja globale përmes edukimit ndërfetar.
Ky projekt përfaqëson një partneritet të frytshëm mes pesë universiteteve të njohura ndërkombëtare:
-Kolegji Universitar Bedër, Shqipëri
-Universitat Internacional de Catalunya (UIC Barcelona), Spanjë
-Universität Augsburg, Gjermani
-International Islamic University Malaysia (IIUM), Malajzi
-KPH Wien/Krems – Kirchliche Pädagogische Hochschule Wien, Austri
Takimi në Selinë e Shenjtë u vlerësua nga të pranishmit si një mundësi unike për të njohur nga afër një prej traditave më të vjetra dhe paqësore të fesë islame – bektashizmin – si dhe për të reflektuar mbi rolin e bashkëjetesës fetare në promovimin e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm global.