BEKTASHIZMI NË FOKUSIN AKADEMIK: VIZITA E PROFESORIT NORVEGJEZ RAKOPULOS NË KRYEGJYSHATË

Tiranë, 28 prill 2025 – Në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj zhvilloi sot një takim të veçantë me profesorin e njohur të Antropologjisë Sociale në Universitetin e Oslos, Norvegji, z. Theodhoros Rakopulos.

Ky takim, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë, kishte në qendër diskutime të thelluara mbi fenë, historinë dhe të ardhmen e bektashizmit, si dhe marrëdhëniet e bektashinjve me format e tjera të Islamit. Profesori Rakopulos, i cili është duke përgatitur një libër studimor për Bektashinjtë e Ballkanit, u interesua posaçërisht për rolin e Kryegjyshatës në ruajtjen dhe promovimin e vlerave bektashiane, si dhe për sfidat dhe perspektivat e komunitetit në kontekstin bashkëkohor.

Gjatë bisedës, u trajtuan edhe çështje të rëndësishme që lidhen me natyrën e adhurimit në traditën bektashiane, zhvillimin historik të këtij tarikati në rajon, dhe marrëdhëniet e tij me komunitete të tjera fetare. Kryegjyshi vuri në dukje vlerat universale të bektashizmit, të bazuara në dashurinë, paqen dhe respektin për njerëzimin, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe të bashkëjetesës paqësore.

Profesori Rakopulos, nga ana e tij, falënderoi Kryegjyshin për mikpritjen dhe informacionin e vlefshëm që ndihmon në pasurimin e studimit të tij akademik. Ai shprehu admirimin për traditën e pasur bektashiane dhe për përpjekjet e Kryegjyshatës për ta ruajtur dhe promovuar atë në kohët moderne.

Ky takim është një tjetër dëshmi e angazhimit të Kryegjyshatës Botërore për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të ndarë trashëgiminë shpirtërore të bektashizmit me botën akademike ndërkombëtare.

Përgatiti: Xh . ÇULLHAJ