Në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në orën 11:00 të ditës së mërkurë, 21 maj 2025, u bë prezantimi i librit “Nefes-Jeta ime”, i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Të pranishëm ishin klerikë bektashian nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, klerikë të besimeve të tjerë fetarë, teologë, historianë dhe dashamirës të shumtë. Prezantimi u bë nga aktori i njohur Bujar Asqeriu. Pas shoqërimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe Himnit Bektashian, Prof. Dr. Ethem Ruka, bëri një prezantim të shkurtër të librit të Dede Edmond Brahimajt. Pati gjithashtu dhe interpretime nga aktorë dhe diskutime nga pjesëmarrës të tjerë. Dede Edmond Brahimaj, falënderoi të pranishmit e pranishëm në këtë aktivitet.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Në emër të Zotit , Mëshiruesit, Mëshirëbërësit,
Të nderuar klerikë dhe ju dashamirës të mij dhe bektashizmit,
Të nderuar besimtarë, miq të ftuar,
Jam shumë i nderuar që sot ndaj me ju një punë disamujore të përgatitjes dhe botimit të librit ” Nefes” Jeta ime. Një autobiografi e përmbledhur shkurtimisht me ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënjuar fëmijërinë, adoleshencën, formimin profesional e më tej përkushtimit ndaj misionit tim si klerik.
I jam mirënjohës dhe falenderues bashkëpunëtorëve të mi që më ndihmuan t’i hidhja në letër me shkrim letrar sa më të kuptueshëm për lexuesin duke redaktuar të gjitha ngjarjet me rëndësi në jetën time, në mënyrë që gjithë besimtarët të kuptojnë se vështirësitë , sakrificat, e jetës por dashuria e madhe ndaj Zotit më kanë sjellë deri këtu ku jam sot. Mësimet nga e kaluara dhe njerëzit me potencë shpirtërore dhe mendore që më kanë rrethuar kanë ndërtuar tek unë njeriun që jam sot.
Falenderime për Prof. Bardhosh Gaçe që me aq profesionalizëm skicoi me mjeshtëri parathënien e këtij libri.
Jam lindur dhe rritur nga dy prindër besimtarë e të përkushtuar ndaj bektashizmit, që në fëmijërinë time kanë dashur që çdo vepër të ketë vlerë, e çdo vlerë të burojë nga rrënjët e bektashizmit. Ndikimi i Dede Reshat Bardhit e Dede Ahmetit kanë qënë një ogur e uratë që të mësoj prej tyre e në të ardhmen të ndjek gjurmët e tyre.
Ndarja nga jeta e njerëzve më të dashur, gjyshërve, motrës sime të vogël Linditës, babait tim Hysenit, myrshidit tim të dashur Dede Reshat Bardhit e deri para pak muajsh nënës sime të shtrenjtë, më kanë lënduar thellë në shpirt por ka qënë forca e besimit që më ka bërë të vazhdoj përpara në misionin tim të shenjtë e mistik të udhëhequr nga Zoti.
Zoti dhe këta shenjtorë që kanë luftuar për bektashizmin , që ky tarikat të jetë ai që është sot, i njohur në të gjithë botën, kanë qenë ndihma ime në çdo vepër të kryer në të mirë të njerëzimit e besimit.14 vjet në postin e Kryegjyshit, sfidat, mundimet, e përpjekjet e vazhdueshme që bektashizmi në lulëzojë në zemrat e besimtarëve lirisht, si një besim i palëkundur përballë vështirësive që sjell koha.
Ju jam falenderues të gjithë ju, vëllezër e motra që vazhdoni të më mbështesni shpirtërisht, në misionin tim , Zoti ju shpërbleftë çdo përpjekje, mund e sakrificë.
” Nefes” vjen si një melodi shpirti, ku lexuesi do të ndjejë e përjetojë ndjesitë e fazave jetësore të ndryshme në të cilat kam kaluar, nga fëmijëria, e mandej rinia, universiteti i Akademisë së sigurisë e ai i jurisprudencës , rrugëtimi në misionin e klerikut nga Dervish, baba, Kryegjysh Botëror, deri sot, që mbushen plot 66 vjet të jetës sime. Dëshiroj që në përfundim të leximit të këtij libri të kuptoni rëndësinë e të jetuarit, dhe veprat e mira që secili duhet të bëjë, sepse kjo është një botë tranzitore e përkohshme , të gjithë jemi udhëtarë që do zbresim diku në një stacion , ndaj mesazhi im është “Punoni për një jetë më të mirë sikur do të jetoni përgjithmonë, dhe punoni për një fund më të mirë sikur e nesërmja është dita e fundit e jetës.”
Falenderime për pjesmarrjen tuaj dhe bekime për familjet tuaja,
Zoti i Lartë qoftë me të gjithë ne!
Amin!
PREZANTIMI, NGA PROF. DR. ETHEM RUKA
Fort i nderuar Baba Mondi! U gëzova shumë kur mësova për botimin tuaj, “Nefes – Jeta ime”. Ky rrëfim, nuk është thjesht një autobiografi, por një udhëtim shpirtëror i rrallë që nis nga një
derë bujare në Brataj të Vlorës dhe përfundon në lartësitë e shenjta të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë. Fjala “nefes”, megjithëse e shkurtër në shqiptim, është e pasur në kuptime dhe thellësi. E huazuar nga arabishtja, që do të thotë “frymë”, ajo përçon më shumë se një funksion biologjik. Në traditën bektashiane, nefesi është lutje, meditim, është poezi shpirtërore që nuk këndohet me zë, por me shpirt. Në këtë kuptim, “nefes” nuk është vetëm një fjalë, është një mënyrë për të kuptuar thelbin e jetës dhe praninë e shenjtë në çdo frymëmarrje. Pikërisht mbi këto parime është ndërtuar edhe jeta e Baba Mondit, e udhëhequr me përkushtim ndaj idealeve të larta.
Të rrëfesh jetën nuk është vetëm një akt kujtese, por një mision: për të lidhur të shkuarën me të tashmen dhe për t’i dhënë asaj qëndrueshmëri në kohë. Përmes këtij botimi, autori na kthen te rrënjët, te fëmijëria, prindërit, fshati, kujtimet, mbi të gjitha na bën të kuptojmë se, sado larg të ecim, gjithmonë do të kemi nevojë të flasësh për veten kërkon guxim, por është një guxim i bekuar. Siç thotë një fjalë e urtë: “Boja e hedhur mbi letër, sado e zbehtë, është më e fortë se kujtesa më e mprehtë.” Ju keni rrëfyer me ndershmëri, përulësi dhe dashuri të thellë për rrugëtimin tuaj, për familjen, të afërmit, miqtë, për udhëheqësit shpirtërorë, për besimin bektashian, e mbi të gjitha për atdheun.
Ajo që na keni rrëfyer dëshmon se nuk ishte rastësi që një ditë do të merrnit përgjegjësinë e lartë si Kryegjyshi i 39-të i Bektashizmit. Ju u edukuat me traditat më të mira të atdhedashurisë dhe me mësimet e shenjta të udhëheqësve tuaj shpirtërorë, Dede Ahmetit dhe Dede Reshat Bardhit. Të rrëfesh është një akt sublim. Dhe rrëfimet janë nga më të ndryshmet. Ju, si edhe shumë të tjerë, zgjodhët rrëfimin letrar – një rrëfim aq i vërtetë sa edhe lutjet që bëni në çdo frymëmarrje për të folur drejtpërdrejt me Zotin. Botimi “Nefes – Jeta ime” rrjedh me një gjuhë mjalti, ku tregimtari nuk është një shtegtar i vetmuar që kërkon të skulpturojë veten, por përfaqësues i një brezi, i një kohe dhe i rrethanave të caktuara. Është historia e një kohe të vështirë, një përshkrim i mallëngjyeshëm për vitet e lëna pas, për gurët e vatanit në Brataj, për shokët e fëmijërisë, për skënderbegasit, për udhëheqësit shpirtërorë, për rrugën e vështirë të bektashizmit, por edhe për figura të ndritura që keni takuar, si Dalai Lama dhe Papa Françesku. Ju na keni treguar se edhe në vitet e errëta të diktaturës, kur feja u përndoq, shpirti bektashian nuk u shua. Në Brataj si kudo, edhe pse në heshtje, ritet vazhduan. Fryma mbeti gjallë. E sapo besimi mori sërish frymë në vitin 1991, Baba Mondi trokiti në dyert e Kryegjyshatës, ku do të vendoste themelet e një udhëtimi të ri, të bekuar dhe të suksesshëm. Në këtë botim, ju na keni treguar edhe njëherë për bektashizmin shqiptar, për rrënjët dhe rilindjen e tij, për misionin në forcimin e identitetit kombëtar dhe për bashkëjetesën ndërfetare që ai ka kultivuar ndër shekuj. Bektashizmi është një frymë që ka folur gjithmonë shqip si në emër të Zotit edhe të kombit. Baba Mondi është vazhduesi i kësaj fryme: një misionar i dialogut, një ripërtëritës i shpirtit bektashian, një dëshmitar i rrallë i një epoke të ndërlikuar dhe i një përkushtimi të palëkundur. Ai ka ndjekur me përulësi porosinë e Profetit Muhamed: “Më i miri nga ju është ai që u sjell dobi njerëzve.” Të ringjallësh nga rrënojat një besim nuk është një detyrë e lehtë. Por Baba Mondi, në gjurmët e Dede Reshat Bardhit, me përkushtim, përulësi dhe dashuri, ja ka dalë. Dhe për këtë meriton mirënjohje të thellë. “Verba volant, scripta manent” – “Fjalët fluturojnë, shkrimi mbeteť, thoshin latinët. Këtë ka bërë edhe Baba Mondi: ka shkruar që fshesa e harresës të mos e përgjumë jetën dhe kontributin e tij. Por ai ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar, ndaj duket sikur është rrëfyer para kohe. E nesërmja do të sjellë përjetime dhe mësime të reja, dhe ai do të jetë i detyruar të rrëfehet sërish.
I nderuar që mu dha rasti të them disa fjalë në këtë ngjarje të rëndësishme, më lejoni t’i uroj Kryegjyshit të Bektashizmit, Baba Mondit, jetë sa më të gjatë dhe sa më shumë devocion në misionin e tij shpirtëror. Le t’i urojmë edhe vetë botimin “Nefes – Jeta ime”, një rrugëtim të suksesshëm deri në duart dhe zemrat e lexuesve. Sepse, siç thuhet me të drejtë: autori, sapo libri del nga shtypi ka mbaruar punë, më tej ai është pronë e lexuesve. Faleminderit!
Fotot: Nuri ÇUMANI