162 VJET NGA THEMELIMI I TEQESË SË BACKËS-SKRAPAR

Ditën e premte, 20 qershor 2025, u përkujtua 162-vjetori i themelimit të Teqesë së Backës, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore e kombëtare në vendin tonë. Kjo teqe bektashiane, që ngrihet në juglindje të Skraparit, në fshatin kufitar Backë, ka qenë ndër shekuj një vatër e dritës shpirtërore, një qendër përhapjeje të mësimeve të Haxhi Bektash Veliut, por edhe një shkollë e heshtur për gjuhën shqipe, arsimin dhe ndërgjegjen kombëtare.
Në këtë përvjetor, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, thekson:
“Teqeja e Backës ka qenë dhe mbetet një objekt i rëndësishëm kulti, jo vetëm për besimtarët e Skraparit, por shumë më gjerë. Aktiviteti i saj ndër breza, është një nga shembujt më të ndritur për kontributin që ka dhënë në historinë tetë shekullore të besimit tonë të paqtë, në aspektin fetar e atdhetar.”
Nga themelimi në shekullin XIX, te ringritja në shekullin XXI
Sipas mbishkrimit osmanisht, kjo teqe është ndërtuar rreth vitit 1863 nga kleriku i njohur, baba Fetahu. Megjithatë, të dhënat historike dëshmojnë se një teqe më e hershme ka ekzistuar para vitit 1800, ku shërbente dervish Brahimi nga lagjja e Koromanëve të fshatit.
Gjatë periudhave më të vështira të historisë sonë, Teqeja e Backës ka qenë një vatër e lëvizjes kombëtare: këtu janë përhapur librat e Naimit, është mësuar shqipja dhe janë ndezur shpresat e një kombi që kërkonte dritë nëpër errësirat e robërisë. Ajo u dogj më 1914 nga andartët grekë, por u rindërtua në vitin 1918, duke dëshmuar qëndresën e besimit dhe të traditës.
Arkitekturë monumentale me vlera të rralla kombëtare
Teqeja e Backës përfaqëson një ndër shembujt më të bukur të arkitekturës monumentale në Shqipërinë e Jugut. Me kolonat, arkadat, kupolat dhe relievet e gdhendura me figura zoomorfe dhe floreale, ajo pasqyron mjeshtërinë ndërtimore të kohës dhe frymën shpirtërore që e ka ndërtuar. Në hyrjen e saj, qëndron e skalitur shqiponja dykrenare – simbol i krenarisë dhe i vetëdijes kombëtare.
Klerikët që mbajtën të gjallë dritën e kësaj teqeje
Në këtë teqe kanë shërbyer dhjetëra klerikë të përkushtuar ndër vite: dervish Brahim Koromani, baba Fetahu, dervish Veli Pajaziti (1863–1902), baba Mestani (1926), baba Sali Kajmaku, dervish Veli Agushi, dervish Demir Orhani, dervish Rexhep Ademi, dervish Feim Ademi, dervish Bedri Hebip, baba Muço Panariti, dervish Hasan Hysi, baba Ahmet Prishta, dervish Hajro dhe baba Neshat Koromani.
Si shumë institucione të tjera fetare, edhe kjo teqe u mbyll më 1967. Por pas vitit 1998, nisi rrugëtimi i saj i ringjalljes. Fillimisht, me ndihmën e vëllezërve Ibro, u rindërtuan disa dhoma. Në vitin 2019, nën kujdesin e Gjyshatës Bektashiane të Skraparit, u realizua një rikonstruksion i plotë, duke i dhënë jetën e merituar këtij monumenti të rrallë të kulturës dhe besimit. Në vitin 2020, u vendos me nderim busti në bronz i baba Fetahut, themeluesit të kësaj vatre të shenjtë.
Monument Kulture i mbrojtur nga shteti shqiptar
Me vendim zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, nr. 1886, datë 10.06.1973, Teqeja e Backës është shpallur Monument Kulture, duke u futur në fondin e trashëgimisë së çmuar kombëtare që duhet ruajtur me përkushtim.
Sot, në përvjetorin e 162-të të kësaj teqeje, përulemi me nderim para kujtimit të klerikëve që i dhanë jetë e lavdi, dhe angazhohemi të ruajmë me përkushtim këtë simbol të shenjtë të paqes, dijes dhe identitetit kombëtar.

Përgatiti: Xh. CULLHAJ