SOT FILLUAM MATEMIN – NJË UDHËTIM SHPIRTËROR DREJT PASTRIMIT, PËRKUSHTIMIT DHE DASHURISË HYJNORE

Më 27 qershor 2025, besimtarët bektashianë në mbarë botën hynë në muajin e shenjtë të Matemit, një periudhë reflektimi, vetëdisipline dhe thellimi shpirtëror. Matemi nuk është thjesht një agjërim trupor, por një përkushtim i zemrës dhe mendjes ndaj vlerave më të larta të fesë dhe njerëzimit – dashurisë, drejtësisë, sakrificës dhe dhembshurisë.
Ky muaj na kujton sakrificën sublime të Imam Hyseinit (a.s.) dhe dritën e pathyeshme të së vërtetës që ai përfaqëson. Është një kohë për të ndalur, për të medituar dhe për të forcuar lidhjen tonë me Zotin dhe me të tjerët.
Në këtë ditë të shënuar, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në mesazhin e tij të urimit, u shpreh:
“Zoti e pranoftë matemin e çdo bektashiu dhe të çdo njeriu me zemër të pastër që hyn në këtë rrugë të shenjtë. Qoftë ky muaj bekim për të gjitha familjet, për shoqërinë tonë dhe për paqen në mbarë botën.”
Le të jetë ky Matem një dritë udhëzuese për të gjithë ne, në përpjekjen për të qenë më të mirë me veten, me të tjerët dhe me Zotin.

Përgatiti: Xh. CULLHAJ