ZHVILLOHET NË SELINË E SHENJTË TË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE NË TIRANË, CEREMONIA E ASHURES

Që në orët e pra të mëngjesin të ditës së martë, 8 korrik 2025, qindra besimtarë, klerikë bektashianë e të besimeve të tjerë fetarë e personalitete, ishin në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ku u zhvillua ceremonia tradicionale e Ashures, që u organizua pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë. Kjo ceremoni, u përgatit nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili udhëhoqi dhe ritet e kësaj dite të shenjtë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm besimtarë e dashamirës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore dhe komunitete bektashinjsh të ardhur nga vende të ndryshme, personaliteteve të lartë të institucioneve shtetërore në vend dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Ndër personalitetet e pranishëm ishin dhe: Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve të Republikës së Shqipërisë; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu; Prefekti i Tiranës; Kryetari i tarikatit Kadri; nga Tarikati Rufai; nga Kisha Orthodokse e Shqipërisë; nga Kisha Katolike e Shqipërisë; Ambasadori i Kosovës; nga e Japonisë; nga Ambasada e Ukrainës; nga Ambasada e Brazilit; nga Ambasada e Hungarisë etj…
Ritet e ceremonisë, i drejtoi Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Kryegjyshi i uroi e bekoi të pranishmit në këtë festë, duke shtruar dhe apelin, që ‘të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton këtë periudhë’. Aktorët e njohur Dritan Boriçi dhe Bujar Asqeriu, recituan pjesë nqa Qerbelaja, ndërsa tenori i njohur Kastriot Tusha interpretoi dy këngë bektashiane.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, në përshëndetjen e Tij, theksoi: “Në emër të Zotit Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar klerik, të pranishëm, përfaqësues të misionit diplomatik në Shqipëri, besimtarë bektashinj! Sot kremtojmë ditën e Ashures, pas dhjetë ditëve të argjërimit të matemit, në nder të 72 dëshmorëve të rënë në fushën e Qerbelasë, Muajin e Muharremit si muajin e parë të kalendarit Islamik dhe ditën e Ashures si ditën e 10 të Muajit të Muharremit. Është një ditë e veçantë për të gjithë bektashinjtë anë e mbanë botës , përkujtimi dhe domethënia e kësaj ëmbëlsire të përmotshme që shtëpia e çdo besimtari bektashi e jo vetëm , e praktikon. Profeti (paqja qoftë mbi të), na tregon se Muharremi është një muaj i shenjtë, dhe si i tillë, mëkatet e kryera gjatë Muharremit peshohen shumë më rëndë se çdo herë tjetër dhe veprat e mira shpërblehen më bujarisht. Ai na inkurajoi të agjërojmë brenda Muharremit, siç bëri vetë, duke promovuar virtytin e këtij muaji. Gjatë Muharremit ne nderojmë sakrificën e Imam Huseinit, i cili ra për drejtësi dhe përpjekjet që ai kaloi për të hapur rrugën për ndryshim drejt së vërtetës dhe demokracisë. Çdo burim uji, toka, bimësia, e çfarë ka krijuar Zoti është e Shenjtë e në ndihmë të njerëzimit. “Mos e shpërdoro ujin edhe nëse je pranë një përroi që rrjedh” – Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të), “Sadakaja shuan mëkatin ashtu siç uji shuan zjarrin” – Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të), “Me anë të ujit, ne i japim jetë çdo gjëje” (Kurani 21:30).
Le t’ju frymëzojnë këto citate të Muharremit rreth ujit që të jepni bujarisht këtë muaj dhe sigurohuni që askush të mos vuajë për shkak se i mohohet uji siç bëri dikur Imam Huseini. Ai e mbrojti popullin e tij me trimëri, duke luftuar për drejtësi. Luftoi për të mbrojtur jetën , foshnjat e pafajshme dhe ra me 72 dëshmorë të tjerë sepse qëllimi i tij ishte : “Të reformoj shoqërinë dhe të ringjall mësimet e vërteta të Islamit.” Ishte I palëkundur në udhëtimin e Tij plot sfida drejt demokracisë dhe lirisë së popullit të tij. Për të, vdekja ishte lumturi në krahasim me të jetuarit nën tirani’ që ishte një ferr i vërtetë. Imam Hyseni refuzoi për arsye morale t’i premtonte pushtetin dhe besnikëri kalifit umajad, Jezid ibn Muavije dhe më pas u vra, së bashku me shumicën e të afërmve të tij meshkuj dhe shpurën e tij të vogël, nga ushtria umajade në Betejën e Qerbelasë në Ashuren e vitit 61 pas Hixhretit.
Ditët e Zisë në nder të përkujtimit të Qerbelasë mbyllen sot me këtë ditë të ëmbëlsirës së Ashures si përkujtim i një ngjarje tragjike dhe lufte për mbijetesë, për të na treguar se e vërteta është një dhe e palëkundur, përpjekjet për liri, paqe, prosperitet, demokraci, janë detyrë e sotme, e gjithë secilit prej nesh, në jetën e përditshme, por mbi të gjitha e përfaqësuesve tanë udhëheqësve, për ta drejtuar botën drejt paqes dhe zgjidhjes së konflikteve. Në ditët e sotme, vatrat e konflikteve janë të shumta, por ne lutemi që njerëzimi të gjej paqe, mirësi, të pushohen konfliktet e luftërat, e njerëzimi të eci drejt zhvillimit e demokracisë. Imam Huseini (a.s.) donte që myslimanët të ndiqnin Islamin e vërtetë të Zotit, si babai i tij Imam Aliu (a. s.) dhe gjyshi i tij Profeti Muhamed (s.a.), të cilët ishin modelet për të gjithë myslimanët e vërtetë (pa devijime). Sytë tani sot e çdo ditë duhet të drejtohen drejt lutjeve të sinqerta ndaj Zotit. Sepse shohim se: Disa njerëz e adhurojnë Zotin, duke pasur frikë nga ndëshkimet e Tij. Ky është adhurim i skllevërve. Disa njerëz e adhurojnë Zotin, duke falënderuar bekimet e Tij. Ky është adhurim i personave të lirë dhe superiorë. E disa të tjerë pretendojnë se adhurojnë Zotin por veprimet e tyre çnjerëzore tregojnë se janë nën udhëheqjen e vetë djallit. Kur e pyetën Imam Hysenin (a. s.): Çfarë është varfëria? Ai u përgjigj : “Koprracia , Dëshpërimi”. Kur e pyetën: Çfarë është pasuria? Ai u përgjigj: Të jesh i lumtur me atë që të mjafton dhe të kesh pak dëshira. Mos kërko ndihmë nga askush përveç atij që është fetar, bujar ose me prejardhje fisnike. Ai që është bujar mund të arrijë madhështi dhe ai që është koprrac bëhet i mjerë dhe i përbuzur.”
Personi më bujar është ai që ndihmon të dëshpëruarin, i cili nuk pret asnjë ndihmë nga të tjerët. Garoni për vepra të mira dhe nxitoni të shfrytëzoni mundësitë për vepra të mira.
Në këtë ditë të shënuar përkujtimi, detyra jonë është të ruajmë njerëzimin, vlerat, familjen, virtytet e njeriut, mirëqenien shpirtërore , mendore, dhe mbi çdo gjë jetën, ajo është e Shenjtë, sepse është amaneti i Zotit. Zoti na bekoftë të gjithëve ! Amin!”

Përgatiti: Shelda AGARAI-JANO
Fotot: Nuri ÇUMANI