
Ditën e dielë, 13 korrik 2025, në teqenë e shenjtë të Kulmakut, në malin e bekuar të Tomorrit, u zhvillua ceremonia e Ashures, duke mbledhur një numër të madh besimtarësh dhe pelegrinësh nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë vend të shenjtë të bektashizmit, ku qielli dhe toka duket se bashkohen, u përcollën mesazhe të fuqishme shpirtërore dhe përkushtimi ndaj vlerave të besimit.
Ceremonia u udhëhoq nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili në fjalën e tij theksoi domethënien e Ashures si ditë e sakrificës, qëndresës dhe dashurisë për njerëzimin. “Nga ky mal i shenjtë, le të përcjellim paqe, dashuri dhe drejtësi për të gjithë botën,” tha ai.
Programi u zhvillua me rite fetare, lutje dhe këndime shpirtërore, të ndjekura me përkushtim nga të pranishmit. Si çdo vit, u përgatit dhe u shpërnda ëmbëlsira tradicionale e ashures, e cila simbolizon bashkimin dhe mirësinë mes njerëzve.
Teqeja e Kulmakut në malin e Tomorrit, një nga qendrat më të shenjta të bektashizmit shqiptar, vijon të jetë një vend i pashuar drite dhe frymëzimi për besimtarët dhe ruajtës i një tradite të lashtë që mbart vlera të thella njerëzore.
Përgatiti: Xh. CULLHAJ






