ZHVILLOHET CEREMONIA E ASHURES NË TEQENË E GJAKOVËS, KOSOVË

Më 14 korrik 2025, në Teqenë e Gjakovës u mbajt me solemnitet ceremonia tradicionale e Ashures, duke mbledhur qindra besimtarë dhe dashamirë të bektashizmit nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo ditë e shenjtë u kremtua në frymën e përkushtimit, kujtimit dhe bashkimit shpirtëror, si simbol i sakrificës dhe qëndresës së Imam Hysenit në Qerbela.
Këtë vit, Ashurja përkoi me dy përvjetorë domethënës: 235-vjetorin e themelimit të kësaj teqeje të lashtë dhe 18-vjetorin e rindërtimit të saj pas shkatërrimeve të luftës.
Teqeja e Gjakovës, themeluar në vitin 1790 nga Baba Shemsi, është një nga qendrat më të vjetra e më të rëndësishme të bektashizmit në hapësirën shqiptare. Përveç funksionit të saj fetar, ajo ka qenë ndër shekuj një vatër kulture, arsimi në gjuhën shqipe dhe një pikë e rëndësishme e lëvizieve kombëtare, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Lidhjen e Prizrenit. Rindërtuar në vitin 2007, teqeja vazhdon sot të jetë një qendër aktive shpirtërore për komunitetin bektashi të Kosovës.
Në këtë ngjarje mori pjesë dhe udhëhoqi ritet Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili ishte i asistuar nga dervish Rrauf Radoniqi, i teqesë së Gjakovës. Prania e tyre i dha kësaj dite një peshë të veçantë, duke forcuar lidhjet shpirtërore ndërmjet teqeve dhe besimtarëve në të gjithë hapësirën shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryegjyshi theksoi vlerat e thella që mbart Ashurja: drejtësinë, dashurinë për njerëzimin, qëndresën dhe paqen.
“Teqeja e Gjakovës është një dritare e hapur e shpirtit bektashi dhe dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë shpirtërore,” tha ai.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit vendor, personalitete nga jeta fetare dhe shoqërore e qytetit, të cilët përshëndetën këtë ditë të veçantë dhe vlerësuan rolin e Teqesë në ruajtjen e harmonisë ndërfetare dhe trashëgimisë shpirtërore në qytetin e Gjakovës.
Pas lutjeve dhe këndimeve shpirtërore, u shpërnda ëmbëlsira tradicionale e ashures, një simbol i bashkimit dhe dashurisë që ndan komuniteti në këtë ditë të bekuar. Të rinj e të moshuar, burra e gra, qëndruan së bashku në përulësi dhe devotshmëri përballë teqesë që prej dekadash mban gjallë vlerat e bektashizmit në zemër të Kosovës.
Ashurja në Teqenë e Gjakovës dëshmoi edhe një herë fuqinë e besimit, përkushtimit dhe bashkimit rreth një qëllimi të përbashkët: dashuria për Zotin dhe për njeriun.

Përgatiti: XH. CULLHAJ