
Në fundjavën që shkoi, në një moment të rëndësishëm për kulturën dhe kujtesën kombëtare, në fshatin Menkulas të Devollit janë hedhur themelet e Shtëpisë-Muze kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli.
Me përkushtimin dhe pjesëmarrjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ky projekt përfaqëson një akt nderimi të thellë për figurën e ndritur të letrave shqipe, i cili ndër vite ka qenë jo vetëm një zë i fuqishëm i mendimit dhe ndjenjës shqiptare, por edhe një shpirt i lidhur ngushtë me trashëgiminë bektashiane.
Shtëpia-Muze do të shërbejë si një hapësirë e gjallë për të ruajtur kujtimin e tij, për të ekspozuar dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe materiale arkivore, si dhe për të organizuar aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë letrare shqiptare.
Familjarja e shkrimtarit, znj. Elona Agolli, ndër të tjera u shpreh: “Do të ketë një mundësi dhe një hapësirë të posaçme dedikuar edhe traditave të familjes bektashiane, historisë familjare të shkrimtarit Dritëro Agollit.”
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj i cili theksoi: “Dritëroi ishte një personalitet i këtij kombi, ka qenë deputet i këtij populli, i cili me veprat dhe fjalët e tij na ka frymëzuar për punë të mira.”
Ndërsa Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, u shpreh: “Ngritja e një memoriali apo qoftë edhe një muze në vendlindjen e tij është një akt kulturor. Është një akt i memories kombëtare për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare. Dritëro Agolli, sikurse e quanin dikur në kritikën evropiane, ‘Kafka me më tepër dritë’, është një fenomen letrar.”
I afërmi i Dritëroit, z. Ylber Hoxha, teksa shprehu vlerësime për ndërtimin e këtij muzeu në vendlindje, tha: “Kjo është një gjë shumë e bukur për fshatin tonë dhe falënderojmë jashtë mase qeverinë.”
Ky projekt synon të bëhet një pikë referimi për vizitorë, studiues dhe të rinj që duan të njihen më nga afër me jetën dhe veprën e një prej figurave më humane, më të ndershme dhe më të dashura të kulturës shqiptare.
Përgatiti: Xh. CULLHAJ








