PËKUJTOHET, 80-VJETORI I KALIMIT NGA JETA I ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, XHAFER SADIK DEDE

Ditën e premte, 8 gusht 2025, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, nëpërmjet riteve tradicionale, përkujtohet 80-vjetori i kalimit nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Xhafer Sadik Dede Baba. “Sot, në këtë ditë të shënuar, ne përkujtojmë 80-vjetorin e kalimit nga jeta të klerikut, Xhafer Sadik Dede Baba, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm si klerik bektashian dhe si atdhetar. Për pak kohë, ai ka qenë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashizmit. Shembulli dhe devocioni i tij, ashtu si dhe i klerikëve bektashian në tetë shekuj të ekzistencës së besimit tonë të paqtë, vlerësohet dhe do të vlerësohet në vijimësi…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në mbrëmjen e kësaj dite, me këtë rast, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Baba Edmond Brahimaj, do të bëhet dhe falja në mejdan.

Xhafer Sadik Dede ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1874, nga familja Baboçi me tradita bektashiane. Prindërit e tij e çonin qysh fëmijë, në teqenë e Zallit, Hajdarie dhe Melanit. Pasi bëri shkollën në vendlindjen e tij me dëshirën e prindërve, mori njohuri fetare në teqenë e Zallit, ku u bë edhe myhib e më pas u vesh dervish. Në vitin 1902, shkon në Haxhi Bektash, në Kryeqendrën e bektashizmit Turqi. Aty përgatitet në shkollën e kësaj qendre. Kreu vizita në vendet e shenjta të Lindjes: Irak, Iran, Siri, Egjipt. Më pas vjen në Përmet dhe shërben në teqenë e vjetër të këtij qyteti. Ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar në vitet 1908-1912. Teqeja e tij, priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin dhe baba Abedinin e Frashërit. Këtu e zgjeroi teqenë dhe afroi shumë njerëz dhe intelektual, duke u bë i njohur në gjithë Përmetin dhe zonën e Jugut. Këshilli klerikal, për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj bektashizmit, e zgjodhi Kryegjysh në prill të vitit 1945. Në këtë detyrë ai punoi katër muaj, deri në 8 gusht 1945, duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit Por fatkeqësisht i ndodhin aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, u aksidetua rëndë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Pas vdekjes është dekoruar nga Presidenti i Republikë së Shqipërisë në vitin 1993 me Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit I-rë me motivacionin: “Për kontributin e tij në drejtim të pastrimit shpirtëror të besimtarëve dhe edukimit patriotik të tyre, armik i betuar i komunizmit.”

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ