
Ditën e enjte, 7 gusht 2025, u zhvillua pelegrinazhi tradicional vjetor, në tyrben e malit të Shkëlzenit, në Tropojë. Kjo ditë mblodhi në këtë vend të shenjtë, besimtarë të trevës, të Malësisë së Gjakovë, nga Prizreni etj. Dervish Hazsan Carkanji dhe dervish Radoniqi i teqesë bektashiane të Gjakovës, përcollën për të pranishmit dhe përshëndetjen Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Në këtë mesazh, ndër të tjera thuhej: “ Bismilah Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit! Të nderuar klerikë dhe besimtarë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova! Është kënaqësinë e veçantë për mua, të marr pjesë në përkujtimin e kësaj dite të shenjtë, Vendi i Mirë, Sarisalltik, si vazhdim i pelegrinazhit tradicional të përvitshëm në vendin e bekuar të Sari-Salltikut, si edhe të tyrbeve e teqeve të tjera në këtë trevë, në Shqipëri dhe Kosovë. Përkujtimi në këtë ditë të shenjtorit të madh Sarisalltik merr një rëndësi për islamin dhe tarikatin bektashian në Shqipëri dhe në botë. Zoti i Lartë qoftë i kënaqur me devocionin tuaj dhe veprës së Ehli-Bejtit dhe u plotësoftë çdo dëshirë! Burimet historike tregojnë se Sari Salltiku ishte dërguar në Ballkan me porosi të vetë Haxhi Bektash Veliut. Historia e teqeve ka nisur në Shqipëri shumë herët, fillimisht në Krujë, në malin e Krujës, Shkëlzen, Mali Pashtrik, Has, Mamurras, Laç, Shijak, e deri në Sarandë. Gjithashtu, në Pejë të Kosovës, Prizren, Ohër të Maqedonisë, Greqi në Korfuz, Patra e Çamëri dhe Bosnjë Hercegovinë. Haxhi Bektash Veliu në Vilajet Nameja dhe Evliah Çelebiu në Sejahatname e kanë prezantuar Sari Salltikun në shek. XIII. të rëndësishëm, të vlefshëm, dijetar, evlija që ka pasur edhe qeramete, duke i dhënë vlera të veçanta si person me virtyte të larta, që ka ushqyer veç dashuri. Relievi i shteteve ku ka vepruar është në një hapësirë të gjerë; në Azi, Evropë dhe Afrikë, por epiqendra e veprimit të tij padyshim ka qenë Anadolli dhe Ballkani. Shumë autor të njohur si: Franc Babinger, Muzafer Tufan, eruditi i njohur Ekrem bej Vlora e të tjerë, bëjnë të njohur bibliografinë e e Sarisalltikut, midis doktrinës së besimit tonë të kulluar 800 vjeçar dhe disa porosive të Sari Salltikut ardhur përmes tregimeve dhe këngëve, legjendave deri në ditët tona. Historia flet për tyrben e Shkëlzenit. Fakti që ky vend i shenjtë respektohet nga gjithë, nga Tropoja dhe Kosova dhe krahinat e tjera, e ka bërë këtë pelegrinazh të madhërueshëm, dhe të ndjenjë në forcën e shpirtit të lartë, për nder, komb, atdhe, që karakterizon gjithë Tropojën. Kjo krahinë në shekuj ka trashëguar këto virtyte të larta të paqes dashurisë vëllazërimit dhe atdhetarizmit që e dëshmojnë të gjithë personalitet kombëtarë, në harmoninë dhe tolerancën fetare. Edhe njëherë miq të mijë ju faleminderit që jini mbledhur sot këtu dhe paçi begati në familjet tuaja. Amin!”
Përgatiti: Xh. CULLHAJ








