
Më 18 gusht 2025, banorë të Prishtës në Skrapar e rrethina, mblidhen në mjediset e teqesë së Prishtës , në ditën tradicionale të pelegrinazhit vjetor, që këtë vit, përkon dhe me 210-vjetorin e themelimit të këtij objekti të rëndësishëm.
“…18 gushti, është një ditë e veçantë për besimtarët e Prishtës, Skraparit e trevave të tjera, pasi është ditë e shënuar e pelegrinazhit tradicional vjetor. Pelegrinazhi i këtij viti, përkon me 210-vjetorin e themelimit të kësaj teqeje me histori të njohur fetare e atdhetarie. Klerikët që kanë punuar në këtë teqe, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për shtrirjen gjeografike të besimit tonë të paqtë, si dhe në forcimin e ndjenjës atdhetare. Ndaj, në këtë ditë, ne i kujtojmë me respekt dhe u jemi mirënjohës”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
…Teqeja e Prishtës është ndërtuar në vitin 1850 në vendin e quajtur Kisha. Deri në mesin e shekullit të 19-të (1850) prishtallinjtë kanë qenë myslimanë të tarikatit helveti me përfaqësuesin më në zë, Malko Shehun e Lazellarëve, një lagje e njohur në Prishtë. Pas kësaj kohe hyri tarikati bektashi i inkurajuar dhe nxitur nga rilindësit. Përfaqësuesi i parë i bektashinjve të Prishtës ka qenë Baba Tahiri nga fisi i Kotobellëve, i cili themeloi edhe teqenë e parë, i cili, erdhi nga Kreta.
…Pas vdekjes së baba Tahirit që i kishte dhënë famë Teqesë së Prishtës, në vend të tij erdhi baba Xhaferri nga Luzati i Tepelenës, i zgjuar, i aftë për t’u futur në zemër të njerëzve.
Rritja e autoritetit të Teqesë së Prishtës në kohën e Baba Xhaferrit bëri që të vini në teqe shumë besimtarë. Brenda 15-20 vjetëve, me të ardhurat e krijuara dhe të administruara mirë, Baba Xhaferri bleu tokë për teqenë në fshatrat Sukë, Dervishas dhe Goricë të Dëshnicës. Në Sukë ai ndërtoi edhe një teqe tjetër që të ishte afër zonës së Këlcyrës, në Bënjë një mulli etj. Në anën e Skraparit ndërtoi mullirin e Mërqinjës, ndërsa me taksën e tregut ndërtoi shkollën fillore në Çorovodë. Veç këtyre ai bleu merá për dhi në Mallakastër dhe merá për dhen në malin e Trebeshinës.
…Pas vdekjes së Baba Xhaferrit në teqenë e Prishtës erdhi Baba Ahmeti nga Paraspuari i Beratit.
Në vitin 1906 vijnë nga Janina, qendër e vilajetit, në Prishtë, një numër i madh zaptiesh dhe në mënyrë të befasishme bastisin teqenë, ku gjetën abetare dhe libra shqip të botuar në kolonitë shqiptare të Kajros, Sofjes dhe Bukureshtit. Baba Ahmeti arrestohet dhe çohet në burgun e Janinës dhe pas torturash çnjerëzore e vrasin. Vrasjen e Baba Ahmetit e vërteton edhe kënga e ngritur në atë kohë në krahinën e Dëshnicës:
Ky beu i Këlcyrës, o gjetët belanë,/
Se ç’u bë sebep, vranë Ahmet Babanë…
…Pas vrasjes së baba Ahmetit, në teqenë e Prishtës vjen baba Shabani, i cili si edhe paraardhësit u lidh me rrethet patriotike të kohës. Janë vitet 1909-1911, para Shpalljes së Pavarësisë, kur në të gjithë Skraparin vepronin çetat patriotike të Ali Farmaqit, Tefik e Tajar Vëndreshës, por herë pas here kalonin edhe ato të Çerçiz Topullit, Themestokli Gërmenjit etj., të cilat bazat i kishin në teqe. Tajar Vëndresha e lidhi Baba Shabanit me Babë Dudë Karbunarën, që vepronte në Berat. Për veprimtarinë atdhetare të Baba Shabanit flet edhe një dokument i kohës. Një nëpunës i postës së Skraparit me emrin Shemsi Hajro nga Gjirokastra shkruan në ato vite se Baba Shabani ishte anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që ishte krijuar nga paria e Skraparit, por dhe se ai kishte bërë një akt të lartë patriotik, duke vënë në dispozicion të pavarësisë së Shqipërisë gjithë influencën morale dhe fetare që kish në popull, por edhe gjithë pasurinë e teqesë.
…Në vitin 1914 Teqesë së Prishtës u plaçkit keqas dhe u dogj, fakt që e bën të ditur shkrimi i më poshtëm botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë”. Gazeta mban datën 27 mars (9 prill) 1915. Kronika është shkruar nga Dervish Aliu që shërbente në këtë teqe.
…Teqeja e re u ndërtua në vitin 1919. Në vitin 1922 në Teqenë e Prishtës ka ardhur Baba Kamberi nga Pagria e Përmetit. Baba Kamberi ishte një njeri i zgjuar dhe inteligjent. Ai erdhi në Prishtë që nga SHBA. Në nëntor të vitit 1943 shkoi në Tiranë. Më pas në këtë teqe erdhën baballarë të tjerë, të cilët si edhe ata më të përparshmit shërbyen mirë dhe me devocion deri në vitin 1966 kur u prishën objektet fetare dhe u luftua feja nga regjimi komunist. Nuk po zgjatemi me historinë e tyre, pasi ajo është diçka më e afërt dhe pak a shumë njihet. Në 1967, kur në Shqipëri, u ndalua feja si shumë teqe të tjera në vend, edhe kjo teqe u mbyll. Godina e Teqesë do të shndërrohej në magazina, depo etj. Në vitin 1985, Teqeja e Prishtës u shkatërrua tërësisht. U rihap në vitin 2004.
KLERIKËT QË KANË PUNUAR NË TEQENË E PRISHTËS
Tahir Kotobelli; baba Xhaferi; baba Shabani; baba Ali Tomorri; baba Kamber Meço (Kryegjysh, 1944-1945); dervish Iliazi; dervish Abaz Hilmi Elezi (Kryegjysh 1945-1947); dervish Riza Dure; dervish Mustafa Xhaferi; dervish Ahmet Mersini; dervish Sabri Fetahu; dervish Ali Mehmeti; dervish Et`hem Ibrahimi; dervish Dino Xhaferi; dervish Zejnel Hasani; dervish Isuf Mehmeti; dervish Hasan Myftari; dervish Hasan Xhaferi; dervish Sali Mustafai; gjysh Iljaz Bakaj; dervish Teme Vëndresha; dervish Haxhi Bënça; dervish Bajram Hamonikaj; dervish Islam Shelku; Besim Nazmushji kandidat per dervish në vitin 1950; gjysh Iljiaz Halilaj; dervish Hetem Vëndresha; dervish Teki Dautaj; dervish Haxhi Bënça; dervish Islam Bregu; dervish Hajredin Rabija; gjysh Iljaz Halilaj; dervish Islam Bregu; dervish Haxhi Osmani; dervish Hatem Halilaj; dervish Hajredin Suli; dervish Hamza Xhelilaj në vitin 1956; baba Amet Hajdëraj (1955-19.8.1963); baba Sherif Canaj në vitin 1963; zëvendësgjysh i zonës Riza Gllaniku (Qato) në vitin 1966; baba Sabri Kalaja; dervish Ferik Çaushi; dervish Zylfo Sherifi në vitin 1967.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ








