MALI I TOMORRIT, MALI QË MBLEDH NË PELEGRINAZH NGA GJITHË BOTA!

(600 mijë pelegrinë zbarkuan në Malin e Tomorrit, bekim i Abaz Aliut!)

Për pelegrinët e sotëm nuk mjaftojnë 5 ditë për të ardhur në Malin e Shenjtë të Tomorrit, mal, i cili herë të fton, e herë të “frikëson”, për mistikën e madhështinë që ka. Këtë vit, pelegrinë vendas nisën të shkonin më herët se 20 gushti. Më 17-18-19 gusht, ata zbarkuan drejt malit, për të bërë sakrificën e përvitshme, Kurbanin në Emër të Zotit.
Dy javë të plota, janë dy javë ku gjithë pllaja e Kulmakut deri në Çukën e Abaz Aliut, gumëzhin nga zhurmat, ecjet e pelegrinëve, me makinë ose në këmbë, teksa shkojnë drejt shenjtit Abaz Ali, i cili i bekon në jetët e tyre, familjet dhe punët.
Me kaq fanatizëm dhe me një besim të palëkundur, besimtarët kanë ruajtur mes vetes traditën fetare bektashiane, këtë traditë që gjithë bota kërkon ta njoh, ja kështu përmes ditëve të veçanta. Sa e sa studiues, sa e sa gazetar, sa e sa fotograf kanë ardhur e do të vinë për të prekur dhe ndjerë nga afër mrekullinë e Zotit. Po aq të shumtë janë besimtarët që vijnë anë e mbanë botës me qëllimin për mirësi, begati dhe shëndet në familjet e tyre.
…Mekami i Abaz Aliut në Malin e Tomorrit i daton vitit 1620, nga ana tjetër Teqeja e Kulmakut i daton vitit 1916, të dyja vende të shenjta dhe të rëndësishme bektashiane, duke pasur gjithmonë, në kohë të ndryshme, Haxhin e bërë nga 20 deri në 25 gusht nga besimtarët bektashianë. Në vetvete, Mali i Tomorrit, ka qenë i njohur që herët, por fama e tij pas viteve 1990 kaloi kufijtë. Qindra e mijëra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora ishin aty këtë vit.
E veçanta e këtij pelegrinazhi është mbledhja në këtë vend, jo vetëm e besimtarëve bektashianë nga e gjithë bota, por edhe e besimtarëve që i përkasin besimeve të ndryshme. Në gjirin e tij, besimi bektashian pranon njeriun, pavarësisht se kujt besimi i përket. Nga besimtarët bektashianë, kishte nga ata që vinin enkas një natë apo disa net, nga vendet e largëta apo nga vendet fqinje. Njëjtë ishte një besimtar, i cili çdo datë 25 gusht, çdo vit, merrte udhën nga Greqia, për Haxhin në shenjtin Abaz Ali në Malin e Tomorrit. Një besimtar i mirë, sa edhe në familjen e tij, përçonte mirësitë që vinin nga besimi bektashian. Kaq shumë u gëzua kur u njoh me librin “Teqetë në Greqi” të autorit grek Niko Stylos, sa e mori menjëherë. Këto shkëmbime bisedash janë kaq të shpeshta në këtë mal gjatë pelegrinazhit saqë tek to fshihet dhe njëherësh zbulohet, dashuria që njeriu ka për Zotin.
Po ashtu, vizitorë italianë apo bullgarë pyesin herë pas herë se ku mund të marrin informacione më shumë por të thjeshta, për të kuptuar më mirë se çfarë është bektashizmi. Në fakt, kjo është një kërkesë e kahershme, shtruar nga besimtarë të ndryshëm, njerëz të ndryshëm, të cilët e duan librin dhe diturinë, ndaj Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në ambientet e Teqesë i ka prezantuar për disa vite rresht, tanimë, me botimet e saj sikurse janë Mistika Bektashiane, Fletore e Bektashinjve, Nefes, Jeta ime, 3 vëllimet e Baba Ali Tomorrit e shumë e shumë vepra të tjera nga autorë shqiptar, autorë të huaj dhe ribotime të vjetra.
Një tjetër veçanti, e cila gjendet vetëm në teqetë bektashiane, janë takimet me klerikët. Vetë Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për disa ditë qëndroi në Teqenë e Kulmakut, ku ka pritur besimtarë të shumtë, duke i bërë lutje, e dhënë këshilla për çka ata kishin nevojë. Besimtarët mund t’i konsideronim të moshës fare të vogël, që nga zero vjeç e deri tek mosha e thyer. Të gjithë kishin dëshirë të takonin dhe përshëndesnin Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Mondin.
Është përtej pritshmërive të gjesh apo takosh në Malin e Tomorrit një besimtar apo vizitor që nuk ka dëshirë të eksplorojë po ashtu ambientet e Teqesë. Dekori gjithëpërfshirës me flamuj, stenda të ekspozitës fotografike, fotografi të shumta në ambientet e teqesë të dervish Iljazi etj. dy ekrane të mëdhenj televiziv, pasqyruan aktivitetet e ditëve të pelegrinazhit, e gjithashtu informuan besimtarët. Media vendase dhe e huaj, i dhanë mjaft hapësira këtij aktiviteti.
Gjatë këtij pelegrinazhi, Kujtim Baze, drejtues i ekipit futbollistik të të rinjve “SHKBD-Lushnje”, i dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj,
kupën ‘Pasardhësit” dhe certifikatë e mirënjohjes, për kontributin që ka dhënë në edukimin e rinisë sportive.

MASAT ORGANIZATIVE
Masat organizative janë kthyer në një domosdoshmëri përgjatë dy javëve që zgjat ky pelegrinazh. Përpos të papriturave që sillte moti, sepse në Malin e Tomorrit, ka një paqëndrueshmëri atmosferike, plot 600 mijë pelegrinë vizituan atë këtë vit. Për shkak të masivitetit që ka brenda 5 ditëve, besimtarët preferojnë të vijnë edhe më herët se data 20 gusht, apo më vonë se 25 gushti, ndaj shohim praninë e uniformave blu, për të qenë më pranë besimtarit. Qysh herët, Kryegjyshata Botërore Bektashiane bëri një njoftim për të gjithë pelegrinët që të tregonin kujdes në ndezjen e qirinjve dhe të mos ndiznin vatra zjarri.
“Ju lutemi të gjithë besimtarët, të mos ndezin zjarre, kujdes i shtuar gjithashtu në ndezjen e qirinjve, në ambiente të hapura, nga të gjithë pelegrinët, të cilët do të frekuentojnë pelegrinazhin në Teqenë e Kulmakut dhe tyrben e Abaz Aliut në Malin e Tomorrit, 18-25 Gusht 2025”.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe gjyshata e Skraparit kishin marra masa në qarkullimin e automjeteve duke mos krijuar trafik në asnjë nga rrugët që përdoreshin për lëvizjen e makinave, gjithashtu të mos ndizeshin vatrat e zjarrit.
Zgjerimi dhe rulimi i rrugës prej 7 km nga teqeja e Kulmakut deri në Abaz Ali, (që mund të kaloj çdo automjet), sigurimi i ujit të pijshëm, zjarrfikësja, ambulanca, të paktën 100 forca policie në terren nga qarku i Beratit për të siguruar mbarëvajtjen, ishin ndër masat e marra nga Selia Botërore Bektashiane për raste emergjente apo nëse do të kishte ndonjë incident.
Kryegjyshi përpos urimit, nënvizoi se për të shmangur zjarret vend e pa vend nëpër pyje, janë ngritur dy vende për pjekjen.
“Në këto ditë të shenjta në Malin e Tomorrit bëhet një pelegrinazh i madh, mbarëkombëtar, vijnë nga e gjithë bota për të marrë uratë, bekim. Ne jemi në ndihmë të pelegrinëve në çdo moment, duke filluar nga rruga, uji, ambientet sanitare. Përveç kësaj, Kryegjyshata Botërore përmes monitorëve të mëdhenj vendosur jashtë Teqesë ka transmetuar dokumentare për argëtim dhe që besimtarët ta kalojnë gëzuar kohën e qëndrimit këtu. Asnjëherë nuk ka pasur incidente, por i lutemi Zotit bashkërisht, që të jenë të kënaqur dhe të gëzuar në këtë vend të shenjtë. Të gjithë besimtarët që kanë ardhur e po vinë, t’i luten Zotit për mirësi, dashuri, paqe, në familje shoqëri e kudo. Kryegjyshata Botërore, gjithmonë në ditët 20-25 të gushtit bën aktivitetin e madh dhe pret pelegrinë nga e gjithë bota, sikurse janë të pranishëm edhe në këto ditë që kaluam. Gjithashtu, janë marra masa për infrastrukturën, janë marrë masa për thertoren, të cilës i kemi bërë edhe një frigorifer, i cili ndikon të mos ndoten ambientet e Malit të Tomorrit. Po ashtu janë bërë edhe 2 vende për të pjekur mish, që njerëzit të mos ndezin zjarr nëpër pyje për t’i pjekur ato. Ne kemi punuar pa pushim me prefekturën, bashkinë, policinë për mbarëvajtjen e këtyre pelegrinëve, duke filluar nga nisja e rrugës poshtë e deri në Çukë. Kemi pasur me qindra e mijëra besimtarë, të cilët kanë ardhur, i janë lutur Zotit, kanë bërë Kurbane, të cilët iu kemi mundësuar edhe ujë e ambientet higjeno-sanitare që iu duhet për të qëndruar në këto ditë. Unë me këtë rast i falënderoj ata që kanë ardhur e i janë lutur Zotit. Zoti ua pranoftë lutjet, ua pranoftë Kurbanët, u pranoftë gjithçka të mirë për veten e tyre dhe familjen. Uroj dhe bekoj të gjithë ata që i lutën Zotit dhe i afron Atij, për t’iu shmangur vështirësitë e kësaj botë provizore. Mirësi, Paqe, Punë dhe Durim! Sepse Zoti thotë ‘Jam me durimtarët’. Njerëzit duhet të kenë durim kur vijnë këtu, të mos nguten. Jemi kundra dhunës, kundra terrorizmit, kundra gjithçkaje të keqe që nuk i shërben njeriut. Zoti uroftë dhe bekoftë të gjithë besimtarët kudo që janë!”- pohoi për masat që janë marr, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

CEREMONIALI I 22 GUSHTIT, TRADITË E PËRVITSHME
Tyrbe e Abaz Aliut, ndodhet në majën më të lartë të malit të Tomorrit, 2416 metra, gati-gati vetmitare, por që zotëron pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë të madhështore, si vetë mali që e mban, e njëjtë dhe mistike, sikurse janë majat e thepisura, humnerat e thella e stuhitë e befasishme në këtë mal të shenjtë. Pikërisht ndërsa qëndron përgjatë 5 ditëve të plota, bie dakord, madje edhe bindesh me atë që etnologia angleze Margaret Hasluck ka thënë në vitin 1930 se “pelegrinët besojnë në një fuqi të mbinatyrshme”. Kështu ndodhi edhe këtë vit. Stuhia përgjatë natës së 21 gushtit dhe ardhjes së ditës 22 gusht, ishte e fortë, aq sa besimtarët nuk qëndronin dot në çadrat e tyre.
Ndryshe nga tradita e përvitshme, ku Kryegjyshata Botërore Bektashiane, organizon në datën 22 gusht aktivitetin fetaro-artistik për të gjithë besimtarët, në të cilin ftohen personalitete të pushtetit lokal dhe qendror, ambasadorë, artistë të mirënjohur, nuk u realizua për shkak të kushteve të këqija të motit. Aktorët dhe grupet Tradicionale të Valleve dhe Këngëve të Librazhdit, Skraparit, Gramshit, pavarësisht motit jo të favorshëm mbërritën në Çukën e Abaz Aliut. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke e vendosur edhe njëherë theksin tek mos ndezja e zjarreve nga besimtarët, pasi moti ishte favorizues, shpjegoi për të gjithë mediat dhe besimtarët që aktiviteti ishte i pamundur të realizohej: “Sot ne kishim ceremoninë kryesore, e cila do të drejtohej nga dy personalitete të shquara, Bujar Asqeriu dhe Dritan Boriçi. Mbërritën Grupet Artistike të Ansambleve të Librazhit, Skraparit dhe Gramshit, të cilët do t’i jepnin një atmosferë tjetër, ndryshe nga mbrëmja e 21 gushtit, të cilën ne e transmetuam. Prisnin përfaqësues të pushtetit lokal, ambasadorë, por koha bëri të sajën. Me këtë rast unë i uroj dhe bekoj të gjithë ata që na kanë shërbyer dhe shërbejnë, policinë e shtetit që menaxhoi gjithë këtë trafik të rënduar, të ardhjes së besimtarëve, e cila vazhdon të rritet pavarësisht kohës. Janë ditët e tjera, të cilat e plotësojnë këtë pelegrinazh të madh, ku populli vjen i lutet Zotit, Abaz Aliut dhe bëjnë kurban. Zoti na i pranoftë të gjitha lutjet. …Falënderojmë ata që kanë mbështetur sidomos median në këto ditë. Unë uroj dhe bekoj të gjithë ata që i lutën Zotit, që i afrohen Atij me punë, me dashuri dhe me paqe”.

MESAZHI I KRYEGJYSHIT PËR PELEGRINËT
Mesazhi i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj pë pelegrinët, në këtë ditë ishte: “Në emër të Zotit , Mëshiruesit Mëshirbërësit,
Të nderuar pelegrinë, besimtarë bektashinj të ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, dhe nga diaspora, Të nderuar të ftuar , klerikë , dashamirës të bektashizmit. Jam i nderuar që me pjesëmarrjen tuaj këto ditë pelegrinazhi janë të mbushura me gëzim, të qeshura fëmijësh , lumturi familjare. Ndërkohë që manifestohet besimi në Zot dhe adhurimet drejtuar Tij, Mali i Shenjtë i Tomorrit dhe tyrbja e shenjtorit të bektashizmit Abaz Aliu po vizitohet e po kryhen ritual fetare prej qindra mijëra pelegrinësh.
Ky pelegrinazh na mbledh bashkë si çdo vit për të na kujtuar se duhet të jemi sa më afër besimit në Zot dhe adhurimeve ndaj Tij, për të na kujtuar se fuqia mistike e këtij Mali na thërret që t’i bashkohemi lutjeve ndaj Zotit për t’i ardhur në ndihmë njerëzimit.
I lutemi gjithë Shenjtorëve me në krye Abaz Aliun , që Zoti i lartë të jap bekim në çdo familje , në çdo besimtarë, e gjithë kurbanet që sakrifikohen në emër të Tij, qofshin të pranuar. Lutemi që zemrat dhe shpirti i të gjithë atyre që besojnë në Zot të pastrohen nga inatet , ligësia, egoizmi dhe çdo gjë e keqe. Këto ditë të Shenjta pelegrinazhi kurorëzohen me këtë ceremoni lutje për paqe , dashuri, mirësi, dhembshuri, tolerancë, harmoni, bashkëjetesë të paqtë, begati, bereqet, e prosperitet. Të nderuar miq , dashamirës e besimtarë të bektashizmit! Lutemi sot, njëzëri për paqe në botë, për siguri të jetës dhe qenies njerëzore. Për siguri të jetës nga kërcënimi i luftërave në shumë rajone, e për siguri të mirëqenies së njerëzimit. Qenia njerëzore po kërcënohet në ditët e sotme nga shumë faktorë, egoizmi, injoranca, tradhtia, vese që e rrëzojnë titullin ‘human’, pangopësia, materializmi, vëllavrasja, gjakmarrja, hakmarrja etj. Thirrje e lutje për të gjithë njerëzimin, pa dallim besimi, ndasi krahinore , bashkohuni vëllezër në besim , bashkohuni në leximin e shkrimeve dhe librave të Shenjtë, lartësoni shpirtin dhe qenien Tuaj , dhe pranojeni tjetrin ashtu siç është , tregohuni tolerantë dhe dashamirës, duajeni qenien njerëzore me gjithë të mirat e të këqijat e tij sepse është krijesë e Zotit. Abaz Aliu thotë “Përulësia të vesh me dinjitet”. “Ata që vdesin me besimin në Zot në emër të Zotit jetojnë përgjithmonë, e ata që vdesin duke luftuar kundër Zotit janë të humbur përgjithmonë…” Abaz Aliu Shenjtori i rënë në fushën e Qerbelasë erdhi në Malin e Tomorrit për të shpëtuar Shqipërinë, u flijua për të vërtetën , demokracinë. Bektashizmi mistik ka qenë e do të vazhdojë të jetë përkrahës i demokracisë, të vërtetës, dashurisë për njeriun, e paqedashës. Uroj e bekoj që këto ditë pelegrinazhi kushtuar adhurimit ndaj Zotit, të shpërbelehen në mirësi, e bekime për të gjithë! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”

…LINDJA E ABAZ ALIUT
Abaz Aliu lindi në Medine në vitin 26 hixhri hënor . Sipas Urdubadiut në një libër të quajtur Anis al-Shi’a, i shkruar në shekullin e 13 hixhri, ditëlindja e Hazret Abbasit konsiderohet data 4 Shaban. Pas lindjes së Hazreti Abasit, Imam Aliu (a.s.) e përqafoi atë dhe e quajti Abaz, i thirri ezanin dhe ikametin në veshët e tij, pastaj ia puthi krahët dhe qau, dhe në përgjigje të Ummul Bininit e cila e pyeti arsyen e të qarit, ai tha: Abazit iu prenë dy krahët rrugës për të ndihmuar Hysenin (a.s.), dhe Zoti i dha dy krahë në botën tjetër në këmbim të dy krahëve të prera në këtë dynja. Epiteti më i famshëm i Abaz Aliut është Ebul Fazl. Disa besojnë se këtë epitet ia kishin vënë për shkak se kishte një djalë me emrin Fazl, por disa kanë thënë se për shkak se në familjen Beni Hashem, kushdo që quhej Abbas quhej Ebul Fazl, kështë Abaz Aliun e kanë thirru me këtë epitet që në fëmijëri. Hazret Abbasi njihet si Ebu al-Kasim (për shkak të djalit të quajtur Kasim), Ebu al-Qirba (për shkak të sjelljes së myshkut të ujit në tendë) dhe Ebu el-Farxhah (sepse shiitët i drejtoheshin atij në kohë me telashe). Për Abbasin (a.s.) janë përmendur disa epitetesi Bab El-Hauaixh, Kamer Beni Hashem, Sakkah, Al-Shahid, etj.

TYRBJA E ABAZ ALIUT NË TOMORR
Tyrbja e Abaz Aliut është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e në qarkun e Beratit, Shqipëri. Ky monument është i llojit “”, i miratuar më “15.05.2008”. Vendi më i rëndësishëm sot botëror i Pelegrinazhit Tyrbja e Abaz Aliut ndodhet larg nga teqeja e Kulmakut, 2 orë në këmbë ose 40 minuta me makinë, në lartësinë 2416 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit. Sipas baba Ali Tomorit dhe Osman Myderrizit, Eqrem bej Vloras në shek. XV. Mustafa Tusiu dhe Haxhi Baba Horasani ngritën varrin kenotaf të Abaz Aliut, në Çukën e Tomorit. Nga ajo periudhë e deri më sot, pranë varrit të Abaz Aliut, 20 – 25 gusht të çdo viti organizohet pelegrinazhi i besimtarëve bektashinj. Pelegrinazhit i dhanë përmasa gjithnjë e më të mëdha dervish Iliazi dhe baba Ali Turabiu. Sot ky pelegrinazh ka karakter ndërkombëtar. Në të marrin pjesë besimtarë bektashinj, myslimanë, të krishterë, nga gjithë Shqipëria, nga trojet etnike shqiptare, nga diaspora shqiptare dhe nga e gjithë bota, madje pjesëmarrja vjen duke u shtuar vit pas viti, dhe numri arrin në shifrën rekord për pesë ditë, nga 20 deri më 25 gusht për çdo vit, në 500.000- 600.000 vetë.

Përgatiti:
Brunilda GOROVELLI