
Dita e premte, 5 shtator 2025, është një ditë e shënuar për besimtarët e Frashërit në Përmet, pasi është dita e pelegrinazhit tradicional, që mbledh në teqenë bektashiane të këtij fshati të njohur, besimtarë të shumtë nga treva, Përmeti, rrethinat e shumë më gjerë.
Në këtë ditë të shënuar, mes klerikëve, besimtarëve e dashamirësve, do të jetë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
“…Pelegrinazhi i sivjetshëm në teqenë e njohur të Frashërit, përkon me 245-vjetorin e themelimit të këtij objekti bektashin me histori të njohur fetare e atdhetare. Në këtë ditë, ne përkujtojmë gjithashtu dhe vëllezërit tanë klerikë bektashinj, që kanë drejtuar me përkushtim këtë teqe. Ne vlerësojmë këtë kontribut me vlerë të rëndësishme për besimin tonë të paqtë, por dhe shembullin e tyre si atdhetarë e mbrojtës së kulturës shqiptare e gjuhës së bukur shqipe…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.
TEQEJA E FRASHËRIT
Teqeja e Frashërit, ose teqeja e Baba Tahir Nasibiut, është një teqe bektashiane, themeluar në vitin 1781. Në vitin 1963, ajo mori statusin monument kulture.
Teqeja u themelua ne kohën e Ali Pashë Tepelenës, nga baba Tahir Nasibi, një banor i njohur i zonës dhe Tahir Skenderasi.Tahiri kishte studiuar në Persi, Iran kishte udhëtuar në Lindjen Arabe dhe ishte përgatitur në Qendrën Botërore të Bektashizmit, në Haxhi Bektash, Turqi. Ai kontribuoi gjithashtu në përhapjen e bektashizmit në të gjitha zonat përreth. Pas vdekjes së tij më 1835, biri i tij, Jusuf Skënderasi, e mori përsipër teqenë e Frashërit. Teqeja u bë e njohur në jug të Shqipërisë. Gjatë epokës së baba Alushit (1846-1902), teqeja do të bëhej jo vetëm një qender e misticizmit sufi, por edhe një fortesë e nacionalizmit shqiptar. Kjo do të ndikonte gjithashtu në formimin e më pas aktivitetin e figurave të ardhshme të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashërit, dhe vëllezërve të tij, Naimit dhe Abdylit. Me 30 maj 1878, Komiteti Shqiptar i Janinës mbajti këtu një takim të udhëhequr nga baba Alushi dhe Abdyl Frashëri, si një veprim kundër vendimetve të Traktatit të Shën Stefanit. Takimi doli me disa kërkesa ndaj Fuqive të Mëdha, të cilat do të shërbenin si bazë për Lidhjen e Prizrenit. Teqeja shërbeu si bazë gjatë jetës së Lidhjes Shqiptare, (1878-1881) dhe këtu u bënë gjithashtu dhe shumë takime ndërkrahinore.
Gjate viteve 1909-1910, teqeja kontribuoi në përhapjen e shkollave dhe arsimit shqiptarë në ketë zonë. Ajo u shkatërrua nga andartet greke të Zografit në vitin 1914. U rindërtua me kontributin e shqiptaro-amerikaneve në vitin 1923. Ajo fitoi statusin Gjyshatë në vitin 1933, si qendra bektashiane për zonën e Përmetit në vitin 1942, qendër për zonën e Vlorës në vitin 1945, Gjyshatë Nderi në vitin 1962. Gjatë ndalimit të fesë nga 1967-1990 në Shqipëri, kjo teqe u kthye spital i zonës së Frashërit. Teqeja rifilloi më 1995.
KLERIKËT QË KANË SHËRBYER NË KËTË TEQE
-Baba Tahir Nasibi Skenderasi (1781-1835)
-Xhefai Ibrahim Babai (1826-1829)
-Jusuf Skenderasi (1835 – 1846)
-Baba Alushi (1846 – 1902)
-Baba Abedini Ibro (1903 – 1913)
-Baba Sheme (1913 – 1929)
-Baba Mustafa Qerezi (1930 – 1933)
-Baba Murati (1934 -1941)
-Dervish Myreteza Temuri, dervish Agush Beluli, dervish Seit Mëhilli, dervish Zenel Çeliku, dervish Bektash Hotova, kanë shërber në vitin 1940.
-Baba Abaz Hilmi (1942-1945)
-Gjysh Mehmet Zykaj (1949 -1963)
-Dervish Teme Pazi, 1967.
-Përparim Skënderasi 1995 -2000), kujdestar.
-Dervish Xhemal Shkëmbi (2000-2003).
-Baba Hekuran Nikollari, nga viti 2005.











