
Të dashur nxënës, sot nis një kapitull i ri në udhëtimin tuaj të dijes, plot me sfida të reja, por edhe me mundësi të pafundme për arritje dhe suksese. Urojmë që ky vit shkollor të jetë i mbushur me dije të vlefshme, përvoja të paharrueshme dhe fitore shpirtërore që do t’ju ndihmojnë të ndërtoni një të ardhme më të mirë. Qofshi gjithmonë të përkushtuar në mësime, të hapur ndaj dijes dhe të vendosur për t’i shndërruar ëndrrat tuaja në realitet.
Shkolla është një udhëtim i bukur, ku çdo hap i hedhur me dashuri dhe përkushtim ju çon më afër qëllimeve dhe aspiratave tuaja. Dijeni se çdo përpjekje, çdo orë studimi dhe çdo mësim i marrë është një gur themeli në ndërtimin e së ardhmes suaj dhe të vendit tonë.
Të nderuar mësues, me respekt dhe mirënjohje të thellë ju urojmë një vit të mbarë, me sa më shumë frymëzim e forcë për të përmbushur misionin tuaj fisnik: formimin dhe edukimin e brezave. Përmes përkushtimit dhe dashurisë suaj për profesionin, ju bëheni udhërrëfyes të çmuar për fëmijët tanë, duke mbjellë në zemrat e tyre vlera, dituri dhe dashuri për atdheun.
Një urim i veçantë shkon edhe për prindërit, që me përkujdesjen, sakrificat dhe dashurinë e tyre mbeten mbështetja më e fortë për fëmijët në rrugën e dijes.
Vit të mbarë shkollor për të gjithë!
Zoti ju bekoftë në ngjitjen e shkallëve të diturisë dhe ndriçoftë udhën tuaj drejt së ardhmes!
