KRYEGJYSHI BOTËROR, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, PRITI NË NJË TAKIM ZYRTAR KRYETARIN E BASHKISË SË CONROE, TEXAS, Z. HARRY HARDMAN

Ditën e hënë, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, priti në një vizitë kortezie Kryetarin e Bashkisë së Conroe, Texas (SHBA), z. Harry Hardman.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, me një frymë respekti të ndërsjellë, ku u diskutua mbi rolin e madh historik dhe shpirtëror të bektashizmit, që nga kontributi i tij në pavarësinë e Shqipërisë, tek përçimi i vlerave të harmonisë fetare, bashkëjetesës paqësore dhe shpërndarjes së paqes në botë.
Kryebashkiaku Hardman u njoh nga afër me traditën, mësimet dhe misionin universal të bektashizmit, duke u impresionuar nga roli i bektashizmit në forcimin e dialogut ndërfetar dhe kulturor, jo vetëm në Shqipëri por edhe në hapësirën më të gjerë ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, theksoi se Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka qenë dhe mbetet një qendër e rëndësishme shpirtërore ku gjenerohen vlera të përhershme të paqes, dashurisë, respektit reciprok dhe përparimit shoqëror, duke shërbyer si një urë lidhëse mes popujve dhe kulturave të ndryshme.
Vizita u shënua nga shkëmbimi i mesazheve të miqësisë, bashkëpunimit dhe prosperitetit, ku të dyja palët ndanë bindjen se vlerat e përbashkëta të paqes dhe tolerancës janë themeli i një të ardhmeje më të mirë për shoqëritë tona.
Në përmbyllje të takimit, u krye një shkëmbim dhuratash simbolike, të cilat shprehën respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë, duke e kthyer këtë takim në një moment domethënës të forcimit të marrëdhënieve të miqësisë ndërkombëtare.
Ky takim përbën një dëshmi të qartë se Kryegjyshata Botërore Bektashiane vazhdon të jetë një qendër globale e dialogut, tolerancës dhe bashkëjetesës, duke kontribuar fuqishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe shpirtëror të Shqipërisë, si dhe në përçimin e mesazheve universale të humanizmit në mbarë botën.

Përgatiti: Xh. CULLHAJ