MESAZH I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, NË 24-VJETORIN E TRAGJEDISË SË 11 SHTATORIT 2001

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, përkujton sot me dhimbje dhe respekt 24-vjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit 2001, kur aktet terroriste goditën Kullat Binjake në Nju Jork dhe morën jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm.
Në këtë ditë kujtese, Kryegjyshi Botëror lutet që Zoti i Madh t’i preh në paqen e përjetshme viktimat që u shuan pabesisht dhe të japë ngushëllim e forcë familjeve të tyre. Ai nderon gjithashtu sakrificën e atyre që në ato çaste të errëta vunë jetën në rrezik për të shpëtuar të tjerët, duke u bërë shembull i shpirtit njerëzor dhe i dashurisë për jetën. Në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe gjithë besimtarëve bektashianë, Kryegjyshi Botëror shpreh solidaritet me popullin dhe shtetin amerikan, duke theksuar se vlerat e lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së jetës njerëzore janë themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet një botë pa terror, pa dhunë e me bashkëjetesë mes popujve.
Në këtë mesazh, ndër të tjera thuhet: “Me solidaritet përkujtojmë sot, viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 ku humbën jetën qindra , mijëra njerëz të pafajshëm. Lutemi që Zoti i Lartë të preh në paqen e parajsave të gjithë ata viktima që humbën jetën pabesisht nga sulmi terrorist i kullave binjake. Urojmë e lutemi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një shtet demokratik t’i tregojë gjithë botës shembullin e një vendi të lirë, demokratik, të civilizuar në qendër të së cilit është mbrojtja e jetës njerëzore. Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Amin!”