SOT, DITA E PELEGRINAZHIT TRADICIONAL VJETOR NË TEQENË E GJORMIT, KURBIN

Sot, më 20 shtator 2025, në Teqenë e Gjormit (Hatemija) u zhvillua pelegrinazhi tradicional vjetor, një ngjarje e rëndësishme për besimtarët dhe klerin bektashian. Kjo ditë, që prej shekujsh është shndërruar në një pikë referimi shpirtëror për banorët e Kurbinit dhe më gjerë, bashkoi qindra pelegrinë të cilët kryen ritet dhe lutjet e rastit.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në mesazhin e tij për këtë ditë, theksoi:
“Teqeja e Gjormit është një objekt i njohur bektashian, që ka lënë gjurmë në historinë e besimit tonë në këtë trevë. Përmes përkushtimit të klerikëve që kanë shërbyer këtu ndër breza, është ruajtur gjallë fryma e dashurisë, besimit dhe atdhedashurisë. Detyra jonë mbetet ruajtja dhe pasurimi i kësaj trashëgimie shpirtërore, në nderim të tyre dhe në dobi të brezave që vijnë.”
Teqeja e Gjormit, e themeluar rreth vitit 1793 nga Hatemi Hajdar Babai (Kërçini), ka një histori të pasur, ku përveç shërbesave fetare, është dalluar edhe si qendër arsimimi e frymëzimi atdhetar. Në kujtim të figurave të njohura që shërbyen këtu, banorët ngritën dy tyrbe: “Tyrbja e Madhe” dhe “Tyrbja e Vogël”. Teqeja dhe tyrbet u shembën gjatë vitit 1967, por u rindërtuan pas viteve ’90, duke rifituar rolin e tyre si vatër e besimit dhe traditës bektashiane.
Pelegrinazhi i sotëm dëshmoi edhe një herë lidhjen e fortë të komunitetit me këtë qendër të shenjtë, duke e bërë Teqenë e Gjormit një simbol të qëndrueshmërisë shpirtërore dhe të vlerave që përçojnë unitet, përkushtim dhe dashuri për Zotin e atdheun.
Përgatiti: Xh. CULLHAJ