PËRKUJTOHET 24-VJETORI I KALIMIT NGA JETA I BABA SELIM KALIÇANIT

Të mërkurën, më 24 shtator 2025, mbushen plot 24 vjet nga ndarja nga jeta e njërit prej figurave më të shquara të botës bektashiane dhe të kombit shqiptar, Baba Selim Kaliçani.
Kjo ditë përkujtimore shënohet me respekt dhe nderim në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në gjyshatat e tjera, duke kujtuar kontributin e tij si klerik, udhëheqës shpirtëror dhe atdhetar i përkushtuar.
Jeta dhe veprimtaria
Baba Selim Kaliçani lindi më 29 nëntor 1922 në Pejë të Kosovës, në një familje të njohur për traditat atdhetare dhe besimin bektashian. Prej babait, Rexhepit, trashëgoi shpirtin e qëndresës dhe urrejtjen ndaj pushtuesve serbë, ndërsa nga nëna, Hatixhja, urtësinë dhe dashurinë për teqenë e Haxhi Bektash Veliut.
Në vitin 1935, vetëm 13 vjeç, u dërgua në Kryegjyshatën Bektashiane në Tiranë, ku kaloi shtatë vite në gjirin e dervishëve dhe baballarëve, duke u formuar shpirtërisht dhe duke përthithur mësimet e fesë, moralit dhe dashurisë për kombin.
Me pushtimin e Shqipërisë më 1939, i riu nga Peja nuk qëndroi mënjanë. Ai iu bashkua radhëve partizane dhe luftoi në disa njësi të njohura, si çeta e Zagorisë, batalioni “Hakmarrja” dhe Brigada e 3-të Sulmuese. Në këtë mënyrë, ai mishëroi devizën bektashiane: “Pa atdhe, nuk ka fe!”.
Shërbesa fetare
Në fund të vitit 1949, në mejdanin e Selisë së Shenjtë, Selim Kaliçani u vesh dervish. Falë urtësisë dhe dijeve të tij, ai u shqua si një ndër klerikët e rinj me ndikim, duke shërbyer me përkushtim në disa teqe të vendit. Edhe në vitet e vështira të persekutimit, ai mbeti i palëkundur në besimin e tij, duke gjetur mënyra për të mbajtur gjallë frymën e bektashizmit.
Pas viteve ’90, me rikthimin e lirisë fetare në Shqipëri, Baba Selim Kaliçani luajti një rol të rëndësishëm në ringritjen e jetës shpirtërore bektashiane. Me përkushtim dhe vendosmëri, ai ngriti Teqenë e Shememi-Babait në Fushë-Krujë, duke i dhënë jetë një qendre të rëndësishme të besimit dhe kulturës bektashiane.
Trashëgimia
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, e ka cilësuar Baba Selim Kaliçanin si një figurë të shquar të kombit dhe të fesë, duke thënë:
“Mbushen 24 vjet që u nda nga kjo jetë vëllai ynë nga Peja, Baba Selim Kaliçani, por e kujtojmë dhe do ta kujtojmë gjithmonë si klerik e atdhetar, për kontributin e tij të çmuar. Ai është ndër ata klerikë që, në momentet më të vështira të kombit, u rreshtua përkrah luftëtarëve për çlirimin e vendit, duke mishëruar devizën tonë të shenjtë: ‘Pa atdhe, nuk ka fe!’
Baba Selim Kaliçani ndërroi jetë më 24 shtaror 2001. Ai la pas një trashëgimi të çmuar shpirtërore dhe kombëtare, e cila vijon të frymëzojë brezat e rinj.