DOLËN NGA SHTYPI DY VOLUMET E PARA TË KOLANËS “SHTRIRJA GJEOGRAFIKE E BEKTASHIZMIT…”, E KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJT (Botuar në gazetën ‘Telegraf’, 03.11.2025)

Nga Kujtim BORIÇI

Dy volumet e para/ Një kolanë trivolumëshe guidë-enciklopedi, me vlera të rralla shkencore, historike, intelektuale, fetare e atdhetare, me dokumente, harta, foto të objekteve bektashiane në Shqipëri e gjithë botën.

Sopa kanë dal nga shtypi dy volumet e para të kolanës “Shtrirja gjeografike e bektashizmit, një kolanë trivolumëshe, guidë-enciklopedi, me vlera të rralla shkencore, historike, intelektuale, fetare e atdhetare, me dokumente, harta, foto të objekteve bektashiane në Shqipëri e gjithë botën, me autor, Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Pjesa e tretë e kësaj kolane, me objekt shtrirjen gjeografike të bektashizmit në mbarë botën, është në proces. Kolana shoqërohet dhe me prezantimin profesional të dy personaliteteve, Prof. dr. Kaliopi Naska e Dr. Dorian Koçi si dhe me skica e harta të shumta, përgatitur nga Master-Gjeografe, Zerina Temo. Po ashtu, në libra përfshihen dhe qindra foto të objekteve bektashianë në Shqipëri e jashtë sajë. Ky botim me vlerë, pason disa botime të tjera të rëndësishme të të njëjtit autor, si “Hazreti Ali”, “Imam Hyseni”, “Nefes-Jeta ime” etj…

PREZANTIM I LIBRIT NGA DR. D. KOÇI
…Botimi i kolanës “Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri” përfaqëson një ndër kontributet më madhore që i është bërë studimit të bektashizmit shqiptar në dekadat e fundit. I ndarë në tri vëllime dhe i shkruar nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, ky libër merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për komunitetin bektashian, por për të gjithë kulturën dhe historinë shqiptare. Vepra ndërtohet si një udhërrëfyes enciklopedik, ku kombinohen historia, universalizmi, shtrirja gjeografike, traditat shpirtërore, roli shoqëror dhe ndikimi kulturor i këtij tarikati në jetën kombëtare shqiptare.
Në thelb të librit qëndron ideja se universalizmi i bektashizmit nuk është një nocion abstrakt, por një realitet i mishëruar në praktikën e tij shpirtërore dhe në mënyrën se si ky urdhër është shtrirë në hapësira të ndryshme kulturore, pa u kufizuar nga dallimet etnike, gjuhësore apo dogmatike. Mesazhi i tij i tolerancës, barazisë shpirtërore dhe dashurisë për njeriun e ka bërë bektashizmin një traditë me horizonte globale, që gjen jehonë në ide të mëdha të qytetërimit botëror si respekti për tjetrin, harmonia ndërfetare dhe paqja sociale. Ky universalizëm reflektohet qartë në vetë rrugëtimin historik që pasqyron libri. Rrënjët e hershme të bektashizmit, të lidhura me figurën legjendare të Sari Salltikut në shekullin XIII, tregojnë se ky urdhër e filloi misionin e tij me idenë e kapërcimit të kufijve gjeografikë dhe shpirtërorë. Me kalimin e shekujve, bektashizmi u formësua si një urdhër i hapur, pa pretendime për përjashtim, duke u kthyer në një strehë shpirtërore për individë të kombësive e besimeve të ndryshme. Dimensioni universal bëhet edhe më i dukshëm në kontributin e tij gjatë Rilindjes Kombëtare, ku figura të mëdha si Naim dhe Sami Frashëri u frymëzuan nga filozofia bektashiane për të ndërtuar një identitet kombëtar që nuk e bazohej në dogma përçarëse, por në vlera të përbashkëta: lirinë, gjuhën dhe dashurinë për atdheun. Kjo qasje e bëri bektashizmin jo vetëm një traditë shpirtërore shqiptare, por një faktor emancipues që lidhi kombin me vlera universale të humanizmit. Edhe periudha e shtetformimit shqiptar dhe e njohjes së komuniteteve fetare në fillim të shekullit XX shfaq qartë këtë dimension.
Bektashizmi, i pranuar si një nga komunitetet kryesore të Shqipërisë, e ndërthurte përkatësinë fetare me detyrimin kombëtar, duke u shndërruar në një urë mes shtetit dhe qytetarit, mes traditës dhe
modernitetit. Ky universalizëm u rikthye fuqishëm edhe pas viteve ’90, kur ringjallja e teqeve, rindërtimi i Kryegjyshatës dhe hapja ndaj botës e bënë bektashizmin një traditë jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, me përfaqësim dhe ndikim përtej kufijve të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, vepra e Baba Mondit nuk është vetëm një dokumentim i kujdesshëm i shtrirjes gjeografike të një tarikati, por një manifest i universalizmit të bektashizmit. Ajo dëshmon se ky urdhër është i aftë të shërbejë si model i bashkëjetesës dhe i paqes sociale jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë shoqërinë njerëzore. Kështu, bektashizmi nuk mbetet vetëm një realitet i brendshëm shqiptar, por shndërrohet në një kontribut të denjë të kulturës sonë për qytetërimin botëror.
Rrënjët e bektashizmit në trojet shqiptare lidhen me shekullin XIII dhe me figurën mitike e historike të Sari Salltikut, i cili sipas traditës orale dhe burimeve të hershme bektashiane, u shfaq si përhapës i këtij tarikati në viset shqiptare e ballkanike….
…Një moment i rëndësishëm në historinë e bektashizmit lidhet me fundin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX, periudhë kur ky tarikat u konsolidua si një lëvizje shpirtërore me përmasa universale. Ai u ngrit mbi themele të forta mistike të islamit sufist, por njëkohësisht përthithi elementë të kulturës vendase, duke krijuar një harmoni të veçantë ndërmjet traditës fetare dhe realitetit shoqëror shqiptar. Ky bashkim i botës së brendshme shpirtërore me identitetin kulturor vendas e bëri bektashizmin jo vetëm një urdhër fetar, por një shprehje të gjallë të universalizmit dhe tolerancës.
…Një moment tjetër i rëndësishëm është shekulli XVII, kur bektashizmi përjeton një riorganizim të thellë. Vepra e Kryegjyshit Haxhi Dede Baba Mondit përshkruan se si ky tarikat u ngrit mbi bazën
e një filozofie universale që kombinonte mistikën islame me elementë të kulturës vendase. Në këtë periudhë, urdhri fitoi një hapësirë të gjerë përhapjeje, duke e shtrirë ndikimin përtej Shqipërisë, në Maqedoni, Greqi, Bullgari e deri në Anadoll.
…Një kapitull tjetër i rëndësishëm i këtij vëllimi lidhet me rolin e bektashizmit në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, një periudhë kyçe ku ndjenja e përkatësisë kombëtare u formësua mbi themele shpirtërore dhe kulturore të fuqishme. Bektashizmi, me filozofinë e tij të tolerancës, të dashurisë për atdheun dhe të lirisë, ofroi një kornizë shpirtërore mbi të cilën rilindësit ndërtuan idealet e tyre. Figurave të mëdha si Naim Frashëri dhe Sami Frashëri u kushtohet një vend i posaçëm, jo vetëm si shkrimtarë dhe mendimtarë, por si bartës të një filozofie të thellë që vinte nga tradita bektashiane.
…Në teqetë shqiptare gjatë shekullit XIX u zhvillua një veprimtari e gjallë që e bën këtë rol të pakrahasueshëm. Teqetë u shndërruan në qendra të rezistencës kulturore dhe politike: aty përhapen librat e ndaluar nga perandoria osmane, aty ruhej dhe mësohej gjuha shqipe, aty organizoheshin mbledhje të fshehta të rilindësve, dhe mbi të gjitha, aty mbeti gjallë ideali i lirisë. Në një kohë kur shkollat shqipe ishin të pakta dhe të ndaluara, teqetë u kthyen në vatra arsimimi kombëtar, duke e mbajtur të paprekur lidhjen ndërmjet fesë, kulturës dhe identitetit. …Kjo qasje dëshmon se filozofia bektashiane nuk kufizohej në një komunitet fetar, por shtrihej mbi gjithë kombin, duke u bërë themel i një ideali të ri shoqëror e kombëtar.
…Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, bektashinjtë ishin ndër mbështetësit më të fortë të shtetit të ri shqiptar, duke e parë atë si mishërim të idealeve për të cilat kishin punuar prej dekadash. Një tjetër pjesë e rëndësishme e vëllimit të dytë lidhet me marrëdhënien e bektashizmit me shtetin shqiptar. Që nga Statuti i Kongresit të Lushnjës (1920) dhe njohja e komuniteteve fetare, bektashizmi ka qenë një nga katër komunitetet kryesore të vendit. Kongreset e bektashinjve, sidomos ato të viteve ’20 e ’30, shënuan një ndërthurje të elitës fetare me atë politike, duke treguar se urdhri ishte një faktor i pandashëm i jetës kombëtare.
Ky libër merr formën e një udhë përshkrimi gjeografik përmes teqeve dhe vendeve të shenjta që shtrihen në të gjithë territorin shqiptar. Nga Kuzum Baba në Vlorë, tek Teqeja e Frashërit, nga Teqeja e Melçanit në Korçë tek ato të Krujës, Elbasanit, Gjirokastrës e deri në malësitë e veriut, paraqitet një hartë shpirtërore e Shqipërisë, ku çdo teqe është një qendër kulture, besimi dhe identiteti lokal. Autori i sheh këto qendra jo vetëm si vende kulti, por si institucione të kulturës popullore, ku janë zhvilluar festa, kuvende, shkëmbime idesh dhe ku janë ruajtur kujtesat e komuniteteve.
Një kapitull i posaçëm i kushtohet virtytit të tolerancës, që është themeli i bektashizmit. Në Shqipëri, ku për shekuj kanë bashkëjetuar katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe bektashinj, kjo filozofi ka qenë një element stabilizues. Libri tregon se bektashizmi ka ofruar një model unik të bashkëjetesës, ku feja nuk shihej si ndarje, por si pasuri e përbashkët. …Periudha pas viteve ’90 përfaqëson një ringjallje të fuqishme të bektashizmit. Pas dekadash ndalimi brutal nga regjimi komunist, urdhri u rikthye me një vrull të ri, duke rindërtuar jo vetëm teqetë e shkatërruara, por edhe duke ngritur institucione moderne.
Kryegjyshata Botërore në Tiranë u shndërrua në një qendër të rëndësishme fetare, kulturore dhe studimore. Ndërtimi i Odeonit të Bektashinjve, hapja e Muzeut Bektashian, e Bibliotekës dhe e Arkivit i dhanë këtij institucioni një status kombëtar e ndërkombëtar. Në këtë kontekst dhe në këtë libër kontributi i Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj shfaqet si trashëgimtar i denjë i traditës së kryegjyshëve, por njëkohësisht modernizues dhe vizionar, që ka sjellë bektashizmin në një stad të ri të komunikimit me shoqërinë dhe botën.
Vepra “Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri” është ndërtuar me metodën e një enciklopedie, sepse nuk kufizohet vetëm në rrëfimin kronologjik të ngjarjeve apo përshkrimin e figurave kryesore, por synon të japë një panoramë sa më gjithëpërfshirëse të botës bektashiane. Ajo ndërthur elementët e historisë, teologjisë, antropologjisë dhe gjeografisë kulturore, duke i ofruar lexuesit një tablo të plotë të këtij tarikati. Enciklopedizmi i saj qëndron në faktin se çdo aspekt i bektashizmit-që nga origjinat e deri te zhvillimet bashkëkohore- paraqitet me kujdes, i ilustruar me të dhëna, harta, dokumente, dhe shembuj konkretë nga jeta e përditshme e komunitetit. Në këtë mënyrë, libri bëhet një burim i domosdoshëm për studiuesit, besimtarët, por edhe për publikun e gjerë, sepse i jep lexuesit ndjesinë e një laboratori të hapur të dijes, ku shpjegohen rrënjët dhe tiparet themelore të bektashizmit shqiptar.
Një nga vlerat themelore të librit është ofrimi i një karte të plotë gjeografike të shpërndarjes së teqeve në territorin shqiptar. Teqetë nuk janë thjesht qendra kulti, por shënojnë nyje shpirtërore dhe kulturore nëpër të cilat është zhvilluar jeta e komuniteteve përreth.
Duke evidentuar vendndodhjen e tyre-nga teqetë historike të Frashërit, Melçanit e Krujës, tek ato të Vlorës, Gjirokastrës dhe Shkodrës-libri ndihmon të kuptohet se si bektashizmi ka qenë i pranishëm në të gjitha krahinat shqiptare, duke ndikuar si në jug, ashtu edhe në veri.
…Libri nuk ndalet vetëm në përshkrimin e qendrave të bektashizmit, por sjell edhe një pasqyrë të qartë të rolit të bektashinjve në momente vendimtare të historisë shqiptare. Që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, ku figura si Naim dhe Sami Frashëri përfaqësonin mishërimin e idealeve kombëtare me frymën bektashiane, e deri te Shpallja e Pavarësisë në 1912, bektashizmi u bë një shtyllë shpirtërore e lëvizjes kombëtare. Teqetë shërbyen si vatra të ruajtjes së gjuhës shqipe, vende ku shpërndaheshin libra dhe ku organizoheshin mbledhje të fshehta patriotësh. Më pas, gjatë Kongresit të Lushnjës dhe viteve të konsolidimit të shtetit, bektashinjtë ishin mbështetës të fortë të Shqipërisë moderne. Kjo pasqyrë e rolit të tyre tregon se bektashizmi nuk ishte një tarikat i mbyllur në vetvete, por një forcë aktive e historisë kombëtare, që ndihmoi në krijimin e një identiteti të përbashkët shqiptar përtej dallimeve krahinore dhe fetare.
Një nga elementët më origjinalë të veprës është analiza që i bëhet tolerancës fetare, e cila në bektashizëm ka qenë gjithmonë një virtyt themelor. Libri tregon se ky tarikat nuk është kufizuar asnjëherë nga dogmat, por ka promovuar gjithmonë respektin për tjetrin, qoftë ky mysliman, i krishterë, hebre apo i paanshëm fetarisht. Kjo frymë e bektashizmit ka ndikuar drejtpërdrejt në kulturën shqiptare duke e bërë tolerancën fetare një koncept universal shqiptar. Në analizën e librit shihet qartë se bektashizmi nuk është thjesht një doktrinë mistike, por një model i bashkëjetesës paqësore, që ka ndihmuar në ruajtjen e unitetit kombëtar dhe që ka shërbyer si shembull edhe në rajonin ballkanik…
Në fund, vepra shërben si një model metodologjik për punime të mëtejshme. Duke ndërthurur historinë, gjeografinë, dokumentet arkivore, dëshmitë gojore dhe analizën sociologjike, Baba Mondi ka ndërtuar një format enciklopedik, i cili mund të shërbejë si bazë për një Enciklopedi të plotë të Bektashizmit. Ky vizion i gjerë që ofron libri është një ftesë për studiuesit, historianët, antropologët dhe teologët që të bashkëpunojnë në krijimin e një baze të plotë dhe afatgjatë të dijes mbi bektashizmin. Në këtë kuptim, vepra nuk është vetëm një arritje për të sotmen, por edhe një premisë për të ardhmen e studimeve bektashiane. “Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri” duhet parë si një testament kulturor dhe shpirtëror i urdhrit bektashian në vendin tonë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një botim informues, por me një akt të vetëdijshëm kulturor, ku dokumentohet një pjesë thelbësore e shpirtit shqiptar. Përmes këtij botimi, Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, dëshmon se është jo vetëm një udhëheqës fetar në kuptimin klasik të fjalës, por edhe një mesazher i kulturës së paqes, tolerancës dhe dashurisë, një figurë që i tejkalon kufijtë e besimit për t’u shndërruar në udhëheqës shpirtëror të një kombi të tërë. Vepra vendos bektashizmin në qendër të identitetit shqiptar, duke e paraqitur jo thjesht si një traditë mistike islame, por si një urë lidhëse midis religjionit dhe kombit. Ajo dëshmon se bektashizmi ka qenë dhe mbetet një kulturë që shkon përtej ritualeve fetare, duke shfaqur një ndikim të drejtpërdrejtë në art, letërsi, gjuhë dhe ideologjinë kombëtare.
Një vlerë tjetër e librit është fakti se ai ofron një dritare për studiuesit e sotëm. Ai u jep atyre mundësinë të shohin bektashizmin jo si një relike të së shkuarës, por si një traditë të gjallë, e cila vazhdon të ndikojë edhe sot në marrëdhëniet shoqërore, fetare dhe kulturore. Përmes hulumtimit të detajuar mbi teqetë, figurat historike, kontributet në arsim dhe politikë, libri shndërrohet në një bazë solide për kërkime të mëtejshme akademike, duke i hapur rrugë një qasjeje të re, ndërdisiplinore, mbi këtë fenomen të veçantë shqiptar. Në një dimension tjetër, vepra ka edhe karakterin e një shkolle të mendimit dhe shpirtit.
Së fundi, duke ndriçuar traditën, historinë dhe kulturën shqiptare në tërësi, kjo vepër dëshmon se bektashizmi mbetet një nga pasuritë më të vyera të trashëgimisë kombëtare. Ai është një identitet shpirtëror që mbart në vetvete universalizmin e tolerancës dhe një memorie kolektive që i përket gjithë shqiptarëve. Kështu, vepra “Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri” nuk është thjesht një libër, por një monument kulturor, një arkiv shpirtëror dhe një testament i gjallë që i flet brezave të sotëm dhe të ardhshëm për fuqinë që ka një traditë kur bëhet pjesë e historisë së kombit.

VAZHDIMI I KOLANËS
Pas daljes nga shtypi të dy volumeve të para të kolanës “Shtrirja gjeografike e Bektashizmit…”, e autorit Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, është në proces përfundimi dhe pjesa e tretë e kësaj kolane, e cila ka si objekt shtrirjen e objekteve bektashiane në botë, rolin e tyre si qendra besimi fetar e atdhetar, në historinë tetëshekullore të besimit të paqtë bektashian. Botimet e sapo dalë nga shtypi, do të të prezantohen në një takim të veçantë në panairin e Librit-2025, që zhvillohet në mesin e muajit nëntor të vitit 2025, në Pallatin e Kongresit në Tiranë, dhe do jenë të pranishme në stendat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në këtë panair të përvitshëm.

« Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri » duhet parë si një testament kulturor dhe shpirtëror i urdhrit bektashian në vendin tonë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një botim informues, por me një akt të vetëdijshëm kulturor, ku dokumentohet një pjesë thelbësore e shpirtit shqiptar. Përmes këtij botimi, Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, dëshmon se është jo vetëm një udhëheqës fetar në kuptimin klasik të fjalës, por edhe një mesazher i kulturës së paqes, tolerancës dhe dashurisë, një figurë që i tejkalon kufijtë e besimit për t’u shndërruar në udhëheqës shpirtëror të një kombi të tërë.

“Vepra ‘Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri’ e Dede Edmond Brahimajt, është ndërtuar me metodën e një enciklopedie, sepse nuk kufizohet vetëm në rrëfimin kronologjik të ngjarjeve apo përshkrimin e figurave kryesore, por synon të japë një panoramë sa më gjithëpërfshirëse të botës bektashiane. Ajo ndërthur elementët e historisë, teologjisë, antropologjisë dhe gjeografisë kulturore, duke i ofruar lexuesit një tablo të plotë të këtij tarikati. Enciklopedizmi i saj qëndron në faktin se çdo aspekt i bektashizmit-që nga origjinat e deri te zhvillimet bashkëkohore- paraqitet me kujdes, i ilustruar me të dhëna, harta, dokumente, dhe shembuj konkretë nga jeta e përditshme e komunitetit.”

“…Një vlerë tjetër e librit është fakti se ai ofron një dritare për studiuesit e sotëm. Ai u jep atyre mundësinë të shohin bektashizmin jo si një relike të së shkuarës, por si një traditë të gjallë, e cila vazhdon të ndikojë edhe sot në marrëdhëniet shoqërore, fetare dhe kulturore. Përmes hulumtimit të detajuar mbi teqetë, figurat historike, kontributet në arsim dhe politikë, libri shndërrohet në një bazë solide për kërkime të mëtejshme akademike, duke i hapur rrugë një qasjeje të re, ndërdisiplinore, mbi këtë fenomen të veçantë shqiptar. Në një dimension tjetër, vepra ka edhe karakterin e një shkolle të mendimit dhe shpirtit….”

MESAZH PËR LEXUESIN I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN HAXHI DEDE BABA, EDMOND BRAHIMAJ
Të nderuar besimtarë dhe dashamirës! Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Shqipëri (nga 28 janari i vitit 1930 dhe deri sot), në këto 95 vjet, ka kontribuar me rolin e saj në harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare, si një trashëgimi e vyer jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në botë. Por grupe të caktuara, për interesa të ndryshme po tentojnë të cenojnë ekuilibrat shoqërore, territoriale, morale dhe fetare. Krahas të tjerave në këtë libër kam synuar që veç fenomenit historik të zhvillimit të bektashizmit në shekuj, të trajtoj dhe disa nga këto dukuri. Gjithashtu, prezantoj edhe objektet e kultit bektashian në Shqipëri e jashtë saj, duke u mbështetur në dokumentet arkivore, historike të realitetit të kohës, për të qenë sa më afër rolit të besimit tonë të paqtë, i cili është e vazhdon të mbetet tarikat i njohur në gjithë botën, përballë tendencave dashakeqe e smirës të pa bazë.
Me gjithë punën e bërë edhe pas viteve `90, në këto 35 vjet të ringjalljes së bektashizmit, kërkojmë të na ndihmoni me gjetjen e dokumenteve, fotove dhe shkrimeve, legjendave dhe gojëdhënave, librave të vjetër, objekteve muzeale, identifikim të vendeve të mira të hershme etj. Ato do të pasurojnë arkivin e Kryegjyshatës dhe do të pasqyrohen edhe në ribotimin e këtij libri. Mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan dhe kontribuan për përgatitjen e këtij libri, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të realizohej ky libër voluminoz, të cilin e keni tani në duar. Mirëpresim sugjerimet tuaja për një ribotim në të ardhmen. Paçi bekimin e Zotit! Amin!

LIBRA TË AUTORIT
-Hazreti Ali
-Imam Hyseni
-Nefes-Jeta ime
-Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri-Volumi i parë
-Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri-Volumi i dytë
-Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Botë-(në shtyp)