KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE NË HOMAZHET PËR ISH -KRYEMINISTRIN FATOS NANO

Ditën e diel , 2 nëntor 2025, në Tiranë, u zhvilluan homazhet zyrtare në nderim të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare në periudhën e tranzicionit demokratik.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, të jetës politike, fetare e shoqërore, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të z. Nano.
Në qendër të pjesëmarrjes fetare ishte Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili, me praninë dhe bekimin e tij, nderoi kujtimin e një personaliteti që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë moderne të Shqipërisë.
Gjatë homazheve, Kryegjyshi Botëror u ndal pranë arkivolit të ish-kryeministrit, duke vendosur një buqetë me lule dhe duke bërë lutje për paqe e dritë shpirtërore në nder të jetës dhe veprës së tij.
Në fjalën e shkurtër për median, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj u shpreh se:
“Fatos Nano do të mbetet një figurë e rëndësishme në kujtesën e popullit shqiptar. Ai shërbeu me përkushtim për vendin dhe kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike pas një periudhe të vështirë për Shqipërinë. Sot ne lutemi që shpirti i tij të pushojë në dritën e Zotit dhe të kujtohet me respekt për kontributin e dhënë në paqen dhe stabilitetin e vendit.”
Pjesëmarrja e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve në këtë ceremoni përbën një shprehje të vlerësimit të lartë që komuniteti bektashian ka për figurat që kanë shërbyer në dobi të kombit dhe të bashkëjetesës fetare e njerëzore.
Homazhet u zhvilluan në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku mijëra qytetarë dhe personalitete të ndryshme i dhanë lamtumirën e fundit z. Nano, i cili do të mbahet mend për rolin e tij si drejtues shteti, reformator dhe njeri i dialogut.