VËLLIMI POETIK “FRYMËZIMET E NJË DERVISHI”, I KLERIKUT MIKEL ONJEJA, NJË LIBËR ME VLERA TË RRALLA

-Libri i botuar nën kujdesin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj

Nga Kujtim BORIÇI

Këto dit, doli nga shtypi vëllimi poetik “Frymëzimet e një dervishi”- (pjesa e parë),  i klerikut bektashi, Dervish Mikel Onjeja. Nisur nga tematika e poezive, gjetjet, adhurimi për objektet hyjnore e shpirtërore, mesazhet dhe përkujdesja për vargun, e bëjnë këtë libër krejt të veçantë, në morinë e botimeve të shumta poetike të këtij tranzicioni të gjatë shqiptar. Dervish Mikeli, ka vite që ka publikuar poezitë e tij në faqet e suplementit “Pena Shqiptare” të gazetës ‘Telegraf’ e në disa organe të tjera, duke tërhequr vëmendjen e specialistëve dhe lexuesve. Ky libër është pjesa e parë e kolanës tre volume, me të njëjtin titull: “Frymëzimet e një dervishi”. Libri i botuar, është shoqëruar me një mesazh nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dhe parathënien nga poeti e publicisti Kujtim Boriçi, njëkohësisht redaktor i librit.

LIBËR QË SJELLË E PASQYRON
TRADITËN POETIKE BEKTASHIANE

Haxhi Dede Baba, Edmond BRAHIMAJ
Kryegjysh Botëror i Bektashizmit
Bismilahim Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Në traditën fetare e atdhetare të bektashizmit, gjatë tetë shekujve jetë të tij, mistika, nefeset, këngët dhe vargjet, kanë shoqëruar vazhdimisht mbijetesën e këtij besimi, duke kontribuar jo pak në shtimin numerik e gjeografit të besimtarëve në mbarë botën, në drejtësinë e udhës së Ehli Bejtit, në forcimin e besimit të pa lëkundur në Zot, në forcimin e bashkëjetesë, solidaritetit, dashurisë njerëzore, mirësisë e paqes universale. Pasuria dhe përparësitë e misionit bektashian, shprehur edhe nëpërmjet poezisë, është ndër të veçantat në këtë fushë, ku kanë spikatur ndër shekuj kolosë të mendimit e vargut, klerikë, poetë, shkrimtarë të këtij besimi e miq të tyre të shumtë. Bektashiu, poeti kombëtar, rilindasi shqiptar Naim Frashëri, për ne, është e do të mbetet ‘qershia mbi tortë’ në fushën e poezisë. Vargjet naimiane, të sintetizuara në devizën e besimit tonë, “Pa atdhe, nuk ka fe!’, janë e do të mbeten krenari dhe shembull në rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian.  Në këtë rrugë, natyrshëm e në formën e stafetës, brez pas brezi, kanë dhënë kontributin e tyre dhe shumë vëllezër tanët, klerikë bektashian. Së fundi, në udhën e poezisë bektashiane, modestisht renditet tashmë dhe vëllai im, dervish Mikel Onjeja, që vjen me librin me vjersha, “Frymëzimet e një dervishi”. Ai është prezantuar këto vite dhe medien letrare kombëtare të kohës, duke sjellë së fundi dhe këtë libër.  Që në nisje e në vijimësi, mbështeta e përkraha kontributin e vëllait dervish Mikel Onjesë, në këtë rrugë tradite, duke ndërmarrë dhe botimin e librit. Shpresoj dhe uroj dhe bekoj që vjershat e tij, që tashmë ju i keni të përmbledhura në libër, të lexohen, të pëlqehen dhe të sjellin tek ju sadopak, jetën dhe përkushtimin bektashian në të mirë të paqes e dashurisë njerëzore. Po ashtu, në këtë rast, dua të evidentoj e vlerësoj dhe punën e redaktorit të libri, Kujtim Boriçi, për përzgjedhjen dhe përgatitjen për botim.
Përgëzime e suksese të tjera, vëllait tim, dervish Mikel Onjesë!
Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!

“FRYMËZIMET E NJË DERVISHI”, BUQETË POEZISHË ME
 MOTIVE PËR MISIONIN E BESIMIT TË PAQTË BEKTASHIAN”

Kujtim BORIÇI
Publicist, poet

Kishte kohë në rrjetet sociale e, më rrallë në medien e kohës, në morinë e publikimit të poezive ‘pa doganë’, dukuri prezent këto vite, më kishin rënë në sy disa vjersha të klerikut bektashian, dervish Mikel Onjesë. Më tepër se rima, ritmi, metrika e vargut, më tërhiqte motivi që ai trajton. Të gjitha këto krijime, kanë si motiv, besimin e paqtë bektashian (“Pa atdhe, nuk ka fe!), mbijetesën e këtij në mbi tetë dekada, rolin fetar e atdhetarë të klerikëve bektashi, misionin tij të shenjtë për dashuri, humanitet, paqe e dashuri njerëzore. Të dala e të shprehura këto ndjenja nga dervish Onjeja, njeri që i është përkushtuar përjetësisht Udhës së Haxhi Bektash Veliut, kanë mundur të bëjnë për vete besimtarë e lexues të shumtë. Duke kërkuar të njihem me poezinë e tij, (qindra vjersha në shumë vite), përtej modestisë së autorit, gjykova e mendova që një cikël të plotë të krijimtarisë, t’ia botoj tek suplementi “Pena Shqiptare”, të gazetës kombëtare “Telegraf”. Atë kohë, ndër të tjera, në prezantimin shoqërues, shkrova: “Përtej petkut të bardhë e misionit të klerikut, nëpërmjet penës së tij, dervish Mikel Onjeja, hedh në letër përjetimet shpirtërore dhe mesazhet që i burojnë nga zemra. Poezia e tij, është një poezi ndjenje, përjetimi, që vjen natyrshëm e që merr shkas nga jeta e përditshme, nga hallet, dertet e shpresat e njerëzve të thjeshtë. Thjeshtësia e vargut, e shprehur dhe nëpërmjet përshkrimeve, epiteteve, të bën të ndjesh emocion, admirim e adhurim. Rasti i këtij kleriku-poet, është sot i rrallë jo vetëm si risi, por dhe për vlerat atdhetare, artistike e jetësore që sjellë poezia e tij. Këtë e shikon qoftë dhe nëpërmjet ciklit të mëposhtëm, (“Erdh’ një zog e më kujtoi…”), shkëputur nga dhjetëra vjersha të tij, përzgjedhur për botim..”. Dhe kjo krijimtari e publikuar, u mirëprit nga lexuesi dhe njohësit e kësaj fushe. Ndoshta gjithçka mund të kishte përfunduar këtu, duke e lënë krijimtarinë e dervish Mikelit në udhën spontane të publikimit të deritanishëm, nëse nuk do të ishte sugjerimi e angazhimi e mbështetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Pikërisht, kjo mbështetje, bëri që pjesa e parë e “Frymëzimet e një dervishi”, të jetë sot në duart e lexuesve, si pasuri modeste në plejadën e poetëve bektashinj.

(Botuar në gazetën “Telegraf”, e premte, 07.11.2025)
CIKËL ME POEZI, NGA MIKEL ONJEJA

1-Mbi teqe, erdh’ një pëllumb i bardhë…

Një pëllumb i bardhë,
Mbi teqe na erdhi,
Na solli beharë,
Urimet i derdhi.

Nuk e di ç’do jetë,
Mbase është një shpirtë,
Erdhi mbi teqe,
Flatrat sjellin dritë.

Në sy më vështroi,
Më tha, ‘këtu gjeta çerdhe’,
I ula në gjunjë, ulur në prag,
I thash ‘mirë se erdhe!’.

Nisi cicërimën e ëmbël,
Më vështron ndër sy,
Zgjata, dorën, e vura nën ‘të,
Këngën nisëm të dy…

Turan-Tepelenë, 1 mars 2019

2-Etyd….

I mbylla sytë për një orë,
Pashë një varg me shërbëtorë,
Ku ishte kreu, ku ishte fundi,
Unë s’dukesha gjëkundi.

I rashë përqark, pashë kundruall,
Larg e afër e nga matanë,
E gjeta veten duke punuar,
Ndërtoja strehë për fukaranë.

Merrja ujë për në shkretëtirë,
T’ pinin buzët që ishin thekur,
E njerëzve në at’ luftë mynxyrë,
Dhe bëja lutje për çdo të vdekur.

Bashkë me nënat, nga sytë lotoja,
Për fëmijët e tyre të plagosur,
Në gjunjë përulur, Zotit i kërkoja,
Të shuhej kjo luftë që ka pllakosur.

Të binte qetësia si fllad pranveror,
Dhe njerëzia në paqe të jetonin,
Ndërkohe me thirrën, ‘o shërbëtor’,
…S’kisha dëshirë që të më zgjonin.

I hapa sytë dhe ujë u hodha,
Duke menduar ata që s’kanë,
Vargut me shërbëtorë iu bashkova,
Duke bërë lutje për fukaranë.

3- Naim Frashëri, bilbil i Bektashisë…

O bilbil i Bektashisë,
Penë e ndritur bojë artë,
Burrë i shenjtë i shqiptarisë,
Poeti që nuk lind më prap.

Ç’gji të dha ajo nënë,
Ajo princeshë shqiptare,
T ka ushqyer me dritë,
Ajkë e Shqipes dykrenore.

O Naim, mali me borë,
Që tunde perandorinë,
U radhite ndër shenjtorë,
Që u shkrinë për Shqipërinë.

Natë e ditë syri pa gjumë,
Për shkolla e abetare,
Kombit tonë dritën ua sollët,
Se deshën t’ia fiknin fare.

Si qiri, jetën e shkritë,
Burra me mendje të ndritur,
Dhe na e sollët këtë ditë,
Shqipja jonë sa e kishte pritur.

Tradhtarët e Shqipërisë,
Nuk na donin, as na duan,
Gjuhën tonë të Perëndisë,
Vetë Perëndia e ruan.

4-Unë jam një i vdekur…

Unë jam një i vdekur,
Ata janë të gjallë,
Ndaj çdo natë në tyrbe,
Shkoj të shuaja mall…

Unë jam një i vdekur,
Ata janë të gjallë,
Në mejdan të Hakut,
Namazin do fal.

Unë jam një i vdekur,
Ata janë të gjallë,
Për Imam Hysenin,
Loti më shkon vallë…

Unë jam një i vdekur,
Ata janë të gjallë,
Udhë e Ehli-Bejtit,
Ty të qofsha falë!

31 gusht 2019

5-Lutje e dervishit…

Një dervish që rri në portë,
Mbani vesh se ç’ lutje thotë,
Në botë paqja mbizotëroftë,
Edhe lufta u largoftë!”

Mos kujto se zuri këndin,
Rri i qete e mban kuvendin,
Është përherë në përgjërime,
Ne lutje, në agjërim.

Lutet e punon që të ketë paqe,
Jo me gjak e lot në faqe,
Të lindë shpresa e besimi,
Larg nga dhuna e mjerimi.

Turan-Tepelenë, 18 qershor 2025