Aktiviteti zhvillohet sot (e premte, 14 nëntor 2025), në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve-Tiranë

Nga Kujtim BORIÇI
Sot (e premte, 14 nëntor 2025), në kuadër të “Panairi i Librit-2025”, në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve-Tiranë, bëhet promovimi i dy volumeve të parë të kolanës “Shtrirja e Bektashizmit…”, të autorit, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit. Në këtë aktivitet, do të jenë të pranishëm, drejtues të “Panairi i Librit-2025”, funksionarë shtetërorë, deputetë, kryetarë të besimeve fetarë në Shqipëri, teologë, studiues të fushave të ndryshme, historianë, besimtarë e dashamirës të librit. Prezantimi i librit do të bëhet nga akademikë, historianë e teologë.
PROF. Dr. KALIOPI NASKA PËR LIBRIN
…Në këtë kolanë, auutori jep qartë simbolikisht se ç’është bektashizmi në përmbajtjen dhe thellësinë e tij mistike. Materiali i paraqitur shërben në shumë aspekte: fetare, organizative, rolin dhe kontributin e bektashinjve gjatë gjithë historisë shqiptare, që nga shekulli XIII, në fillesat e bektashizmit me misionarin e parë, Sari Salltik e në vijimësi.
Studimi në tri vëllime, është interesant në përmbajtje, me strukturë të përmbledhur sistematikisht dhe kronologjikisht. Libri ofron një panoramë të detajuar të tarikatit bektashian, është edhe një itinerar shpirtëror i vlerave të veçanta bektashiane, ku theksi vihet në promovimin e barazisë, tolerancës dhe bashkëjetesës së gjithëpranuar midis komuniteteve fetare në vendin tonë. Ky libër, që për herë të parë do të shërbejë si guidë-enciklopedi shkencore, përfshin njohuri për të gjitha fushat e jetës e të veprimtarive të sistemuara në mënyrë të përmbledhur. Dija enciklopedike është edhe dije historike, sepse sjell të dhëna për historinë e organizimit të bektashizmit në Shqipëri, për shtrirjen gjeografike dhe vendndodhjen e tyre. Ato shoqërohen me foto, harta gjeografike të gjashtë gjyshatave bektashiane në Shqipëri.
…Me punën studimore të kryer me përkushtim, në volumet e këtij libri trajtohen të dhënat për rolin e bektashizmit në kulturën shqiptare dhe gjurmët historike që la në jetën shpirtërore, shoqërore dhe kombëtare shqiptare. Pas viteve `90, Kryegjyshata Botërore Bektashiane i ka dhënë rendësi të veçantë botimeve letrare, historike, bibliografike dhe revistave të ndryshme kushtuar bektashizmit në Shqipëri. Në hulumtimet dhe trajtimin e bërë nga autori i librit, sillen gjithashtu të dhëna mbi arkitekturën bektashiane dhe tipologjinë e saj, që vihet re në shumë teqe dhe tyrbe. Po ashtu, nga shumë autorë të huaj dhe vendas, jepet qartë evolucioni i arkitekturës së teqeve, që nga fillimi i mbizotërimit otoman në Shqipëri, deri më sot. Vepra më unikale sot është Tempulli i Bektashizmit (Odeoni), qendra Multifunksionale, fetare-kulturore. Vijon më tej në libër me piktura bektashiane, shprehur me vizatime dhe kompozimet pikturale që gjenden në teqe, me subjekte bektashiane. Me njohjen e kësaj guideenciklopedi, çdo njeri mund të marrë informacion, të shikojë piktura dhe kompozime të subjekteve bektashiane.
…Në mbështetje të shtrirjes gjeografike të bektashizmit, dhe krijimit të kësaj guide-enciklopedi, hartuesi i këtij libri sjell një informacion me mjaft vlera, që transmetohet me publikimet e Hartës së Shqipërisë, Hartës se Botës dhe Hartës së objekteve të kultit bektashian në Ballkan. Këto harta e bëjnë shumë tërheqës këtë libër, që rrit interesin e kërkimit shkencor dhe nga shkencat fetare, për besimin bektashian, si edhe interesat e zhvillimit të turizmit fetar duke shpalosur vlerat e tij kombëtare të tolerancës fetare në vendin tonë. Me paraqitjen e pamjeve fotografike ndihmohen të rinjtë të informohen me vlerat fetare e turizmin fetar. Vëllimet e kësaj kolane, përbëjnë një studim shkencor që evidenton arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, duke vlerësuar prurjet dhe kontributet historike, në këtë rrugëtim të gjatë të këtij besimi, duke shënuar një risi për kulturën dhe historinë bektashiane. Punimi merr vlera të veçanta me argumentet e informacionet e sjella, që mbështeten në dokumentet e karakterit historik, juridik e organizativ. Vëllimi i dytë ofron një katalog të gjerë dhe të detajuar në të gjitha teqetë, tyrbet dhe vendet e mira në të gjashtë gjyshata bektashiane. Shtrirja gjeografike e objekteve të kultit nuk është shteruese, pasi për mungesë informacioni, mund të ketë vende të shenjta që nuk janë përfshirë.
…Punimi merr vlera të veçanta me argumentet e informacionet e sjella, që mbështeten në dokumentet e karakterit historik, juridik e organizativ. Vëllimi i dytë ofron një katalog të gjerë dhe të detajuar në të gjitha teqetë, tyrbet dhe vendet e mira në të gjashtë gjyshata bektashiane. Shtrirja gjeografike e objekteve të kultit nuk është shteruese, pasi për mungesë informacioni, mund të ketë vende të shenjta që nuk janë përfshirë. Në përfundim, një falënderim dhe vlerësim shkon, për autorin, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj për kontributin e dhënë me punën kërkimore shkencore në ndriçimin e zhvillimeve historike të bektashizmit në Shqipëri, për ideimin dhe përgatitjen e librit, “Shtrirja Gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri”(Guidë-enciklopedi) në dy vëllime. Një vlerësim jepet dhe për konsulentin Nuri Çuni, redaktorin Kujtim Boriçi si dhe për të gjithë mbështetësit specialistë që ndihmuan në përgatitjen për botim të tij.
BEKTASHINJTË NË “PANAIRI I LIBRIT-2025”
Në “Panairi i Librit-2025” që u çel ditën e mërkurë, 12.11.2025, Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ka një pjesëmarrje më cilësore dhe sasiore se sa vitet e tjera. E veçanta është se në stendat e saj, me rreth 100 tituj, lexuesi do të ketë mundësi të njihet me shumë tituj të rinj librash, botim i këtij institucioni. Ndër ‘ta mund të përmendim librat, me autor, Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, përkatësisht: “Nefes-Jeta ime”, “Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri-Volumi i pare”, “Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri-Volumi i dytë”. Janë ekspozuar dhe shumë botime të rinj dhe të viteve më parë, të autorëve të huaj, me tematikë bektashizmin e jo vetëm.
Në ditën e tretë të panairit, e premte, 14 nëntor 2025, ora 14:00,në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve-Tiranë, hyrja majtas godinës, do të bëhet promovimi i dy librave të kolanës “Shtrirja e bektashizmit në Shqipëri…”, me autor, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit. Që në ditën e parë, stenda e Selisë së Shenjtë, priti shumë dashamirës e blerës të libri. Panairi, mbyllet të dielën, 16 nëntor 2025
PAK FJALË PËR KËTË LIBËR
Dede Baba, EDMOND BRAHIMAJ
Autor i librit
Bektashizmi, si një udhë mistike e islamit, ka një vend të veçantë në historinë shpirtërore dhe kulturore të Shqipërisë. Ai nuk është thjesht një formë adhurimi dhe lutje ndaj Zotit, por një mënyrë jetese, një filozofi e humanizmit dhe e tolerancës, që ka mbështetur identitetin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve për shekuj me radhë. Vëllim i dytë që keni sot në duar, ka për qëllim të analizojë shtrirjen gjeografike të bektashizmit në Shqipëri, marrë parasysh jo vetëm vendndodhjen fizike të teqeve dhe tyrbeve, por edhe ndikimin shpirtëror, social dhe kulturor që ato kanë pasur në komunitet. Duke u zhvilluar përmes shekujve në ndërthurje të ngushtë me historinë e kombit, ai ka ndikuar thellësisht në formimin e kulturës, artit dhe mendimit shqiptar. Në këtë kontekst, shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri nuk është vetëm një çështje numerike apo territoriale, por një pasqyrë e gjallë e zhvillimeve shoqërore, politike dhe shpirtërore që kanë shoqëruar popullin tonë në rrugëtimin e tij shekullor. Ky studim, vjen si një përpjekje për të ndriçuar me thellësi hartën shpirtërore të bektashizmit në trojet shqiptare. Nëpërmjet këtij punimi, synohet jo vetëm të dokumentohet përhapja e teqeve dhe qendrave bektashiane në Shqipëri, por edhe të kuptohet dinamika e tyre në raport me historinë kombëtare, me zhvillimet politike të kohëve të ndryshme dhe me rolin që bektashizmi ka luajtur në ruajtjen e harmonisë fetare, identitetit kombëtar dhe vlerave njerëzore.
Qëllimi i studimit
Ky botim synon të ofrojë një panoramë sa më të plotë dhe shkencore të përhapjes së bektashizmit në Shqipëri, duke u mbështetur në dokumente historike, dëshmi arkivore dhe burime gojore. Ai është një ftesë për studiuesit, besimtarët dhe lexuesit që të njihen më thellë me një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore që përbën një pjesë të pandarë të trashëgimisë shqiptare. Nëpërmjet këtij studimi, qëllimi i ynë është të dëshmojmë edhe njëherë misionin e tij, si udhërrëfyes shpirtëror i bektashinjve, por edhe si ruajtës i kujtesës historike të një besimi që ka dhënë aq shumë për paqen, bashkëjetesën dhe zhvillimin moral të shoqërisë shqiptare. Ky libër synon të jetë një dëshmi e përpjekjes për të mbajtur të gjallë kujtesën e rrënjëve, në një kohë kur globalizimi shpesh tenton të zbehë vlerat dhe traditat e lashta.
Bektashizmi, me përhapjen e tij të gjerë në mbarë Shqipërinë, është dëshmi e një fryme që nuk njeh kufij. Ai është një udhë shpirtërore që fillon nga dashuria për Zotin dhe përfundon në dashurinë për njeriun. Çdo qendër bektashiane është një dritare drejt kësaj bote të brendshme, ku bashkohen e ndërthuren historia, besimi dhe njerëzia. Prandaj, ky libër nuk është thjesht një udhëtim gjeografik nëpër trojet shqiptare, por një udhëtim shpirtëror në zemrën e një tradite, që ka ndërtuar paqen përmes dashurisë, dijes dhe përulësisë. Me këtë frymë, “Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri” vjen si një homazh për të gjithë ata që kanë ruajtur e përhapur dritën e bektashizmit, nga Frashëri në Tomor, nga Kruja në Sarandë, duke ndriçuar udhën e brezave të ardhshëm.
…Ky studim nuk është thjesht një inventar gjeografik-guidë; ai është harta shpirtërore që reflekton identitetin dhe përkushtimin e shqiptarëve ndaj traditës së tyre mistike.
Përmes këtij vëllimi, lexuesi do të kuptojë se Bektashizmi nuk është vetëm një rrjedhë fetare; ai është një mënyrë jetese që përçon paqe, dashuri dhe dritë shpirtërore në çdo cep të Shqipërisë. Çdo teqe, çdo tyrbe, çdo qendër shpirtërore është një pikë e ndritshme në hartën e shpirtit shqiptar, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke ofruar udhërrëfyes për të ardhmen.
DORIAN KOÇI (STUDIUES)
…Botimi i kolanës “Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri” përfaqëson një ndër kontributet më madhore që i është bërë studimit të bektashizmit shqiptar në dekadat e fundit. I ndarë në tri vëllime dhe i shkruar nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, ky libër merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për komunitetin bektashian, por për të gjithë kulturën dhe historinë shqiptare. Vepra ndërtohet si një udhërrëfyes enciklopedik, ku kombinohen historia, universalizmi, shtrirja gjeografike, traditat shpirtërore, roli shoqëror dhe ndikimi kulturor i këtij tarikati në jetën kombëtare shqiptare. …Ky libër merr formën e një udhë përshkrimi gjeografik përmes teqeve dhe vendeve të shenjta që shtrihen në të gjithë territorin shqiptar.
NURI ÇUNI (STUDIUES)
Libri “Shtrirja gjeografike e bektashizmit në Shqipëri”, i autorit Dede Edmond Brahimaj, jo vetëm një punim i rrallë për bektashizmin, një risi, por dhe një ‘pasaportë’ identiteti për historinë tetë shekullore të misionit bektashian, rolin fetar e atdhetar të objekteve të kultit bektashian dhe klerikëve që kanë punuar e punojnë me përkushtim për këtë besim të mrekullueshëm. Ky punim shkencor, është një punë shumëvjeçare, mbështetur në dokumente zyrtare të kohës, dëshmi, burime historike e arkivore, të qëmtuara me përgjegjësi e kujdes, për të arritur nga autori, në këtë guidë-enciklopedi. Në këtë aspekt, kjo kolanë, shkruar me dashuri, përkushtim e profesionalizëm, është një dokument me vlerë, për studiuesit, teologët, historinët dhe për çdo lexues. Njëkohësisht, ky punim me vlerë, mendoj se shërben për studime të mëtejshme në këtë fushë. Përgëzime dhe urime autorit.
LIBRA TË AUTORIT
-Hazreti Ali
-Imam Hyseni
-Nefes-Jeta ime
-Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri-Volumi i parë
-Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri-Volumi i dytë
-Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Botë-(në shtyp)
