
Në kuadër të Panairit të Librit 2025, Kryegjyshata Botërore Bektashiane prezantoi dy botime madhore që hedhin dritë mbi historinë, shtrirjen dhe rolin shpirtëror të Bektashizmit në trojet shqiptare: “Shtrirja e Bektashizmit në Shqipëri – Vëllimi I dhe II”, të autorit Haxhi Dede Edmond Brahimaj – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të “Panairi i Librit-2025”, përfaqësues institucionesh shtetërore e fetare, studiues, miq të dijes dhe dashamirës të kulturës bektashiane.
Këto dy vëllime përfaqësojnë një vepër të thellë kërkimore dhe shpirtërore, të realizuar me qëllimin për të dokumentuar historikun e teqeve, tyrbeve, personaliteteve dhe rrugëtimit shekullor të Bektashizmit në hapësirën shqiptare.
Në këtë atmosferë të mbushur me paqe e frymëzim, Kryegjyshi Botëror mbajti fjalën përshëndetëse, të cilën e sjellim të plotë më poshtë.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror
Të nderuar përfaqësues të institucioneve fetare e shtetërore,
të dashur studiues, besimtarë, miq e dashamirës të dijes,
Me paqe dhe dashuri ju përshëndes në këtë ditë të bekuar, ku fjala e shkruar na bashkon në emër të dijes, shpirtit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët.
Është një kënaqësi e veçantë që sot, në këtë Panair të Librit, paraqesim dy vepra të rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë shpirtëror: “Shtrirja e Bektashizmit në Shqipëri – Vëllimi I dhe II”.
Këto dy vëllime janë frut i një pune kërkimore, shpirtërore dhe historike, që synon të pasqyrojë me përkushtim udhën e shtrirjes së Bektashizmit në trojet shqiptare. Ato sjellin dritë mbi rolin e teqeve, tyrbeve dhe figurave të shquara bektashiane në ruajtjen e besimit, kulturës, identitetit kombëtar dhe në përhapjen e vlerave të dashurisë, tolerancës dhe bashkëjetesës.
Rëndësia e thelbi i këtyre botimeve është se, në çdo vend ku është ngritur dhe ngrihet një teqe, aty ngrihet një vatër drite e paqeje.
Bektashizmi ka qenë dhe mbetet një urë shpirtërore që lidh njerëzit me Zotin dhe me njëri-tjetrin, nëpërmjet udhës së shenjtë të njeriut të mirë, të drejtë dhe të ndershëm. Në çdo kohë, mësimet e bektashinjve kanë ndriçuar zemrat e njerëzve me devotshmëri, paqe dhe vëllazëri universale.
Këto libra janë jo vetëm dëshmi historike, por edhe thirrje për reflektim shpirtëror. Përmes faqeve të tyre, lexuesi udhëton nëpër qindra vite përvoje, përkushtimi dhe shërbimi ndaj Zotit dhe kombit, duke parë se si Bektashizmi ka qenë pjesë e gjallë e jetës shqiptare në çdo cep të këtij vendi që prej shekullit XIII–XIV.
Në këtë Panair, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e këtyre veprave: studiuesit, bashkëpunëtorët, botuesit dhe të gjithë miqtë që ndajnë me ne të njëjtin mision – të ruajmë dhe të përcjellim vlerat shpirtërore e njerëzore që na bashkojnë.
Le të jenë këto botime një udhërrëfyes për brezat e sotëm e të ardhshëm, një dëshmi e gjallë se feja, dija dhe dashuria janë tri shtylla që mbajnë lart njeriun dhe kombin.
Në frymën e Zotit, në paqe e dashuri, ju përgëzoj dhe ju uroj lexim të frytshëm!
Paçim dritë, paqe e dashuri në çdo zemër!
Me botimin e këtyre dy vëllimeve, Kryegjyshata Botërore Bektashiane vijon misionin e saj për të ruajtur, dokumentuar dhe transmetuar vlerat e pasura shpirtërore të komunitetit bektashian.
“Shtrirja e Bektashizmit në Shqipëri” mbetet një pasuri e çmuar për studiuesit, besimtarët dhe të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më thellë historinë dhe identitetin shpirtëror të kombit tonë.
Me mirënjohje për të gjithë kontribuuesit, ju ftojmë të njiheni me këtë kolanë që mbart dritë, histori dhe jetë.
FOTOT: Nuri ÇUMANI





















