“GJUHA SHQIPE – IDENTITETI YNË” TAKIM KOMBËTAR NË GJIROKASTËR

Ditën e shtunë, 15 nëntor 2025, Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria – Nderi i Kombit”, në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, organizoi takimin kombëtar “Gjuha Shqipe – Identiteti Ynë”. Ky aktivitet i veçantë pati pjesëmarrjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba, Edmond Brahimaj, akademikëve dhe studiuesve nga trevat shqiptare dhe diaspora, duke e bërë këtë takim një moment të rëndësishëm kulturor dhe shkencor për gjuhën shqipe dhe trashëgiminë kombëtare.

Fjala e hapjes u mbajt nga Kryetari i Shoqatës, Z. Agim Çiraku, ndërsa përshëndetjet zyrtare i bënë Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bajram Begaj dhe Rektori i Universitetit Prof. Dr. Jaho Cana. Gjatë takimit u trajtuan çështje kyçe për zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, duke filluar nga rëndësia e saj historike dhe kulturore, deri te sfidat e përdorimit zyrtar në trojet shqiptare dhe diasporë. Akademikët dhe studiuesit diskutuan mbi kontributin e veçantë të Kongresit të Manastirit, Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, si dhe mënyrën se si gjuha shqipe është ruajtur dhe transmetuar ndër breza, duke e lidhur me identitetin kombëtar dhe unitetin e shqiptarëve.

Momente të veçanta sollën edhe recitalet artistike të aktorit Prof. Asoc. Dr. Alert Çeloaliaj, i cili recitoi poezi nga Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Naim Frashëri dhe autorë të tjerë të shquar, duke i dhënë takimit një dimension emocional dhe kulturor. Në përfundim të aktivitetit, Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit” akordoi dekorata dhe vlerësime për studiuesit dhe personalitetet që kanë dhënë një kontribut të veçantë në fushën e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ky takim kombëtar ishte një dëshmi e fuqisë së gjuhës shqipe si thembra e identitetit tonë kombëtar dhe riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve akademike, shoqatave kulturore dhe komunitetit të studiuesve për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës amtare.