PËRKUJTOHET SOT 125-VJETORI I TEQESË SË NGRAÇIES-MALLAKASTËR

Ditën e premte, 21 nëntor 2025, në teqenë e Ngraçies në Mallakastër përkujtohet 125-vjetori i themelimit të kësaj vatre të rëndësishme bektashiane. Në aktivitet morën pjesë klerikë, myhibë dhe besimtarë nga Mallakastra dhe nga e gjithë Shqipëria, të cilët nderuan historinë, traditat dhe rolin shpirtëror që kjo teqe ka luajtur ndër breza.
Me rastin e kësaj dite, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba ,Edmond Brahimaj përcolli një mesazh përshëndetës për besimtarët dhe komunitetin e zonës, duke theksuar se Teqeja e Ngraçies ka qenë gjithmonë një vatër drite, dashurie dhe urtësie bektashiane. Ai uroi mbarësi dhe bekime për të gjithë, duke nënvizuar se mësimet e Haxhi Bektash Veliut dhe trashëgimia shpirtërore e baballarëve e dervishëve të kësaj teqeje kanë ushqyer ndër vite jo vetëm besimin, por edhe ndjenjën e atdhedashurisë dhe qëndrueshmërisë. “Kjo teqe,” theksoi ai, “mbetet një simbol i gjallë i traditës sonë, një hapësirë ku ndërthuren paqja, shpresa dhe besimi, e ku brezat kanë gjetur gjithmonë forcë dhe mbështetje.”
Teqeja e Ngraçies, e themeluar në fund të shekullit XIX nga Baba Nuriu, ka pasur një rol të veçantë në jetën fetare dhe shoqërore të Mallakastrës. Ajo ka bashkëshoqëruar momente kyçe të historisë shqiptare, duke mbështetur luftëtarët e zonës gjatë Pavarësisë dhe Luftës së Vlorës, dhe ka qenë gjithmonë një qendër e mësimeve të dashurisë për Zotin, për atdheun dhe për njeriun. Edhe në periudhat e vështira të ndalimit të besimit, banorët e Ngraçies ruajtën lidhjen shpirtërore me teqenë, duke mbajtur gjallë dritën e çiragut bektashian.
Përkujtimi i 125-vjetorit shënoi një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për rrugën historike të kësaj teqeje dhe për kontributin e saj të pandërprerë në jetën shpirtërore të komunitetit.