MESAZH I DEDE EDMOND BRAHIMAJ, KRYEGJYSH BOTËROR I BEKTASHINJVE, PËR 28-29 NËNTORIN 2025

Me rastin e festave të 28-29 Nëntorit 2025, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron dhe bekon të gjithë shqiptarët kudo ku ata punojnë dhe jetojnë, duke bërë apel për më shumë dashuri për vendin, për brezat që punuan e luftuan për Kombin Shqiptar, për më shumë punë e përkushtim, më tepër paqe e dashuri vëllazërore, më tepër harmoni, më shumë solidaritet vëllazëror e njerëzor, për besim të palëkundur e adhurim në të madhin Zot, në mënyrë që të përballohen me efektivitet situatat e vështira që po kalon sot njerëzimi, me synim të një jete më të mirë dhe të begatë për të gjithë.

Njëkohësisht, në këtë mesazh vlerësohet fakti se përkujtimi i këtyre datave të shënuara të kalendarit vjetor, ashtu siç është bërë traditë, shoqëruar me aktivitete të shumta e të larmishme, nga institucionet shtetërore, lokale e shoqërore, në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare, nga komunitete shqiptarësh nëpër botë, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot, mëshiruar në devizën e njohur bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’.

“ Me rastin e këtyre datave të shënuara, 26 dhe 29 nëntorin, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë, që të kenë më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Lartë, për një jetë më të mirë e më të begatë, në mënyrë që të përballohen me efektivitet situatat e vështira që po kalon sot njerëzimi, me synim të një jete më të mirë dhe të begatë për të gjithë. Njohja e vlerave atdhetare kombëtare, vlerësimi i kontributeve të dhënë në udhën e historisë, janë e do të mbeten kurdoherë vlera të shenjta për të gjithë brezat. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë problemet dhe të afrohemi gjithmonë drejt të mirës. Përkujtimi i këtyre dy ngjarjeve të shënuara, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot. Është e domosdoshme, që veçanërisht në këto dit, të ndërgjegjësojmë veten e të bëjmë apel për të gjithë, që secili, të angazhohet për rritjen e klimës së mirëbesimit e dashurisë së ndërsjelltë njerëzore, forcimin e unitetit, për bamirësi e ndihmë për ata që kanë nevojë, të pastrojmë shpirtrat tanë e familjarëve, të ndalojmë ndasitë, sherret e mëritë, luftërat, të lutemi tek i Madhi Zot që të na ndihmoj në këtë mision të përbashkët…Zoti i Madhërueshëm u bekoftë të gjithëve, ju e familjeve tuaja! Amin!”– thuhet ndër të tjera, në mesazhin e Kryegjyshit Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.