KRYEGJYSHI BOTËROR, HAXHI DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË MËNGJESIN E 28-TË EUROPIAN TË LUTJEVE NË PARLAMENTIN EUROPIAN

 

Më 2 dhe 3 dhjetor 2025, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, mori pjesë në Mëngjesin e 28-të Europian të Lutjeve, një nga aktivitetet më të rëndësishme të dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit shpirtëror në kontinent. Evenimenti u zhvillua në ambientet e Parlamentit Europian në Bruksel, duke mbledhur së bashku personalitete të shquara nga politika, diplomacia, akademia dhe komunitetet fetare nga mbarë bota.
Kryegjyshi mori pjesë me ftesë zyrtare nga eurodeputetë të Parlamentit Europian, një vlerësim i rëndësishëm që nderon jo vetëm institucionin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, por edhe gjithë komunitetin bektashian në Shqipëri dhe në diasporë. Prania e Tij në këtë takim shpirtëror theksoi edhe një herë rolin e bektashizmit si promotor i paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Gjatë këtij aktiviteti, qindra përfaqësues nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, klerikë, udhëheqës komunitetesh, diplomatë dhe aktivistë të dialogut ndërkulturor, u mblodhën për të reflektuar mbi sfidat e kohës dhe për t’u lutur së bashku në frymën e vlerave universale të paqes, drejtësisë dhe mirëkuptimit. Tema e këtij viti, e frymëzuar nga Jakobi 3:17, i kushtoi vëmendje urtësisë, pastërtisë së qëllimit dhe ndërtimit të urave të besimit mes popujve.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për ftesën, mikpritjen dhe respektin e treguar nga institucionet europiane dhe eurodeputetët organizatorë. Ky takim shërben si dëshmi e qartë e rëndësisë që ka dialogu ndërfetar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në botë, si edhe e angazhimit të bektashinjve në këtë mision të përbashkët.