DEDE EDMOND BRAHIMAJ, I JEP MIRËNJOHJE NURI ÇUNIT NË 80-VJETORIN E DITËLINDJES

Në një ceremoni të veçantë zhvilluar të mërkurën në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i ka dorëzuar Nuri Çunit, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një mirënjohje ku vlerësohet puna dhe përkushtimi në përmbushjen e detyrave. Kjo mirënjohje, iu dha Çunit, në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Në tekstin e Mirënjohjes, thuhet: ” CERTEFIKATË MIRËNJOHJE/ I jepet, Z. NURI SEJDIN ÇUNI; “Për përkushtimin e profesionalizmin në punë, në gati tri dekada në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane; për njohjen, evidentimin dhe pasqyrimin e historikut tetë shekullor të bektashizmit; për kontributin konkret në ringritjen e pasurimin e muzeut të bektashizmit, arkivit, bibliotekës etj…; për nivelin intelektual dhe marrëdhënie të mira me kolegët e vartësit; për angazhimin sistematik në problemet sociale e shoqërore e shtetërore dhe për përmbushjen në kohë e me cilësi të detyrave të ngarkuara”.
Në këtë ceremoni, merrnin pjesë klerikë, besimtarë, familjarë të Nuri Çunit, shokë e miq të tij, studiues etj.
Mirënjohja iu dorëzuar Nuri Çunit, në drekën e zhvilluar me këtë rast, nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Edmond Brahimaj.
Nuriu falënderoi për këtë mirënjohje Kryegjyshin, ndërsa të pranishmit, me fjalë zemre, uruan gjithashtu Nuriun për këtë rast.

Fotot: Nuri ÇUMANI