
Ditën e diel, 25 janar 2026, në të dielën XV të Llukait dhe në ditën e nderimit të Hierarkut të madh, Shën Grigor Theologut, në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u kremtua Shërbesa e Mëngjesores, Liturgjia Hyjnore dhe Shërbesa e Përshpirtjes, në përkujtim të njëvjetorit të jetëndërrimit të Kryepiskopit Anastas.
Shërbesat u drejtuan nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, së bashku me Mitropolitin e Gjermanisë Qendrore, Hirësi Isaaku, dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni; Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Nathanaili; Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti; Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi; si dhe Mitropoliti i Akaias, Hirësi Athanasi, i cili u lut së bashku me hierarkët dhe klerin e pranishëm nga vendi dhe jashtë tij.
Në këtë veprimtari përkujtimore morën pjesë personalitete të larta fetare dhe institucionale, përfaqësues të komuniteteve fetare, ambasadorë, përfaqësues të Këshillit Botëror të Kishave, Komunitetit të Sant’Egidios, Qendrës së Krishterë Misionare në Amerikë, si dhe besimtarë të shumtë.
Ndër të ftuarit e nderit ishte edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, pjesëmarrja e të cilit dëshmoi edhe një herë frymën e dialogut, bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar që karakterizon shoqërinë shqiptare dhe trashëgiminë shpirtërore të Kryepiskopit Anastas.
Kjo ceremoni u shndërrua në një moment reflektimi, lutjeje dhe mirënjohjeje për veprën e madhe baritore, misionare dhe njerëzore të Kryepiskopit, i cili la gjurmë të pashlyeshme në ringritjen e Kishës dhe në forcimin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri.



