
Ditën e martë, 27 janar 2026, në një atmosferë solemniteti, respekti dhe përkujtimi shpirtëror, në Teqenë e Gjakovës u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 5-vjetorit të kalimit nga jeta të Baba Mumin Lamajt, një prej figurave më të ndritura të besimit bektashian në Kosovë. Me praninë e klerikëve, besimtarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, Kryegjyshi Botëror Bektashian mbajti një fjalim të thellë përshpirtor, duke vlerësuar jetën, veprën dhe trashëgiminë e vyer shpirtërore që Baba Mumini la pas në shërbim të paqes, dashurisë dhe vëllazërisë njerëzore.
Fjala përkujtimore e Kryegjyshit Botëror Bektashian, mbajtur gjatë ceremonisë.
“Të nderuar klerikë, miq e dashamirës të Teqesë së Gjakovës,
Vëllezër e motra besimtarë,
Sot jemi mbledhur me respekt dhe mall të thellë për të kujtuar 5-vjetorin e kalimit nga jeta të një figure të ndritur të besimit tonë, Baba Mumin Lamaj, një shërbyes i përkushtuar i rrugës së Haxhi Bektash Veliut, një udhërrëfyes shpirtëror dhe një njeri i urtë që la gjurmë të pashlyeshme në Teqenë e Gjakovës dhe në zemrat e besimtarëve të Kosovës.
Baba Mumin Lamaj ishte mishërim i urtësisë, durimit dhe dashurisë për njeriun. Besimin nuk e jetoi vetëm si detyrë rituale të klerit, por si mënyrë jetese, duke përcjellë paqe, tolerancë dhe vëllazëri pa dallim feje apo përkatësie. Fjala e tij, e butë dhe e qetë, mbartte thellësi shpirtërore dhe peshë të rrallë, që prekte zemrat dhe ndriçonte mendjet.
Në Teqenë e Gjakovës, Baba Mumin Lamaj dha një kontribut të çmuar për forcimin e jetës fetare bektashiane, për ruajtjen e traditës dhe për hapjen e dyerve të teqesë për të gjithë ata që kërkonin dritë, këshillë dhe paqe shpirtërore. Teqeja, nën drejtimin dhe frymën e tij, u bë vatër e urtësisë, e lutjes dhe e bashkimit njerëzor.
Ai ishte një baba shpirtëror që dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe të udhëzonte me zemër të hapur. Me thjeshtësinë e tij, ai u bë i madh, me përulësinë e tij, fitoi respektin e të gjithëve. Përmes punës së palodhur dhe shembullit personal, ai i mësoi brezave se besimi i vërtetë ndërtohet mbi dashurinë, sakrificën dhe shërbimin ndaj tjetrit.
Baba Mumini jetoi thjeshtë, por la pas një trashëgimi të madhe. Nuk kërkoi lavdi, por fitoi respekt. Nuk kërkoi pushtet, por fitoi zemrat e njerëzve. Kjo është madhështia e vërtetë e shërbëtorëve të Zotit!
Sot, pesë vite pas largimit të tij fizik, vepra e Baba Mumin Lamajt jeton. Jeton në Teqenë e Gjakovës, jeton në nxënësit dhe pasuesit e tij, jeton në çdo zemër që u prek nga fjala dhe prania e tij.
Në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, shpreh mirënjohjen më të thellë për jetën dhe veprën e Baba Mumin Lamajt. Falënderim për çdo lutje, për çdo këshillë, për çdo shërbim të heshtur që ai i kushtoi besimit, Teqesë dhe njerëzve.
Zoti e mëshiroftë shpirtin e tij dhe e pastë në dritën e Tij të përjetshme.
Kujtimi i tij qoftë i përhershëm dhe shembulli i tij na udhëzoftë gjithmonë në rrugën e paqes, dashurisë dhe urtësisë.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”







