
Ditën e martë, 3 shkurt 2026, në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u zhvillua një takim zyrtar mes Kryegjyshit, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dhe Koordinatores Rezidente të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri, znj. Ingrid Macdonald. Gjatë takimit, Kryegjyshi bëri një pasqyrim të gjerë të historisë së Kryegjyshatës Bektashiane, duke theksuar parimin themelor të ndarjes së fesë nga politika, rolin e Skënderbeut dhe Rilindjes Kombëtare, krijimin e shtetit shqiptar, si dhe zhvillimet historike të vitit 1914. U trajtua gjithashtu periudha e shpronësimeve dhe e shpërnguljeve pas reformave të Ataturkut, ndalimi i fesë gjatë regjimit komunist dhe rihapja e institucioneve fetare pas viteve ’90.
Kryegjyshi theksoi gjithashtu, shtrirjen ndërkombëtare të komunitetit bektashian në 33 shtete, pjesëmarrjen aktive në konferenca ndërkombëtare të paqes dhe kontributin e vazhdueshëm të Kryegjyshatës në promovimin e harmonisë ndërfetare, dialogut dhe bashkëjetesës, duke nënvizuar se feja nuk duhet të politizohet dhe se ekstremizmi fetar është në kundërshtim me vlerat njerëzore dhe shpirtërore.
Në fjalën e tij, Kryegjyshi vuri theksin tek njeriu si vlera më e lartë, duke theksuar se popujt nuk janë fajtorë për konfliktet, por udhëheqjet politike, ndërsa luftërat, egoizmi, injoranca dhe varfëria përbëjnë kërcënime të drejtpërdrejta për paqen. Ai nënvizoi se Kryegjyshata qëndron qartazi kundër çdo forme lufte dhe dhune dhe punon në mënyrë të vazhdueshme për paqe, drejtësi dhe solidaritet shoqëror.
Nga ana e saj, znj. Ingrid Macdonald ndau përvojën e saj shumëvjeçare në vende të ndryshme, përfshirë angazhimin pesëvjeçar në Bosnje si e dërguar e Kombeve të Bashkuara, ku ka punuar ngushtë me komunitetet, institucionet dhe aktorët politikë në kushte sfiduese pas konflikteve. Ajo theksoi se periudha aktuale paraqet sfida serioze për paqen globale dhe shprehu interes të veçantë për rolin që Kryegjyshata Botërore Bektashiane luan në ndërtimin e paqes dhe forcimin e dialogut ndërfetar.
Gjatë diskutimeve u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me statusin juridik dhe ndërkombëtar të Kryegjyshatës, bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare, çështjet e pronësisë dhe mungesën e një kuadri ligjor për dëmshpërblimin, si dhe zhvillimin e turizmit fetar dhe pelegrinazheve, përfshirë Malin e Tomorrit. U theksua nevoja për mbështetje institucionale dhe infrastrukturore, si dhe për avancimin e përfaqësimit ndërkombëtar.
Në vijim, u diskutua edhe bashkëpunimi me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri, roli i gruas në shoqëri, barazia gjinore, si dhe rëndësia e ruajtjes së tolerancës dhe respektit reciprok. Kryegjyshi theksoi se Kryegjyshata ka qenë dhe mbetet një zë i moderuar, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës, duke promovuar vlera universale humane dhe shpirtërore.
Në përfundim të takimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut institucional, me synim promovimin e paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve dhe besimeve.


