PËRKUJTIMI I 145-VJETORIT TË LINDJES SË BABA QAZIM BAKALLIT DHE 20-VJETORIT TË KALIMIT NGA JETA TË BABA TAHIR EMINIT

Ditën e diel, 15 shkurt 2026, në Teqenë e shenjtë Harabati Baba në Tetovë, u zhvillua aktiviteti përkujtimor në nder të dy figurave të shquara të Bektashizmit në trojet shqiptare: Baba Qazim Bakalli, në 145-vjetorin e lindjes së tij, dhe Baba Tahir Emini, në 20-vjetorin e kalimit nga jeta.
Ky aktivitet u organizua me pjesëmarrjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, klerikëve, myhibëve, besimtarëve dhe personaliteteve të ndryshme, duke përkujtuar jetën, veprën dhe kontributin e tyre në shërbim të besimit, kombit dhe komunitetit.
FJALA E MBAJTUR NGA KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ:
” Të nderuar klerikë, muhybë, besimtarë motra dhe vëllezër,
Sot jemi mbledhur për të përkujtuar dy prej figurave të ndritura të Bektashizmit në trojet shqiptare: Baba Qazim Bakalli, në 145-vjetorin e lindjes së tij, dhe Baba Tahir Emini, në 20-vjetorin e kalimit nga jeta. Ky përkujtim është jo vetëm një shenjë respekti, por edhe një thirrje për të reflektuar mbi shembullin e tyre të shenjtë, përkushtimin ndaj Zotit dhe shërbimin e tyre të palodhur për bektashizmin.
Baba Qazim Bakalli lindi më 3 janar 1880 në Gjakovë, në një familje të njohur për traditat e thella bektashiane. Qysh në moshë të re, ai shfaqi zgjuarsi, pasion për dije dhe devotshmëri, duke ndjekur shkollën fillore në gjuhën turke dhe më pas shkollën normale të Shkupit dhe Elbasanit. Aktiviteti i tij patriotik si pjesëtar i rinisë “Shubani Vatan” tregon për  përkushtimin e tij ndaj kombit dhe atdheut, pavarësisht sfidave dhe persekutimeve të kohës.
Më vonë, Baba Qazimi iu përkushtua plotësisht rrugës së shpirtit. Ai u bë myhib dhe më pas baba, duke shërbyer në Shkodër, Elbasan, Poliqan-Lume dhe më pas në Tetovë, në teqenë e shenjtë ‘Harabati Baba’. Me punën e tij të palodhur, ai ripërtëriu jetën fetare dhe kulturore të teqesë, mbajti afër besimtarët dhe intelektualët, dhe e bëri teqenë qendër të gjallë për besimtarët e Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës. Baba Qazimi Bakalli, si mësues, klerik dhe patriot, la gjurmë të pashlyeshme në ruajtjen e Bektashizmit dhe në edukimin shpirtëror të komunitetit.
Nga ana tjetër, Baba Tahir Emini lindi në vitin 1941 në fshatin Rrasë të Dushës, Tetovë. Ai u rrit me dashurinë për Zotin dhe për atdheun, duke marrë mësimet e para në fshatin e tij dhe më pas duke vijuar studimet pedagogjike në Tetovë dhe Shkup. Baba Tahir ia kushtoi jetën edukimit të brezave të rinj, duke punuar si arsimtar në disa institucione arsimore, dhe nuk u ndal asnjëherë para sfidave të kohës, duke ruajtur besimin Bektashian dhe vlerat kombëtare.
Në fillim të viteve ’90, kur besimi Bektashian po ringritej, Baba Tahir Emini, së bashku me Baba Tajar Gashin, mblodhi myhibë dhe besimtarë të shumtë, duke ringritur teqenë e Harabati-Babait si qendër shpirtërore të hapur për të gjithë. Për 11 vjet ai shërbeu me devotshmëri të plotë, duke bashkëpunuar ngushtë me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe duke shërbyer si Kryetar i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë. Ai ishte shembull i urtësisë, fisnikërisë, devotshmërisë dhe atdhedashurisë, duke frymëzuar breza të tërë besimtarësh.
Të dy, Baba Qazimi dhe Baba Tahiri, na mësojnë se shërbimi për Zotin shkon dorë për dorë me shërbimin për njerëzit. Ata i kushtuan jetën edukimit, zhvillimit shpirtëror dhe mbajtjes së Bektashinjve të bashkuar dhe të fortë. Veprat e tyre janë një thirrje për çdo besimtar: të ndjekim shembullin e tyre, të ruajmë besimin, të forcojmë lidhjet e komunitetit dhe të veprojmë me dashuri, durim dhe devotshmëri.
O Zot, fali dhe mëshiroi Baba Qazim Bakalli dhe Baba Tahir Emini ,dhuroi atyre vendin më të lartë në amshim dhe bëji ata të gëzojnë dritën dhe paqen e përjetshme.
Të dashur motra e vëllezër, kujtojmë këta baballarë të shquar jo vetëm si klerik mistik, por edhe si drita udhërrëfyese që na tregon rrugën e dijeve, devotshmërisë dhe shërbimit ndaj kombit dhe besimtarëve.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin! ”
Ky përkujtim shërbeu si një moment reflektimi dhe frymëzimi për të gjithë të pranishmit, duke rikujtuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave shpirtërore, unitetit dhe trashëgimisë së shenjtë të Bektashizmit.
Kujtimi dhe vepra e Baba Qazim Bakallit dhe Baba Tahir Eminit do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm në rrugën e besimit, devotshmërisë dhe shërbimit ndaj Zotit, kombit dhe njerëzimit.