
Në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, zhvilloi ditën e enjte, 19 shkurt 2026, një takim zyrtar me Ambasadorin e Bashkimi Evropian në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Silvio Gonzato.
Gjatë takimit u diskutua mbi rolin e komuniteteve fetare në forcimin e kohezionit social, promovimin e dialogut ndërfetar dhe ruajtjen e harmonisë fetare, e cila përbën një nga vlerat themelore të shoqërisë shqiptare. Kryegjyshi theksoi kontributin historik dhe aktual të komunitetit bektashian në ndërtimin e shtetit shqiptar, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian vlerësoi modelin shqiptar të harmonisë fetare si një shembull pozitiv në rajon dhe më gjerë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të komuniteteve fetare në proceset që lidhen me integrimin evropian, të drejtat e njeriut dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në fokus të bisedës ishte edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe roli që aktorët shoqërorë, përfshirë komunitetet fetare, mund të luajnë në përforcimin e vlerave demokratike, solidaritetit dhe respektit për diversitetin.
Takimi u mbyll me shprehjen e gatishmërisë për vijimin e bashkëpunimit dhe thellimin e dialogut në funksion të interesit publik, stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.
