
Ditën e shtunë, 28 shkurt 2026, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, së bashku me Dervish Abdylmytalib Beqiri dhe z. Arben Sulejmani, Kryetar i Komunitetit Bektashi në Maqedoninë e Veriut, pritën në një vizitë kortezie Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, në ambientet e shenjta të Teqesë Harabati Baba, seli historike e Gjyshatës Bektashiane në Maqedoninë e Veriut dhe pjesë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në këtë takim të rëndësishëm morën pjesë gjithashtu Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami; Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili; Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Mejdani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore dhe fetare të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan me përgjegjësi dhe seriozitet çështjet që lidhen me të drejtat e besimtarëve bektashinj në Maqedoninë e Veriut, sfidat institucionale dhe problematikat pronësore që lidhen me trashëgiminë historike dhe fetare të komunitetit. Kryegjyshi Botëror e njohu Presidentin me ecurinë e proceseve gjyqësore ndërkombëtare, përfshirë vendimet e fituara pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të cilat konfirmojnë të drejtat legjitime të Komunitetit Bektashi, përfshirë të drejtën e besimit dhe të drejtat mbi pronat dhe objektet e kultit bektashi.
Në mënyrë të veçantë u theksua historiku i pasur i Teqesë Harabati Baba, e cila prej shekujsh i përket Bektashinjve dhe përbën një nga qendrat më të rëndësishme shpirtërore, kulturore dhe historike të tarikatit në rajon. E themeluar si vatër e dijes, urtësisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, kjo teqe ka shërbyer ndër breza si simbol i tolerancës, harmonisë dhe identitetit shpirtëror të besimtarëve bektashinj.
Kryegjyshi Botëror theksoi se ruajtja e trashëgimisë shpirtërore dhe institucionale të Bektashinjve nuk është vetëm çështje e një komuniteti të caktuar, por pjesë e identitetit kulturor dhe historik të gjithë rajonit. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu vlerësimin për rolin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në promovimin e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës, si dhe mbështetjen për respektimin e të drejtave të ligjshme të komunitetit.
Takimi u zhvillua në një frymë vëllazërie dhe respekti të ndërsjellë, me angazhim për forcimin e bashkëpunimit institucional në shërbim të mbrojtjes së vlerave shpirtërore, trashëgimisë historike dhe dinjitetit të besimtarëve bektashinj në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Vizita u përmbyll në një atmosferë kortezie dhe respekti të ndërsjellë, me shkëmbim urimesh për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve institucionale dhe për vazhdimësinë e mbështetjes ndaj çështjeve që prekin të drejtat dhe dinjitetin e besimtarëve bektashinj.










