AMBASADORI I REPUBLIKËS SË SERBISË NË TIRANË, SLOBODAN VUKCEVIC VIZITON KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Më datë 30 mars 2026, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, u zhvillua një takim kortezie ndërmjet Sh.T. Ambasadorit të Republikës së Serbisë në Tiranë, z. Slobodan Vukčević, dhe Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë, ku u diskutua gjerësisht mbi bektashizmin si një traditë shpirtërore me vlera të thella universale, si dhe mbi rolin e tij historik në Shqipëri. Në këtë kuadër, u theksua kontributi i figurave të shquara të bektashizmit në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në proceset e shtetformimit të Shqipërisë, duke vlerësuar ndikimin e tyre në forcimin e identitetit kombëtar dhe promovimin e bashkëjetesës ndërfetare.

Gjatë bisedës, palët ndanë mendime edhe mbi përhapjen dhe rolin e bektashizmit në botë, si një urë lidhëse mes kulturave dhe popujve, që promovon paqen, tolerancën dhe dialogun. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu trashëgimisë bektashiane në rajon, përfshirë edhe tyrben bektashiane në kalanë e Beogradit, si një element me rëndësi historike dhe kulturore.

Në vijim të vizitës, Ambasadori pati mundësinë të vizitojë ambientet e Kryegjyshatës, përfshirë Muzeun, Arkivin dhe Bibliotekën, ku u njoh nga afër me pasurinë dokumentare dhe historike të bektashizmit.

Takimi u përmbyll me shkëmbimin e mesazheve të paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve. Në shenjë vlerësimi dhe mikpritjeje, Kryegjyshi Botëror i dhuroi Ambasadorit veprën “Shtrirja gjeografike e bektashizmit” në dy vëllime.

Ky takim përbën një tjetër hap në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes dhe harmonisë.